Ebu Hurejra thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet herët dhe shkon në xhami, All-llahu do t’i përgatisë atij banesa në Xhenet, çdo herë që zgjohet herët dhe kur bie vonë.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet në shtëpinë e vet, e pastaj shkon në një shtëpi prej shtëpive të All-llahut (xhami), për ta kryer njërin prej farzeve të All-llahut, për çdo hap që bën i shlyhet një mëkat, ndërsa hapi pas tij ia lartëson gradën.”
Ubejj ibnu Ka’bi tregon se ishte njëri prej Ensarëve, e nuk e di se ndokush ishte më larg se ai prej xhamisë e kishte shtëpinë shumë larg xhamisë, por ai nuk e linte asnjë kohë të namazit pa e falur në xhami. Njerëzit i thonin: “Sikur ta kishe blerë një gomar me të cilin do të udhëtoje deri në xhami dhe anasjelltas, gjatë natës dhe në kohën kur bën vapë e madhe.” Ai u tha: “Unë nuk dëshiroj që shtëpia ime të jetë afër xhamisë, unë dëshiroj që të më shkruhet udhëtimi im në xhami, si dhe të më shkruhet udhëtimi im kur të kthehem tek familja.” I Dërguari i All-llahut tha: “All-llahu të gjitha këto t’i ka bashkuar.”
Xhabiri r.a. thotë: “Hapësira rreth xhamisë në Medine ishte e zbrazët dhe fisi Benu Selime dëshironte të vendosej në afërsi të xhamisë. Për këtë mori vesh Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe u tha: “Jam informuar se ju dëshironi të vendoseni në afërsi të xhamisë?!” Ata iu përgjigjën: “Është e vërtetë, o i Dërguari i All-llahut, ne këtë e dëshirojmë.” Atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u tha: “O Beni Selma, rrini në shtëpitë tuaja, juve do t’ju shkruhet udhëtimi juaj, juve do t'ju shkruhet udhëtimi juaj! Për largësinë në mes shtëpive tuaja dhe xhamisë All-llahu do t'ju shpërblejë.” Ata i thanë: “Ne nuk i gëzoheshim transferimit.”
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se me çfarë All-llahu i shlyen mëkatet dhe me çfarë i lartëson derexhet?” Të pranishmit i thanë: “Gjithsesi dëshirojmë, o i Dërguari i All-llahut.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem atëherë u tha: “Marrja e abdestit edhe kur është vështirë (bën kohë e ftohtë), shkuarja e shpeshtë në xhami, pritja e namazit pas namazit. Kjo është fortifikatë. Kjo është fortifikatë.”
Ebu Hurejra r.a. thotë: “Një njeri i verbër erdhi tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, unë nuk kam udhërrëfyes që më çon deri në xhami.” E luti Pejgamberin s.a. v.s. që ta lirojë nga shkuarja në xhami dhe të falet në shtëpinë e vet. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e liroi nga shkuarja në xhami, dhe pasi ai ia ktheu shpinën, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e thirri dhe i tha: “A e dëgjon ti thirrjen e ezanit për namaz?” Njeriu i verbër u përgjigj: “Po, e dëgjoj!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem atëherë i tha: “Përgjigjju thirrjes!”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur ta dinin se ç’vlerë kanë namazi i jacisë dhe i sabahut, ata do të vinin në xhami rrëshqanas.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka namaz më të rëndë për munafikët (hipokritët) se namazi i sabahut dhe i jacisë, e sikur ta dinin se çka ka në ta, do të vinin në xhemat, në këto dy namaze edhe rrëshqanas.”
Ibnu Umeri r.anhuma thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mua më është urdhëruar që të luftoj me njerëzit (me pabesimtarët), derisa të mos dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij (hyjninë e All-llahut dhe pejgamberinë e Muhammedit), si dhe derisa të mos falin namazin dhe të mos japin zekatin, e kur i kryejnë këto, atëherë gjaku dhe pasuria e tyre janë të sigurta, përveç sipas parimeve islame, ndërsa sa i përket sinqeritetit të tyre është çështje e Perëndisë.” (Muttefekun alejhi)
Muadhi r.a. thotë: “Më dërgoi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në Jemen dhe më tha: “Ti do të shkosh tek populli që është posedues i Librit (ehlul kitab). Thirri ata që të dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij, e nëse binden në këtë, atëherë mësoi ata se All-llahu i ka detyruar me pesë kohë të namazit për çdo ditë dhe natë. Nëse binden në këtë, atëherë mësoi ata se All-llahu i ka detyruar me zekat (lëmoshë), e cila merret prej të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve. Nëse binden në këtë, atëherë ruaju vlerës së pasurisë së tyre, si dhe ruaju mallkimit të të shtypurit, sepse në mes të të shtypurit dhe All-llahut nuk ka perde.”
Xhabiri r.a. thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Në mes njeriut, shirkut dhe kufrit është lënia e namazit.”
Xhabir ibni Semure r.anhuma thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem doli në mes nesh dhe tha: “Pse nuk po i mbushni safat (radhët), ashtu siç radhiten melaqet ke Krijuesi i tyre?” Ne i thamë: “O i Dërguari i All-llahut, po si radhiten melaqet në safe para Krijuesit të tyre?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “I mbushin safet e para dhe i ngushtojnë safet në mes tyre.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur njerëzit ta dinin vlerën e ezanit dhe të safit të parë, ata nuk do të kishin mbetur pa hedhur short se kush do ta thirrë ezanin dhe kush do të ulet në safin e parë.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Safi më i mirë tek meshkujt është safi i parë, ndërsa më i keqi te ta është i fundit. Ndërsa safi më i mirë tek femrat është safi i fundit, kurse më i keqi është safi i parë.”
Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kishte vërejtur se disa as-habë vonoheshin prandaj iu tha atyre: “Kaloni përpara dhe plotësojeni safin e parë, ndërsa safin pas jush le ta plotësojnë ata që vijnë pas jush. Derisa disa njerëz vonohen edhe All-llahu do t’i lërë ata prapa.”
Nu’man ibni Beshiri r.anhuma thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Safet tuaja ose do t’i drejtoni, ose All-llahu do t’jua ndryshojë fytyrat juve.”
Abdull-llah ibni Mugaffel r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ndërmjet dy ezaneve (në mes ezanit dhe ikametit) falet një namaz! Ndërmjet çdo dy ezaneve falet një namaz, ndërmjet dy ezaneve është një namaz.” Kur këtë e tha për të tretën herë, atëherë shtoi: “Për atë që dëshiron.”
Aishja r.anha thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Dy rekatet e namazit të sabahut janë më të dobishme se kjo botë dhe çdo gjë që ka në të.”
Ibnu Umeri r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i falte natën nga dy rekate, ndërsa me një rekat të vitrit e mbaronte nafilen e natës. I falte nga dy rekate sunet para farzit të sabahut, sikur ezanin ta kishte në vesh menjëherë pas ezanit.
Aishja r.anha thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i falte në dhomën time para farzit të drekës nga katër rekate, pastaj dilte dhe falte me xhemat farzin, pastaj prapë hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate sunet. Kur e falte farzin e akshamit me xhemat, hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate sunet. Kur e falte namazin e jacisë, hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate nafile.”