Nga Aishja r. anha transmetohet të ketë thënë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ngrihej natën (për namaz) aq gjatë, saqë këmbët i patën pëlcitur (nga dhembjet), andaj unë i thashë: “Përse po vepron kështu o i Dërguari i All-llahut, kur t’i ka falur ty All-llahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet?” Ai tha: “A nuk dua që të jem rob falënderues?”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj513 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet se Aishja r. anha ka thënë: “Kur vinte dhjetëshja (dhjetë ditët e fundit të Ramazanit) i Dërguari i All-llahut s.a.v. se gjallëronte natën (me ibadet), e zgjonte familjën e tij, angazhohej më tepër dhe vetmohej (për ibadet dhe izolim prej grave).”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Xhehenemi është i fshehur dhe i mbuluar me epshe, kurse Xheneti është i fshehur dhe i mbuluar me pakënaqësi.”
Transmetohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen, kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbesin veprat e tij.”
Nga Ibni Mes’udi transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Secilit prej jush Xheneti i është më i afërt sesa rripi (lidhësja) i këpucës së tij, e po ashtu është edhe xhehenemi.”
Nga Ebu Mes’ud Ukbe ibn Amr el-Ensarij r.a. transmetohet të ketë thënë: “Pasi u shpall ajeti i sadakasë, ne asokohe punonim si hamej, pastaj erdhi një njeri dhe dha shumë pasuri sadaka. (Të pranishmit) Thanë: “Dëshiron të tregohet”, pastaj erdhi një njeri tjetër dhe dha një tas sadaka. Thanë: “Vërtet All-llahu është i panevojshëm për këtë tas!” Me atë rast u shpall ajeti: “Ata që përgojojnë besimtarët në dhënien vullnetare të kontributeve, madje i përbuzin edhe ata të cilët japin me përpjekje të madhe.” (et-Tewbe, 79)
Nga Ebu Hurejra transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Arsyetohet All-llahu ndaj njeriut të cilit ia vonon exhelin derisa t’i mbushë gjashtëdhjetë vjet.”
Transmetohet nga Aishja r. anha se ka thënë: “Pasi u shpall surja En-Nasr (“Kur vjen ndihma e fitorja e All-llahut”), i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk ka falur asnjë namaz e të mos ketë thënë: “Suhbhaneke rabbena ve bi hamdike, All-llahummagfir lî” (Lavdia të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falënderuar. O All-llahu im, më fal)
Transmetohet nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade r.a. se ka thënë: “I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, cila është vepra më e mirë?” Tha: “Besimi në All-llahun dhe lufta (xhihadi) në rrugën e Tij.” I thashë: “Cila pasuri është më e mirë?” Ai tha: “Ajo që është më e shtrenjtë dhe më e çmuar.” (Unë) i thashë: “Nëse nuk (mund ta) e jap?” (Pejgamberi) Tha: “Ndihmoji atij që bën mjeshtëri, ose bëji mjeshtëri atij që nuk di mjeshtëri.” Thashë: “O i Dërguari i All-llahut, e çka mendon nëse unë nuk mund të bëj diçka nga dobësia?” (Pejgamberi) tha: “Ruhu mos u bëj keq të tjerëve, e kjo do të jetë sadaka jotja për veten tënde.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur lind dielli, duhet dhënë sadaka. Nëse pajton dy veta, edhe kjo është sadaka, nëse dikujt i ndihmon që të hipë në kafshën e tij, ose i ndihmon që ta ngarkojë barrën në kafshën e tij (kalë ose deve), edhe kjo është sadaka, edhe fjala e mirë është sadaka, çdo hap që bën për të shkuar në namaz është sadaka, edhe largimi nga rruga e asaj që i pengon kalimtarët është sadaka.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush shkon në xhami për namaz në mëngjes ose në mbrëmje, All-llahu për këtë do t’i përgatisë atij gosti (në Xhenet) në mëngjes ose në mbrëmje.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O ju gratë muslimane, asnjëra nga ju mos ta përbuzë shoqen fqinje të saj, qoftë ajo edhe për një thundër deleje.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Imani (besimi) është gjashtëdhjetë e disa a shtatëdhjetë e disa degë. Më e vlefshme është fjala: “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut), kurse më e ulëta është largimi nga rruga e asaj që i mundon kalimtarët. Edhe turpi është një degë e imanit.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një njeri duke udhëtuar në një rrugë e kaplon etje e madhe, e gjen një pus, zbret në të dhe pi ujë. Pastaj del nga pusi dhe has një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë, që ha baltë nga etja. Njeriu thotë: “Këtë qen e paska kapluar etja siç më pat kapluar edhe mua më parë.” Pastaj njeriu zbret në pus dhe mbush këpucën e vet me ujë, pastaj e kap me gojë derisa ngjitet lart dhe i jep të pijë qenit. All-llahu për këtë e shpërblen dhe ia fal mëkatet.” (As’habët i) Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, edhe për kafshët kemi shpërblim?” (Pejgamberi) Tha: “Në gjithçka që ka mëlçi të lagur ka shpërblim.”
Nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një besimtar (musliman), kur të sëmuret, ose kur të jetë në rrugë, i shënohen (shpërblimet) njësoj sikur ka qenë i shëndoshë dhe në shtëpi.”
Transmetohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo vepër e mirë është sadaka.”
Transmetohet nga Adijj ibn Hatim të ketë thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Frikësohuni (ruhuni) nga zjarri, qoftë edhe me gjysmë hurme.”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Secili musliman e ka obligim një sadaka.” Iu tha: “E çfarë mendon nëse nuk e gjen?” Tha: “Do të punojë me duart e veta, e shfrytëzon vetveten dhe do të japë sadaka.” Pastaj iu tha: “E nëse nuk mundet?” Tha: “Do t’i ndihmojë të nevojshmit që është i dëmtuar.” Pastaj iu tha: “E çka mendon nëse edhe këtë nuk mundet?” Atëherë (Pejgamberi) tha: “Do të rekomandojë dhe urdhërojë veprat e mira apo të hajrit.” Thanë: “E nëse edhe këtë nuk e bën dot?” Tha: “Do të përmbahet nga e keqja, sepse edhe ajo është sadaka.”
Nga Aishja r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem hyri në dhomën e saj, ku gjendej një grua, dhe i tha: “Kush është kjo?” Tha: “Kjo është filan gruaja, e kryen me kujdes namazin e saj.” (Pejgamberi) Tha: “Mos e obligoni veten se nuk keni mundësi, se pasha All-llahun, Ai nuk mërzitet derisa të mos ju mërzitë juve së tepruarit. All-llahu më së shumti e do devotshmërinë e përhershme tek ai që e kryen.”
Transmetohet nga Enesi r.a.: “Tre njerëz prej të afërmve erdhën në shtëpitë e grave të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe pyetën për ibadetin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pasi morën përgjigje, atyre iu duk se kjo është pak dhe thanë: “Ku jemi ne e ku është Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.? All-llahu atij ia ka falur të gjitha mëkatet e mëparshme dhe ato të ardhshmet.” Njëri prej tyre tha: “Sa më përket mua, unë gjithnjë tërë natën do të falem.” I dyti tha: “Unë vazhdimisht do të agjëroj.” I treti tha: “Unë do të izolohem prej grave dhe kurrë nuk do të martohem.” Kur vjen i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u thotë: “A jeni ju që keni thënë këtë dhe këtë? Sa më përket mua, pasha All-llahun, unë jam më i frikësuari dhe më i devotshmi ndaj All-llahut sesa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe flej, dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Suneti im, ai nuk më përket mua.”