Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Gjëra e parë që do të gjykohet mes njerëzve në Ditën e Kiametit janë gjaqet."
Enciklopedia e Haditheve · Jeta e amshueshme
Harithe ibn Vehb Huzaiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “A doni t'ju tregoj për banorët e Xhenetit? Çdo i dobët e modest, i cili sikur të betohej në Allahun për diçka, Ai do t'ia çonte në vend betimin. A doni t'ju tregoj për banorët e Zjarrit? Çdo i vrazhdë, arrogant dhe mendjemadh.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Atë që e afatizon borxhliun ose ia fal, Allahu do ta strehojë nën hijen e Arshit (Fronit) të Tij në Ditën e Kiametit, atë Ditë kur s'do të ketë hije tjetër pos kësaj hijeje."
Mikdad ibn Esvedi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Në Ditën e Kiametit, Dielli u afrohet njerëzve, saqë do të jetë në një afërsi prej një miljeje.” Sulejm ibn Amiri tha: “Pasha Allahun, me “milje" nuk e di a kishte për qëllim njësinë matëse të gjatësisë apo “miljen" me të cilën lyhet syri." Profeti ﷺ vazhdoi: “Njerëzit do të jenë në djersë sipas veprave të tyre. Dikush do të jetë i zhytur deri te nyjat e këmbëve, dikush deri te gjunjët, dikush deri te beli, dikush do të mbulohet me djersë tërësisht”, - dhe i Dërguari i Allahut ﷺ bëri me dorë nga goja.
Nga Ebu Berzeh el-Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Këmbët e njeriut nuk do të lëvizin në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për jetën e tij si e kaloi, për dijen e tij sa e zbatoi, për pasurinë e tij si e fitoi dhe si e shpenzoi dhe për trupin e tij si e konsumoi".
Xherir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Një natë, duke ndenjur me Profetin ﷺ, e pa Hënën të plotë dhe tha: “Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç po e shihni Hënën: pa asnjë vështirësi. Po patët mundësi që të mos ju pengojë asgjë nga falja e namazit të sabahut dhe të ikindisë, bëjeni.” Pastaj lexoi: “... madhëroje Zotin tënd dhe falënderoje Atë para lindjes së Diellit dhe para perëndimit.” (Kaf, 39)
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A e dini se kush është i falimentuari?” Të pranishmit iu përgjigjën: "I falimentuari te ne është ai që nuk ka as dërhemë e as mall." Atëherë Profeti ﷺ tha: “I falimentuari nga umeti im është ai që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, me agjërim dhe me zekat, mirëpo e ka ofenduar filanin, ka shpifur për filanin, e ka ngrënë pasurinë e filanit, ka derdhur gjakun e filanit dhe ka rrahur filanin. Rrjedhimisht, filanit do t'i jepen nga të mirat e këtij, atij tjetrit do t'i jepen nga të mirat e këtij, e, kur t'i harxhohen të mirat para se t'i lajë padrejtësitë ndaj tyre, atëherë do të merren mëkatet e tyre dhe do t'i hidhen këtij dhe më pas do të hidhet në Zjarr.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri, të cilat skuqen në zjarr të Xhehenemit e me to i hekuroset trupi, balli e shpina. Sa herë që ftohen, ato sërish skuqen në zjarr për atë, në Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet. Kur të mbarojë gjykimi mes njerëzve, atij do t'i tregohet rruga: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.” - O i Dërguari i Allahut, po devetë? - e pyeti dikush. - “Pronari i deveve, i cili nuk e jep hakun e tyre (zekatin), e prej hakut të tyre është mjelja e tyre ditën kur të pinë ujë (për t'u dhënë qumësht kalimtarëve), kur të ndodhë Dita e Kiametit, hidhet (me fytyrë) përtokë, ndërkohë devetë do të jenë në numrin më të madh dhe në peshën më të rëndë nga sa e kishin (në këtë botë), nuk do t'i mungojë as dhe një deve e vogël, por do ta shkelin me shputa dhe do ta kafshojnë me dhëmbë. Sa herë që kalojnë të parat, i kthehen sërish ato të fundit. Kjo do të ndodhë ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet, derisa të mbarojë gjykimi mes njerëzve. Atëherë do ta shohë rrugën: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.” - O i Dërguari i Allahut, po lopët dhe delet? - e pyeti dikush. - “Pronari i lopëve ose i deleve, i cili nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të ndodhë Dita e Kiametit, hidhet (me fytyrë) përtokë. Atij nuk do t'i mungojë asgjë. Ato nuk janë me brirë të dredhura mbrapa, as janë pa brirë, e as i kanë të thyera. Do ta godasin me brirë e do ta shkelin me thundra. Sa herë që kalojnë të parat, i kthehen sërish ato të fundit. Kjo do të ndodhë Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet, derisa të mbarojë gjykimi mes njerëzve. Atëherë do ta shohë rrugën: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.” - O i Dërguari i Allahut, po kuajt? - e pyeti dikush. “Kuajt ndahen në tri lloje: për dikë janë barrë e mëkat, për dikë mburojë, e për dikë janë shpërblim. Sa i përket atij për të cilin janë mëkat, është personi që mban kuaj nga syefaqësia, mendjemadhësia dhe i shfrytëzon në armiqësi të muslimanëve. Këtij i llogariten barrë dhe mëkat. Ai për të cilin janë mburojë, është personi që mban kuaj për hir të Allahut dhe nuk e harron hakun e tyre, për shpinën (kalërimin) dhe kokat (zekatin) e tyre, me të cilin Allahu e ka ngarkuar. Këtij i llogariten mburojë (nga varfëria). Ndërkaq, atij që i llogaritet shpërblim është personi që mban kuaj për luftë në rrugën e Allahut, për (t'i ndihmuar) muslimanët. Ai i lidh në kullosë ose kopsht, kështu që sa hanë nga kullosa ose kopshti, i llogaritet shpërblim pronarit me aq të mira. Po ashtu i shkruhen shpërblimet aq sa është numri i bajgave dhe i urinave të tyre. Nëse ndodh ta këpusin litarin dhe të ikin një ose dy kodra larg, Allahu ia llogarit shpërblim pronarit aq sa është numri i fërkimeve dhe bajgave të tyre. Sa herë që pronari kalon pranë lumit dhe kali pi aty, pa dashur pronari t'i japë ujë, Allahu ia llogarit shpërblim pronarit, aq sa ka pirë.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pozita më e ulët në Xhenet është kur i thuhet dikujt: “Kërko ç'të duash!” Dhe ai kërkon e kërkon, derisa t'i thuhet: “A përfundove së dëshiruari?” Ai thotë: “Po.” Atëherë i thuhet: “Ty të takon e gjithë ajo që ke dëshiruar dhe po aq.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën pak mish dhe i ofruan një shpatull, të cilën ai e pëlqente. Ai e kafshoi një herë, pastaj tha: “Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. Dhe, vallë, e dini përse?! Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të parët dhe të fundit, në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin çdonjërit dhe syri mund t'i përfshijë të gjithë. Dielli do t'u afrohet shumë afër dhe njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat, aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin. Kështu, do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po e shihni në çfarë gjendjeje keni ardhur?” Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj? Disa thonë: “Shkoni tek Ademi. Shkojnë tek ai dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe të ka fryrë shpirt me Frymën e Tij, si dhe melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Sot, Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i bëra mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!” Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë te banorët e Tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues, ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im i Lartësuar është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Lutjen time të pakthyeshme e kam shfrytëzuar për popullin tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Ibrahimi!” Kështu, shkojnë tek Ibrahimi dhe i thonë: “O Ibrahim, ti je i dërguari dhe miku i Allahut nga banorët e Tokës, ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai ua kthen: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Unë pata gënjyer tri herë. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Musai!” Kur shkojnë te Musai, i thonë: “O Musa, ti je i dërguari i Allahut dhe Ai të ka dalluar nga njerëzit e tjerë me shpallje dhe të ka folur drejtpërdrejt. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ndërkohë, unë pata vrarë një njeri që nuk më lejohej. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Isai!” Me të shkuar tek Isai, i thonë: “Ti je i dërguari i Allahut dhe fjala e Tij që ia ka vendosur Merjemes, si dhe frymë prej Tij. U pate folur njerëzve qysh në djep, duke qenë foshnjë. Ndërmjetëso për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Isai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu.” - Pa përmendur ndonjë mëkat, vazhdon: - “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Muhamedi ﷺ!” Kështu, kur shkojnë te Muhamedi ﷺ, i thonë: “O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Allahu t'i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Prandaj, unë shkoj nën Arsh dhe bie në sexhde për Zotin tim të Lartmadhëruar. Allahu më frymëzon me falënderime dhe lëvdata ndaj Tij, që askujt më parë nuk ia ka shfaqur, pastaj Ai thotë: “O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko, që të të jepet, ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë e ngre kokën dhe them: “Umeti im, o Zot! Umeti im, o Zot!” Më thuhet: “O Muhamed, gjithë pjesëtarët e umetit tënd, që nuk do të merren në llogari, futi nëpërmjet portës së djathtë të Xhenetit, njëherazi ata janë pjesëmarrës edhe nëpër portat e tjera me të tjerët!” Pastaj tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes dy skajeve të portave të Xhenetit ka hapësirë sa prej Mekës deri në Himjer, - ose ka thënë: sa prej Mekës deri në Busra.”
Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Myezinët do t'i kenë qafat më të gjata në mesin e njerëzve në Ditën e Kiametit.”
Xhabir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që, pasi ta dëgjojë ezanin, thotë: “Allahumme rabbe hadhihi davetit-tammeti ves-salatil kaimeti, ati Muhammedenil vesilete vel fadilete, veb athhu mekamen mahmudenil-ledhi veadtehu. (O Allah, Zot i kësaj thirrjeje të përsosur dhe këtij namazi që po falet, jepja Muhamedit ndërmjetësimin dhe mirësinë. Ngrije në pozitën e lartë, - Mekami Mahmud, - të cilën ia ke premtuar), e meriton ndërmjetësimin tim Ditën e Kiametit.”
Zubejr ibën Avami tregon: Kur zbriti ajeti: "Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)!", (Et Tekathur, 8) thashë: "O i Dërguari i Allahut, për çfarë kënaqësish do të pyetemi, kur ato janë vetëm dy të zezat: hurma dhe uji?" Profeti ﷺ tha: "Kjo do të ndodhë."