Rijadus-Salihin

1013 hadithe · 305 kapituj

677 hadithe · Të gjithë kapitujt

Nga Aishja r. anha transmetohet të ketë thënë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ngrihej natën (për namaz) aq gjatë, saqë këmbët i patën pëlcitur (nga dhembjet), andaj unë i thashë: “Përse po vepron kështu o i Dërguari i All-llahut, kur t’i ka falur ty All-llahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet?” Ai tha: “A nuk dua që të jem rob falënderues?”

Gabim?

Transmetohet se Aishja r. anha ka thënë: “Kur vinte dhjetëshja (dhjetë ditët e fundit të Ramazanit) i Dërguari i All-llahut s.a.v. se gjallëronte natën (me ibadet), e zgjonte familjën e tij, angazhohej më tepër dhe vetmohej (për ibadet dhe izolim prej grave).”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Besimtari i fortë (në besim) është më i mirë dhe më i dashur tek All-llahu sesa besimtari i dobët dhe te secili ka dobi. Kujdesu për atë që të sjell dobi. Kërko ndihmë nga All-llahu e mos u bë i dobët. Nëse të godet diçka, mos thuaj: “Sikur të veproja kështu, do të ndodhte kjo”, por thuaj: “All-llahu e ka caktuar dhe çka ka dashur Ai ka vepruar. Sepse “lev-i” (sikur të...) e fillon veprimin e djallit.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Xhehenemi është i fshehur dhe i mbuluar me epshe, kurse Xheneti është i fshehur dhe i mbuluar me pakënaqësi.”

Gabim?

Transmetohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen, kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbesin veprat e tij.”

Gabim?

Nga Ebu Abdull-llah - Abdurrahman Thevbáni, shërbëtor (mev-lá) i të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem transmetohet të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Të rekomandoj të bësh shumë sexhde, sepse për secilën sexhde që i bën All-llahut, All-llahu të lartëson nga një shkallë dhe ta shlyen me të nga një mëkat.”

Gabim?

Nga Ebu Mes’ud Ukbe ibn Amr el-Ensarij r.a. transmetohet të ketë thënë: “Pasi u shpall ajeti i sadakasë, ne asokohe punonim si hamej, pastaj erdhi një njeri dhe dha shumë pasuri sadaka. (Të pranishmit) Thanë: “Dëshiron të tregohet”, pastaj erdhi një njeri tjetër dhe dha një tas sadaka. Thanë: “Vërtet All-llahu është i panevojshëm për këtë tas!” Me atë rast u shpall ajeti: “Ata që përgojojnë besimtarët në dhënien vullnetare të kontributeve, madje i përbuzin edhe ata të cilët japin me përpjekje të madhe.” (et-Tewbe, 79)

Gabim?

Nga Seid ibn Abdul-Azizi, nga Rebija ibn Jezidi, nga Ebu Idris el-Havláni, nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade r.a. përcillet se Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem transmeton nga All-llahu i Gjith;fuqishëm, që ka thënë: “O robër të Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar edhe ndër ju, prandaj mos i bëni dhunë njëri-tjetrit. O robër të Mi! Të gjithë ju jeni të lajthitur, përveç atij që e përudh Unë, prandaj kërkoni udhëzime nga Unë, do t’ju përudh. O robër të Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e ushqej Unë, prandaj kërkoni t’ju ushqej, do t’ju ushqej. O robër të Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që e vesh Unë, prandaj kërkoni veshje nga Unë, do t’ju vesh. O robër të Mi! Vërtet ju gaboni natën dhe ditën, kurse Unë i fal të gjitha mëkatet, prandaj kërkoni nga Unë falje, do t’ju fal. O robër të Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini tek ajo me çka do të më shkaktonit Mua dëm, as që ndonjëherë do të arrini tek ajo që Mua dobi do të më sjellë, që të më kontribuonit. O robër të Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ishin të devotshëm si zemra më e devotshme e njërit nga ju, kjo nuk do ta shtonte sundimin Tim në asgjë. O robër të Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit nga ju, kjo nuk do ta pakësonte sundimin Tim në asgjë. O robër të Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ngriheshit (qëndroni) në një vend dhe dëshirat dhe lutjet të m’i drejtoni Mua, dhe Unë t’i përgjigjesha lutjes së çdonjërit, kjo nuk do ta zvogëlonte atë që kam Unë as aq sa mungon gjilpëra kur ngulitet në det. O robër të Mi! Çdo gjë varet nga veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, kurse për të cilat Unë do t’ju shpërblej. Kush gjen mirë, le ta falënderojë All-llahun, kurse kush gjen të kundërtën, mos ta fajësojë askënd përveç vetvetes.”

Gabim?

Transmetohet nga Aishja r. anha se ka thënë: “Pasi u shpall surja En-Nasr (“Kur vjen ndihma e fitorja e All-llahut”), i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk ka falur asnjë namaz e të mos ketë thënë: “Suhbhaneke rabbena ve bi hamdike, All-llahummagfir lî” (Lavdia të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falënderuar. O All-llahu im, më fal)

Gabim?

Transmetohet nga Xhabiri r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Secili njeri do të ringjallet (në Ditën e gjykimit) në gjendjen në të cilën ka vdekur.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade r.a. se ka thënë: “I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, cila është vepra më e mirë?” Tha: “Besimi në All-llahun dhe lufta (xhihadi) në rrugën e Tij.” I thashë: “Cila pasuri është më e mirë?” Ai tha: “Ajo që është më e shtrenjtë dhe më e çmuar.” (Unë) i thashë: “Nëse nuk (mund ta) e jap?” (Pejgamberi) Tha: “Ndihmoji atij që bën mjeshtëri, ose bëji mjeshtëri atij që nuk di mjeshtëri.” Thashë: “O i Dërguari i All-llahut, e çka mendon nëse unë nuk mund të bëj diçka nga dobësia?” (Pejgamberi) tha: “Ruhu mos u bëj keq të tjerëve, e kjo do të jetë sadaka jotja për veten tënde.”

Gabim?

Nga Ebu Dherri r.a. po ashtu transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo mëngjes për çdo nyje (të trupit) tuaj ka sadaka. Çdo tesbih - lavdërim (të shprehurit subhanall-llah) është sadaka; çdo tahmid - falënderim (të shprehurit elhamdu li-l-lah) është sadaka; çdo tekbir - madhërim (të shprehurit All-llahu ekber) është sadaka; urdhëresa për të mirë është sadaka, ndalesa kundër së keqes është sadaka. Krejt këtë e zëvendësojnë dy rekate namaz nafile (vullnetare) të paraditës (duhâ).”

Gabim?

Transmetohet përsëri nga Ebu Dherri r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Më janë paraqitur veprat e umetit tim, të mirat dhe të këqijat. Ndër veprat e tyre të mira e kam gjetur edhe largimin nga rruga të asaj që i mundon kalimtarët. Kurse ndër veprat e tyre të këqija bën pjesë edhe pështyma në xhami e cila, nuk groposet.”

Gabim?

Po ashtu transmetohet nga Ebu Dherri r.a. se disa njerëz kanë thënë: “O i Dërguari i All-llahut, pasanikët na tejkaluan me shpërblime, ata falin namaz si ne, agjërojnë si ne, kurse (përveç kësaj) nga teprica e pasurisë së tyre japin sadaka.” (Pejgamberi) Tha: “A nuk ju ka dhënë All-llahu edhe juve me çka të bëni sadaka? Vërtet, çdo tesbih (lavdërim All-llahut) është sadaka, çdo tekbir (madhërim All-llahun) është sadaka, çdo tahmid (falënderim All-llahun) është sadaka, çdo tehlil (thënia: La ilahe il-lall-llah) është sadaka.” Urdhëresa për të mirë është sadaka, ndalesa kundër së keqes është sadaka, edhe marrëdhënia seksuale (bashkëshortore) është sadaka.” Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i All-llahut, a edhe për epshet e ndonjërit prej nesh ka shpërblim? Tha: “Më thoni, nëse epshin e tij e përdor në haram, a nuk ka për të mëkat? Po ashtu, nëse e përdor në hallall do të ketë shpërblim.”

Gabim?

Përsëri transmetohet nga Ebu Dherri r.a., i cili thotë: “Më tha Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Assesi në asnj mënyrë mos e nënçmo asnjë vepër të mirë, qoftë edhe të takosh vëllanë tënd me buzëqeshje.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur lind dielli, duhet dhënë sadaka. Nëse pajton dy veta, edhe kjo është sadaka, nëse dikujt i ndihmon që të hipë në kafshën e tij, ose i ndihmon që ta ngarkojë barrën në kafshën e tij (kalë ose deve), edhe kjo është sadaka, edhe fjala e mirë është sadaka, çdo hap që bën për të shkuar në namaz është sadaka, edhe largimi nga rruga e asaj që i pengon kalimtarët është sadaka.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush shkon në xhami për namaz në mëngjes ose në mbrëmje, All-llahu për këtë do t’i përgatisë atij gosti (në Xhenet) në mëngjes ose në mbrëmje.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O ju gratë muslimane, asnjëra nga ju mos ta përbuzë shoqen fqinje të saj, qoftë ajo edhe për një thundër deleje.”

Gabim?

Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Imani (besimi) është gjashtëdhjetë e disa a shtatëdhjetë e disa degë. Më e vlefshme është fjala: “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut), kurse më e ulëta është largimi nga rruga e asaj që i mundon kalimtarët. Edhe turpi është një degë e imanit.”

Gabim?

Ebu Hurejra r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një njeri duke udhëtuar në një rrugë e kaplon etje e madhe, e gjen një pus, zbret në të dhe pi ujë. Pastaj del nga pusi dhe has një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë, që ha baltë nga etja. Njeriu thotë: “Këtë qen e paska kapluar etja siç më pat kapluar edhe mua më parë.” Pastaj njeriu zbret në pus dhe mbush këpucën e vet me ujë, pastaj e kap me gojë derisa ngjitet lart dhe i jep të pijë qenit. All-llahu për këtë e shpërblen dhe ia fal mëkatet.” (As’habët i) Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, edhe për kafshët kemi shpërblim?” (Pejgamberi) Tha: “Në gjithçka që ka mëlçi të lagur ka shpërblim.”

Gabim?