Nga Muhammed b. Abbadi transmetohet të ketë thënë: “E kam pyetur Xhabirin r.a.: “A e ka ndaluar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem agjërimin ditën e xhuma?” (Xhabiri ka thënë:) “Po!”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Nga Ebu Hurejrate dhe nga Aishja r. anhuma transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar agjërimin e lidhur (shumëditor – sawmu-l-wisal).
Nga Xheriri r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Robi që ikën nga zotëriu i tij është liruar nga siguria dhe strehimi (i zotëriut të tij).”
Nga Xheriri r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur një rob ikën (nga zotëriu i tij), nga ai nuk pranohet namazi.”
Nga Aishja r.a. transmetohet se Kurejshitët janë mërzitur kur një femër nga Mahzunijjët ka vjedhur diçka dhe kanë thënë: “Kush do t’i flasë për të të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Të tjerët kanë thënë: “Kush tjetër përveç Usame b. Zejdit, mik i ngushtë i të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Usameja foli për të, kurse i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë. “Ti po ndërmjetëson në një prej dispozitave (dënimeve) të All-llahut të Madhëruar?” Pastaj ëshë ngritur, ka këshilluar e pastaj ka thënë: “Vërtet ata para jush janë shkatërruar për shkak se kur një njeri me autoritet ka vjedhur nuk është dënuar, ndërsa kur ka vjedhur një njeri i dobët, ata e dënonin rreptë. Betohem në All-llahun, sikur Fatimja, e bija e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të vidhte diçka, do t’ia preja dorën.” “Fytyra e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pat ndërruar ngjyrën e atëherë ka thënë: “Ti po ndërmjetëson në një dispozitë prej dënimeve të All-llahut, ë?” Usameja ka thënë: “Lutu për falje ndaj meje, o i Dërguari i All-llahut!” Transmetuesi ka thënë: “Pastaj (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.) ka urdhëruar që femrës t’i prihet dora dhe iu pre.”
Nga Nu’man b. Beshiri r. anhuma transmetohet se babai i tij ka shkuar teK i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i ka thënë: “Vërtet unë e kam dalluar veçan këtë birin tim, djaloshin (me një rob).” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A e ke dalluar (me dhuratë) veçan çdo fëmijë tëndin, siç ke bërë me këtë?” Babai im u përgjigj. “Jo!” Atëherë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ktheje atë (dhuratën) nga ai!” Në një transmetim thuhet: I Dërguari i All-llahut ka thënë: “O Beshir, a ke vepruar kështu edhe me fëmijët e tjerë?” Përgjigjet: “Jo!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë. “Frikësojuni All-llahut dhe bëhuni të drejtë ndaj fëmijëve tuaj!” Babai im e ktheu dhuratën që ma pat dhënë, pasi u kthye në shtëpi.” Në një transmetim thuhet: “I Dërguari i All-llahut ka thënë: “O Beshir, a ke ti fëmijë të tjerë përveç këtij?” U përgjigj: “Po!” I Dërguari i All-llahut ka thënë: “A i ke dhuruar ti çdo fëmijes ngjashëm me këtë?” (Beshiri) përgjigjet: “Jo!” Atëherë Pejgamberi i ka thënë: “Atëherë mos më merr mua për dëshmitar, sepse unë nuk do të dëshmoj për të padrejtën (dhunën).” Në një transmetim thuhet: “Mos më merr mua për dëshmitar në të padrejtë!” Në një transmetim thuhet: “Për dëshmitar merr dikë tjetër përveç meje!” Pastaj ka thënë: “A të gëzon ty që të gjithë fëmijët e tu të jenë të barabartë në mirësi?” Beshiri ka thënë se: Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur është ashtu (unë nuk do të jem dëshmitar për ty)!”
Nga Zejneb bint Ebu Selemete r. anhuma transmetohet se ka thënë: “Kam hyrë tek Ummi Habibeja r. anhuma, bashkëshortja e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., kur ka vdekur babai i saj Ebu Sufjan b. Harbi r.a. Ajo kërkoi që robëresha t’i sjellë parfum, në të cilin kishte shafran apo diçka tjetër, e parfumosi me te robëreshën, e pastaj i fërkoi dy faqet e saj dhe pastaj ka thënë: “Për All-llahun, nuk po më nevojitet parfumi, por e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që nga minberi thotë: “Nuk është e lejuar për një femër, që e beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit, të braktisë stolisjen më shumë se tri netë për një të vdekur, përveç për bashkëshortin katër muaj e dhjetë ditë.” Zejnebi më tej thotë: “Pastaj kam hyrë te Zejnebja, e bija e Xhahshit r. anha, kur i vdiq i vëllai, e edhe ajo e kërkoi përfumin dhe me të u fërkua, e pastaj më tha: “Për All-llahun, mua nuk më nevojitet parfumi, por e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë në minber: “Nuk është e lejuar për një femër, që e beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit, ta braktisë stolisjen më shumë se tri ditë, përveç për bashkëshortin e vet katër muaj e dhjetë ditë.”
Nga Enesi r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar që vendasi t’i shesë diçka të huajit, qoftë edhe nëse i huaji është vëlla i tij edhe nga babai dhe nga nëna.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i ndërhyni robit (që të shtyheni ta bleni të njëjtën gjë) derisa nuk e sjell dhe e shtron në treg.”
Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos ia preni rrugën kalorësit dhe vendasi mos t’ua shesë mallin të huajve.” Tavusi i ka thënë atij: “Përse vendasi mos t’i shesë të huajit?” Ai ka thënë: “Sepse i huaji nuk ka ndërmjetës (të njofshëm) që do t’ia garantojë pagesën me rregull.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhëruar te ju pëlqen tri gjëra, por urren tri gjëra. Te ju pëlqen: ta adhuroni Atë, mos t’i bëni shok Atij dhe të mbaheni fuqishëm për litarin e All-llahut të gjithë dhe mos u ndani. Te ju urren: thashethemet, shumë pyetje dhe shpenzimin e tepruar të pasurisë.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet i Dërguari i All-llahut s.a. v.s. ka thënë: “Kujt i ofrohet aroma, mos ta refuzojë, sepse aroma është e lehtë të bartet dhe ka aromë të mirë.”
Nga Ebu Musa r.a. transmetohet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka dëgjuar në njeri duke lëvduar dikë para syve, e Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “E shkatërruat, apo ia thyet shpinën njeriut.”
Nga Ebu Bekrete r.a. transmetohet se një njeri është përmendur tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe një njeri e lëvdoi se është i mirë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mjerë ti, ia ke thyer qafën shokut tënd.” Këtë e ka thënë disa herë. “Nëse dikë është e domosdoshme ta lëvdoni, atëherë ai që lëvdon, le të thotë: Konsideroj se është kësi e kësi, nëse e sheh se ai është i këtillë, kurse All-llahu është njohës i tij. Ai që lavdon dikë të mos flasë, se në raport me All-llahun është i pastër.”
Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se Umeri r.a. ka shkuar në Sham (Damask). Kurse kur ishte në Serga në Siri, e takuan atë komandantët ushtarakë Ebu Ubejde b. Xherrahu dhe shoqëria e tij dhe e njoftuan se në Sham dominon murtaja. Ibni Abbasi ka thënë: “Më ka thënë mua Umeri: “M’i thirr muhaxhirët e parë.” Pasi i thirra, ai ka mbajtur me ata një kuvendim (mushavera) dhe u ka thënë se në Sham mbretëron murtaja dhe këtu u ndanë në mendime. Disa thanë: “Ti je nisur për shkak të një gjëje dhe ne nuk shohim arsye të kthehesh nga rruga.” Të tjerët thanë: Me ty ka shumë njerëz dhe shokë të të Dërguarit të All-llahut dhe ne nuk shohim arsye të shkosh atje ku mbretëron murtaja.” Umeri r.a. ka thënë: “Më lëni tani!” e pastaj ka thënë: “M’i thirr ensaritë!” Pasi i thirra, edhe me ta ka mbajtur kuvendim dhe edhe ata vepruan si muhaxhirët e u ndanë në mendime siç vepruan edhe muhaxhirët. Umeri r.a. ka thënë: “Më lëni tani!” e pastaj ka thënë: “M’i thirr të gjithë njerëzit e vjetër nga Kurejshitët që janë këtu nga muhaxhirët e fet’hit.” Unë i kam thirrur, kurse as dy prej tyre nuk u ndanë në mendime. Të gjithë kanë thënë: “Konsiderojmë që të kthehesh me njerëzit dhe mos t’i çosh në murtajë.” Atëherë Umeri r.a. u komunikoi njerëzve: “Këtu kam gdhirë dhe këtu do të mbesim.” Ebu Ubejde b. Xherrahu r.a. ka thënë: “Vallë, të ikje nga kaderi (caktimi) i All-llahut?” Umeri r.a. ka thënë: “Sikur këtë ta kishte thënë tjetërkush përveç teje, o Ebu Ubejd!” Umeri r.a. nuk dëshironte që dikush t’i kundër-vihej. Ai ka thënë: “Po, ne po ikim nga kaderi i All-llahut në kaderin e All-llahut. Ç’mendon ti, sikur të kishe deve dhe ajo të gjendej në një rrafshinë me dy anë. Njëra anë prej tyre është me bar, kurse tjetra pa bar. A thua ti, nëse do të ruaje anën e frytshme, këtë nuk do të ruaje sipas kaderit të All-llahut, e nëse do ta ruaje anën jo të frytshme, vallë, këtë nuk do të ruaje sipas kaderit të All-llahut? Ibni Abbasi ka thënë: “Erdhi Abdurrahman b. Aufi r.a., i cili qe jo i pranishëm për një punë të tij dhe tha: “Vërtet, unë kam dije për këtë: E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Kur të dëgjoni për murtajën në një vend, atëherë mos shkoni atje, e nëse gjendeni në një vend ku mbretëron murtaja, atëherë mos dilni nga ai për të ikur.” Umeri r.a. e falënderoi All-llahun dhe u kthye.”
Nga Usame r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të dëgjoni se në një vend është paraqitur murtaja, mos shkoni atje! E nëse paraqitet në vendin ku gjendeni, atëherë mos dilni nga ai vend!”
Nga Ummi Selemete r. anha transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ai që shërbehet me enë të argjendtë gjatë pirjes, ai në barkun e tij derdh zjarrin e Xhehenemit.”
Nga Hudhejfe r.a. transmetohet të ketë thënë: “Vërtet Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na ka ndaluar veshjen e mëndafshtë dhe prej kadifesë dhe pirjen nga ena e artë dhe e argjendtë.” Ai ka thënë: “Këto gjëra janë për ta në këtë botë kurse tuajat janë në botën tjetër.”
Nga Enesi r.a. transmetohet të ketë thënë: “Pejgamberi s.a. v.s. e ka ndaluar që meshkujt t’i ngjyrosin rrobat me ngjyrë shafrani.”
Nga Abdull-llah b. Amr b. el-Asi r. anhuma transmetohet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka parë tek unë dy rroba me ngjyrë shafrani dhe më tha: “Nëna jote të ka urdhëruar kështu?” Unë u përgjigja: “Do t’i pastroj.” Ai ka thënë: “Madje, digji!” Në një transmetim ka thënë: “Vërtet këto janë prej rrobave të të pafeve, prandaj mos i vish.”