Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Vini re! Kjo botë është e mallkuar dhe çdo gjë që është në të është e mallkuar, përveç përmendjes së Allahut, asaj që është në përputhje me të, dijetarit dhe kërkuesit të dijes.”
Enciklopedia e Haditheve · Përbuzja e dashurisë ndaj dynjasë
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë Profeti ﷺ u ul në minber, kurse ne përreth tij, e në atë rast tha: “Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen bukuritë dhe stolitë e dynjasë.” Njëri tha: “O i Dërguari i Allahut, e mira a mund ta sjellë të keqen?” Profeti ﷺ heshti, e atij (pyetësit) i thanë: “Ç'është puna jote, po i flet Profetit ﷺ, e ai nuk po ta kthen?” Pastaj vërejtëm se Profetit ﷺ po i zbriste shpallja. Pasi përfundoi, i fshiu djersët dhe pyeti: “Ku është pyetësi?” U duk sikur po e lavdëronte dhe tha: “E mira nuk e sjell të keqen, (dhënia pas grumbullimit të pasurisë së shumtë dëmton sikundërqë) gjelbërimi i pranverës e mbyt kafshën ose e sjell në prag të ngordhjes, përveç asaj që kullot bar të njomë; ajo ha bar të gjelbër, derisa i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze), bajgos lehtë urinon dhe prapë kullot. Pasuria është e njomë (e bukur për syrin) dhe e ëmbël. I lumtë muslimanit për atë që ia jep nevojtarit, jetimit ose udhëtarit!” - Ose, sido që të ketë thënë Profeti ﷺ: - “Ai që merr pasuri padrejtësisht, është sikurse ai që ha e nuk ngopet. Ditën e Kiametit ajo do të bëhet dëshmitare kundër tij.”
Havle Ensarija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Disa njerëz po zhyten në pasurinë e Allahut padrejtësisht. Ditën e Kiametit, të tillët i pret Zjarri.”
Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, është furnizuar mjaftueshëm dhe Allahu e ka bërë të kënaqur me atë që i ka dhënë.”
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Mos u jepni pas pronave bujqësore, që të mos lidheni pas dynjasë."
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka transmetuar: "I Dërguari i Allahut ﷺ po flinte mbi një hasër prej kashte. Kur u ngrit, hasra kishte lënë gjurmë në anën e trupit të tij. Ne i thamë: O i Dërguari i Allahut, sikur të të siguronim një dyshek." Ai tha: “Çfarë kam unë me këtë botë? Shembulli im në këtë botë është si shembulli i një udhëtari që pushon nën hijen e një peme, pastaj largohet dhe e lë atë.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Zemra e plakut mbetet e re për dy gjëra: dashurinë për këtë botë dhe shpresën e gjatë (për jetë).”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Përkujtoni shpesh shkatërruesin e kënaqësive”, - vdekjen.