Nga emiri i besimtarëve, Ebu Hafse Umer ibn el Hattab ibn Nufejl ibn Abduluzzi ibn Rijah ibn Abdil-lah ibn Kurt ibn Rezah ibn Adijj ibn Ka’b ibn Luejj ibn Galib el Kurshijj el-Adevijj, All-llahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) duke thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për shkak të All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për All-llahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa ai shpërngulja e të cilit është për të fituar disa të mira të kësaj bote ose për t’u martuar me ndonjë femër, i atilli nuk do të fitojë tjetër përveç çka ka pasur për qëllim.” (Muttefekun alejhi) (Këtë hadith e transmetojnë dy imamë muhadithë: Ebu Abdull-llah Muhammed ibn Ismail ibn Ibrahim ibn el-Mugireh el-Buhari dhe Ebu-l-Husejn Muslim ibn el-Haxhxhaxh ibn Muslim el-Kushejrij el-Nejsaburi në dy sahihët e tyre të cilët konsiderohen si dy përmbledhjet më të sakta të shkruara të haditheve)
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Ebu Abdull-llah Xhabir ibn Abdull-llah el-Ensarijj r.a.: “Në një betejë ishim me të Dërguarin e All-llahut (s.a. v.s) me ç’rast na tha: “Vërtet në Medine ka burra të cilët kanë qenë me ju, qoftë kur keni ecur nëpër kodra, qoftë nëpër lugina. Ata i ka penguar sëmundja.” Sipas një transmetimi tjetër: “Ata janë pjesëmarrës me ju në shpërblim.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra Abdurrahman ibn Sahr r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu nuk shikon në trupat tuaj e as në fizionomitë tuaja, por shikon në zemrat tuaja.”
Transmetohet nga Ebu Musa Abdull-llah ibn Kajs el-Esh’arij r.a.: “E kanë pyetur të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për njeriun që lufton për të treguar trimëri dhe që lufton nga urrejtja dhe për sy të botës: Cila prej këtyre (luftërave) është në rrugë të All-llahut?” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kush lufton (me armikun) vetëm për dominim dhe epërsi të Fjalës së All-llahut (fesë së Tij - Islamit), vetëm ai është në rrugë të All-llahut.”
Nga Ebu Bekrete Nufej’i ibn el-Harith eth-Thekafijj transmetohet se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kur të përleshen dy muslimanë me shpatat e tyre (për ta vrarë njëri-tjetrin), edhe vrasësi edhe i vrari janë për Xhehenem.” Atëherë i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, për vrasësin është e qartë, por përse edhe i vrari?” Pejgamberi atëherë përgjigjet: “Sepse edhe i vrari ka dëshiruar ta vrasë shokun e vet.”
Ebu Hurejra r.a. përcjell se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Namazi i njeriut në xhemat është për njëzet e disa shkallë më i vlefshëm se namazi i tij në shtëpinë e tij a diku tjetër. Kush merr abdest në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami duke pasur qëllim të vetëm faljen e namazit në xhemat, dhe duke mos i interesuar asgjë tjetër, për çdo hap të tij i shtohet nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami, e kur të hyjë në xhami, atëherë në namaz është aq sa e ka përfshirë namazi. Secilin prej jush e bekojnë engjëjt. Derisa të gjendet në vendin ku është falur namazi ata thonë: “O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin!” Engjëjt veprojnë kështu derisa njeriu të fillojë t’i mundojë të tjerët, ose ta prishë abdestin në xhami.”
Transmetohet nga Ebu-l-Abbas Abdull-llah ibn Abbas ibn Abdul-Mutalib r.a. nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem se All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtet All-llahu i ka përcaktuar cilat janë veprat e mira e cilat të këqija, pastaj i ka sqaruar ato: Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë, por nuk mund ta kryejë, All-llahu në tërësi do t’ia shkruajë atë vepër si të kryer, kurse nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, All-llahu do t’ia shkruajë dhjetë deri në shtatëqind herë më tepër. Por nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe e nuk e kryen, All-llahu do t’i shkruajë një vepër të mirë në tërësi, kurse nëse dëshiron dhe kryen një vepër të keqe, atëherë All-llahu ia shënon vetëm një vepër të keqe.”
Transmetohet nga Abdurrahman Abdull-llah ibn Umer ibn el-Hattabi r.a.: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle, në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim All-llahun e Madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira.” Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk u kam dhënë të hanë e as të pijnë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve). Një ditë më argëtoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time, e nuk iu erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla, por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t’i trazoj, por edhe që t’i ushqej familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia, klithnin të uritur, por u kam dhënë qumësht pasi prindërit janë zgjuar dhe kanë pirë qumështin që u kisha sjellë. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty e për askë tjetër, atëherë na e largo neve këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo edhe aq sa të mund të dalin! Njeriu i dytë tha: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, - sipas një transmetimi tjetër - e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbretëronte uria e kushërira e dashur më erdhi dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet me mua. Dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë u bëra pronar i saj, - sipas një transmetimi tjetër - kur e përqafova ashtu siç e përqafon burri gruan e tij, ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju All-llahut dhe mos ma merr virgjinitetin pa të drejtë.” Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokë tjetër, e lëshova në liri duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!” Shkëmbi përsëri lëvizi edhe pak nga hyrja e shpellës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj. Njeriu i tretë tha: “O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar, përveç një njeriu i cili u largua para se ta merrte mëditjen. Unë mëditjen e tij pastaj e kam përdorur si duhet dhe pasuria e tij u shumëzua. Pas një kohe rrogtari im më erdhi e më tha: “O robi i Zotit, m’i jep të hollat për mëditjen time të papaguar!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devetë dhe robërit janë prej mëditjes tënde që është shtuar.” Ai tha: “O robi i Zotit, mos u tall me mua!” Unë atëherë i thashë: “Unë nuk po tallem me ty”, pastaj e mori tërë mallin dhe shkoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!” Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëtarët dolën dhe e vazhduan rrugën.”
Nga el-Egarr ibni Jesar el-Muzennij r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O njerëz, drejtojuni All-llahut me teube dhe kërkim për falje, edhe unë i bëj teube All-llahut nga njëqind herë në ditë.”
Ebu Hamza Enes ibni Malik el-Ensarij r.a, shërbëtori i të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., thotë se alejhisselami ka thënë: “All-llahu më tepër gëzohet për pendimin e robit të vet sesa që do të gëzohej ndonjëri prej jush kur do ta gjente devenë e humbur në shkretëtirë, pa ujë dhe fruta.”
Nga Ebu Musa Abdull-llah ibn Kajs el-Esh’arij r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhërishëm gjatë natës e mban të shtrirë Dorën për të pranuar pendimin e mëkatarëve të ditës; dhe e shtrin Dorën gjatë ditës për të pranuar pendimin e mëkatarëve të natës, derisa të lindë Dielli nga perëndimi.”
Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush pendohet para se të lindë Dielli nga perëndimi, All-llahu do ta falë.”
Nga Ebu Seid Sa’d ibn Malik ibn Sinan el-Hudrij r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Moti, para jush, ka qenë një njeri që ka vrarë nëntëdhjete e nëntë vetë. Ka pyetur për njeriun më të dijshëm në botë. Atë e udhëzuan te një rahib (i devotshëm i shkretëtirës - izraelit). Shkon te rahibi e i thotë se ka vrarë 99 veta, andaj a ka për të pendim (teube, mëshirë e Allahut dhe falje). Rahibi i thotë se për te nuk ka teube. Ky e vret edhe rahibin dhe me të i plotëson njëqind të vrarët. Pastaj vazhdon të kërkojë njeriun më të ditur në botë, e udhëzuan te një dijetar. Ky, pasi e gjen, i tregon se ka vrarë 100 njerëz dhe e pyet edhe këtë se a ka për të pendim. Dijetari i tha se edhe për të ka teube: “Po! (Por është shumë larg dhe vështirë) Vrasësi e pyeti: “Sa është largësia mes meje dhe teubes?” Dijetari i tha: “Shko në atë vend dhe në atë vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-llahun edhe ti adhuroje All-llahun me ta dhe mos u kthe kurrë në vendin tënd, sepse është vend i keq.” Njeriu u nis për në vendin e adhurimit të All-llahut dhe kur arriti në gjysmë të rrugës i erdhi vdekja. Atëherë lindi grindja në mes engjëjve të mëshirës dhe engjëjve të dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë: “Ai deri këtu ka ardhur i penduar për mëkatet me zemër të drejtuar nga All-llahu i Madhërishëm.” Kurse engjëjt e dënimit thanë: “Asnjëherë më parë nuk ka bërë mire.” Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë të njeriut e këta e morën për gjykatës, që të gjykojë se cilët kanë të drejtë. Ky u thotë: “Matni në mes dy vendeve, vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve, e më afër cilit vend të jetë, atij vendi dhe i takon.” Engjëjt e matën hapësirën në mes dy vendeve dhe konstatuan se i penduari ishte më afër vendit që synonte (adhurimit), prandaj e morën engjëjt e mëshirës.”
Nga Ibni Abbasi dhe Enes ibni Maliku r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur njeriu të kishte një luginë me arë, do të dëshironte t’i ketë dy lugina (në vend të njërës). Dhe gojën e tij asgjë nuk mund ta mbushë (ngopë) përveç dheut. Atyre që bëjnë teube All-llahu xh.sh. ua pranon.”
Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm qesh (është i kënaqur) me dy njerëz të cilët luftojnë mes vete; e njëri e vret tjetrin dhe të dy hyjnë në Xhenet! Njëri prej tyre lufton në rrugë të All-llahut, vritet dhe hyn në Xhenet, kurse vrasësin e mëshiron All-llahu, e ky e pranon Islamin e pastaj edhe vetë bëhet shehid (vritet në xhihad).”
Nga Ebu Malik el-Harith ibn Asim el-Esh’arij r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Pastërtia është gjysma e imanit (besimit), el-hamdu li-l-lahi (falënderimi All-llahut) ia plotëson (besimtarit) peshojën (e veprave), subhanall-llahi velhamdu li-l-lahi (lavdia dhe falënderimi All-llahut) e mbush gjithçka në mes të qiejve dhe të Tokës, namazi është dritë (e zemrës), sadakaja (lëmosha) është dëshmi (e besimit), durimi (sabri) është shkëlqim, kurse Kur’ani është argument për ty ose kundër teje. Çdo njeri, kur gdhin, shpirtin e vet e shet, e shpëton ose e shkatërron.”
Ebu Seid Sa’d ibni Malik el-Hudrij r.a. transmetohet të ketë thënë: “Një grup njerëzish prej ensarëve kërkoi (sende të ndryshme) nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe ai u dha, ata përsëri kërkuan, e ai prapë u dha çka kërkuan, derisa nuk i mbeti atij asgjë, e kur harxhoi krejt çka kishte iu tha atyre: “Çdo gjë të mirë që kam do t’ju jap, asgjë nuk do të kursej as s’do të mbaj për vete, por kush dëshiron dhe kërkon dëlirësi, All-llahu do t’ia japë e kush kërkon dhe dëshiron pavarësi, All-llahu do ta bëjë të pavarur, të pasur. Kush bën shumë durim, All-llahu do t’i ndihmojë në durim. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e rëndësishme sesa durimi (sabri).”
Nga Ebu Jahja Suhejb ibn Sinani r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për askë tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (All-llahun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër), andaj edhe kjo i sjell dobi.”
Transmetohet nga Ebu Zejd Usame ibn Zejd ibn Hâritheja - rob i liruar i të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., i dashur i tij dhe bir i të dashurit të tij r.a., se ka thënë: “Vajza e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem më dërgoi tek alejhisselami me porosi se djalin e ka të sëmurë për vdekje, që të vijë tek ajo. Pejgamberi e kthen me selam dhe i thotë: “Vërtet, e All-llahut është gjithçka që merr, gjithçka që jep dhe çdo gjë tek Ai është e afatizuar, andaj le të bëjë durim duke llogaritur shpërblim me të tek All-llahu.” Vajza e alejhisselamit e dërgoi përsëri dhe i betohet që të vijë. (Alejhisselami) U ngrit në këmbë, e me të ishin: Sa’d ibn Ubade, Muadh ibn Xhebel, Ubej ibn Ka’b, Zejd ibn Thabit dhe të tjerë radijall-llahu anhum. Kur erdhi Pejgamberi te vajza e tij ia dhanë fëmijën në duar, ky e mori në prehrin e vet, trupi i dridhej ndërsa lotët i rridhnin rrëke. Sa’di i tha: “Ç’është kjo, o i Dërguari i All-llahut? (Pejgamberi) Tha: “Kjo është mëshirë të cilën All-llahu e vendos në zemrat e robërve të Tij.” Kurse sipas një transmetimi tjetër: “Në zemrat e robërve të Tij që Ai dëshiron. Dhe njëmend, All-llahu bën mëshirë ndaj robërve të Tij të mëshirshëm.”
Transmetohet nga Enesi r.a.: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kaloi pranë një gruaje e cila qante mbi një varr dhe i tha: “Frikësoju All-llahut dhe bë durim.” Gruaja i tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka goditur fatkeqësia ime!” Ajo nuk e njihte të Dërguarin. Kur i treguan se ai ishte Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ajo shpejtoi deri te dera e shtëpisë së Pejgamberit dhe, pasi nuk gjeti roje te dera, e hapi derën dhe tha: (O i Dërguari i All-llahut) “Unë ty nuk të kam njohur.” (Pejgamberi) Tha: “Durimi është në goditjen e parë (sepse atëherë është më së vështiri).”