Transmetohet nga Ibni Mes’-udi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mangësia e parë që i ka goditur Beni Israilët ka qenë se një njeri, kur e takonte një tjetër i thonte: “O ti, frikësoju All-llahut dhe lëre këtë që po vepron, sepse kjo nuk të është e lejuar. Pastaj të njëjtin njeri e takon nesër, e ai në të njëjtën gjendje, dhe kjo megjithatë nuk e pengon që të hajë me të, të pijë dhe të ulet bashkë. Pasi vepruan kështu (Beni Israilët), All-llahu ua ka rrahur zemrat e njërit për tjetrin.” Pastaj tha (lexoi ajetet 78-81 të sures el-Maidetu): “Janë mallkuar jobesimtarët nga Izraelitët, në gjuhën e Davudit dhe të Isasë, të birit të Merjemes, për shkak se ishin të padëgjueshëm, dhe gjithmonë e tepronin. Nuk e pengonin njëri-tjetrin nga të këqijat që i bënin. Vërtet vepronin shumë keq! I sheh shumë sish si miqësohen me ata që nuk besojnë. Është me të vërtetë shumë keq çka i përgatisin ata vetvetes: për t’u hidhëruar All-llahu në ata, ndaj ata janë në vuajtje të përhershme. E sikur t’i besonin All-llahut dhe Pejgamberit edhe asaj çka i shpallet atij, ata nuk do të bënin miqësi me ata, mirëpo shumica sish janë ngatërrestarë.” Pastaj (Pejgamberi pas leximit të ajeteve) tha: “Kujdes, pasha All-llahun, ju me siguri ose do të urdhëroni në vepra të mira dhe do të ndaloni nga të këqijat, ose do ta rrëmbeni dorën e zullumqarit dhe me forcë ta detyroni në të vërtetën - dhe ta kufizoni vetëm në të vërtetën, ose All-llahu do t’ju rrah me zemrat e njërit për tjetrin, e pastaj me siguri do t’ju mallkojë, siç i ka mallkuar ata.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj99 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Ebu Bekër es-Siddiku r.a. të ketë thënë: “O njerëz, ju e lexoni këtë ajet: “O besimtarë, kujdesuni për vete; nëse jeni në rrugë të drejtë, ai që është i humbur nuk do t’ju bëjë dot asgjë!” (el-Maidetu, 105), dhe unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Vërtet kur njerëzit e vërejnë zullumqarin e nuk e kapin për dore (për ta ndalur e penguar) ekziston rreziku që t’i dënojë All-llahu përgjithësisht për atë shkak.”
Transmetohet nga Muavije ibn Hajde r.a. se ka thënë: “Thashë, o i Dërguari i All-llahut, çfarë detyra ka secili prej nesh ndaj gruas së vet?” (Pejgamberi) Tha: “Ta ushqesh, kur të ushqehesh vet, ta veshmbathësh, kur këtë e bën për vete, mos ta rrahësh në fytyrë, mos ta qortosh dhe mos ta lësh vetëm askund përveç në shtëpi.”
Transmetohet nga Amr ibn Shuajbi, ky nga babai i tij, e ai nga babai i vet r.a., se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj për (të falur) namaz kur të jetë shtatë vjeç, e detyrojëni me forcë (rrihni) kur t’i bëjnë dhjetë vjeç dhe ndajini në shtrat.”
Transmetohet nga Ibni Umeri r.a. se ka thënë: “Unë kam pasur një grua të cilën e doja, kurse Umeri (babai i tij) e urrente dhe më tha: “Shkurorëzoje!” Unë refuzova. Pastaj Umeri r.a. shkoi te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tregoi për këtë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Shkurorëzoje!”
Transmetohet nga Amr ibn Shuajbi, nga babai i tij, kurse ai nga babai i vet r.a., se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk është i mëshirshëm ndaj të vegjëlve tanë dhe kush nuk ia di respektin e duhur të vjetërve tanë.”
Transmetohet nga Mejmun ibn Ebi Shebibi, All-llahu e mëshiroftë, se Aishja r.a. një lypësi që kaloi i dha një copë bukë, kurse kur kaloi një tjetër, që ishte më i veshur dhe më i pashëm, i ofroi të ulet, e pastaj i dha të hajë. Kur e pyetën për këtë, ajo tha: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Gradoni njerëzit sipas gradave të tyre.”
Transmetohet nga Enesi r.a. se ka thënë se një njeri ishte tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe kalon aty një njeri tjetër, kurse ky që ishte tek Pejgamberi tha: “O i Dërguari i All-llahut, unë vërtet e dua këtë njeri.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i tha: “A e ke informuar atë se e do?” Tha: “Jo.” Pejgamberi i tha: “Informoje.” Ky e takon dhe i thotë: “Unë të dua për hir të All-llahut.” Ai i tha: “All-llahu të dashtë, që të ka bërë të më duash për Të.”
Transmetohet nga Abdull-llah ibn esh-Shihijr r.a. të ketë thënë: “I erdha të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., ndërsa ai ishte duke u falur. Në gjoksin e tij dëgjohej një ushtimë, sikurse ushtima e kazanit kur zien nga të qarët.”
Transmetohet nga Aishja r.a. se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Vërtet besimtari me karakter të mirë arrin gradën e atij që vazhdimisht agjëron dhe që fal namaz.”
Transmetohet nga Ebu Umame el-Bahilij r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Unë i jam garant (dorëzan) për një shtëpi në mes kopshtit të Xhenetit atij (besimtari) që e flak grindjen mes veti, edhe nëse ka të drejtë. Dhe për një shtëpi në mes të Xhenetit atij që e lë rrenën, qoftë edhe në mahi. Dhe për një shtëpi në Xhenetin më të lartë atij që e ka moralin më të mire.”
Aishja r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në fjalimin e vet ishte i qartë dhe çdokush që e dëgjonte e kuptonte.”
Umer ibnu Hattabi r.a. thotë: “Kërkova leje prej Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për kryerjen e Umres (vizita e Qabes jashtë kohës së haxhxhit), më lejoi dhe më tha: “Mos na harro, o vëlla, nga lutjet e tua!” Ai e tha një fjalë e cila më gëzoi më tepër sesa të bëhej e tërë bota imja.” Në një rivajet tjetër Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shoqërona, vëlla, në lutjet e tua!”
Nga Hafsa r.anha tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem përdorte dorën e djathtë për ushqim, pije dhe veshje, ndërsa dorën e majtë për gjërat e tjera.
Nga Ebu Hurejra r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të visheni dhe kur të merrni abdest, filloni me të djathtat tuaja.” 363
Nga Aishja r.anha tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush fillon të hajë, le ta përmendë emrin e All-llahut të Madhëruar, por nëse harron ta përmendë në fillim të ngrënies, atëherë le të thotë: “Me emër të All-llahut në fillim dhe në mbarim të ushqimit (Bismil-lahi evvelehu ve ahirehu).”
Umejje bin Mahshia Es-Sahabiu r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte ulur dhe një njeri pranë tij filloi të hante pa e përmendur emrin e All-llahut. Pasi gati e kishte kryer ngrënien, kur e afroi kafshatën e fundit te goja tha: “Bismil-lahi evvelehu ve ahirehu.” (Me emër të All-llahut në fillim dhe në përfundim të ushqimit). Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem qeshi, pastaj tha: “Shejtani hante vazhdimisht me të, por kur e përmendi emrin e All-llahut, e volli gjithë atë që e kishte në barkun e vet.”
Abdull-llah ibn Busr r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kishte një enë që quhej “El-garrau”, të cilën e çonin katër persona (sini apo sofër). Pasi as-habët e falnin namazin e paradrekës (Salatu-d-Duha) e binin sofrën e madhe me përshesh me valë dhe uleshin të pranishmit rreth saj. Kur ishte numri i madh, atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ulej në gjunj që të uleshin sa më shumë. Një beduin, i cili e kishte vërejtur, pyeti: “Çfarë ulje është kjo?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u përgjigj: “Vërtet All-llahu mua më ka bërë rob të ndershëm e nuk më ka bërë tiran kokëfortë.” Pastaj tha: “Hani prej skajit të enës dhe lëre mesin e saj që të keni bereqet në ushqim!”
Ebu Remthe Rifaatut-Tejmijje thotë: “Unë e kam parë të Dërguarin e All-llahut të veshur me dy rroba të gjelbra.”
Esma binti Jezid El-Ensari r.anha thotë: “Mëngët e këmishës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishin të gjata deri te nyjet.”