Ebu Hurejra r.a. po ashtu thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet e kam parë një njeri duke u dëfryer në Xhenet për shkak se kishte prerë një dru që i pengonte muslimanët të kalonin rrugën.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush merr abdest bukur e mirë, pastaj shkon në namaz të xhumasë, atje hesht dhe dëgjon (hutben), i falen mëkatet e bëra mes dy xhumave dhe tri ditë më tepër. Kush argëtohet në xhami me rërë (dhe gjëra të tjera), e ka zhvlerësuar dobinë e xhumasë.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur një rob musliman a besimtar merr abdest, kur e lan fytyrën, prej tij bien të gjitha mëkatet e syve të tij me të cilët ka shikuar, bashkë më ujin ose me pikën e fundit të ujit. Kur t’i lajë duart, i bien të gjitha mëkatet e duarve me ujin ose me pikën e fundit të ujit, derisa të dalë i pastër nga mëkatet. Kur t’i lajë këmbët e tij, i bien të gjitha mëkatet e këmbëve bashkë me ujin ose me pikën e fundit të ujit, ashtu që ai mbetet plotësisht i pastër prej mëkateve.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Pesë namazet, prej njërit deri te tjetri, namazi i xhumasë, prej njërit deri te tjetri dhe prej një ramazani gjer në ramazanin tjetër, janë pastrues të mëkateve në mes tyre, nëse ruheni prej mëkateve të mëdha.”
Transmetohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo vepër e mirë është sadaka.”
Xhabiri r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Asnjë musliman nuk do të mbjellë një fidan e të mos ketë për çdo fryt që hahet prej tij sadaka, e edhe për atë që i vidhet ai ka sadaka, edhe për atë që i humbet ka sadaka.”
Transmetohet nga Adijj ibn Hatim të ketë thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Frikësohuni (ruhuni) nga zjarri, qoftë edhe me gjysmë hurme.”
Transmetohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu është i kënaqur me robin i cili, kur ha diçka, e falënderon All-llahun, e po ashtu edhe kur të pijë diçka e falënderon All-llahun.”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Secili musliman e ka obligim një sadaka.” Iu tha: “E çfarë mendon nëse nuk e gjen?” Tha: “Do të punojë me duart e veta, e shfrytëzon vetveten dhe do të japë sadaka.” Pastaj iu tha: “E nëse nuk mundet?” Tha: “Do t’i ndihmojë të nevojshmit që është i dëmtuar.” Pastaj iu tha: “E çka mendon nëse edhe këtë nuk mundet?” Atëherë (Pejgamberi) tha: “Do të rekomandojë dhe urdhërojë veprat e mira apo të hajrit.” Thanë: “E nëse edhe këtë nuk e bën dot?” Tha: “Do të përmbahet nga e keqja, sepse edhe ajo është sadaka.”
Nga Aishja r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem hyri në dhomën e saj, ku gjendej një grua, dhe i tha: “Kush është kjo?” Tha: “Kjo është filan gruaja, e kryen me kujdes namazin e saj.” (Pejgamberi) Tha: “Mos e obligoni veten se nuk keni mundësi, se pasha All-llahun, Ai nuk mërzitet derisa të mos ju mërzitë juve së tepruarit. All-llahu më së shumti e do devotshmërinë e përhershme tek ai që e kryen.”
Transmetohet nga Enesi r.a.: “Tre njerëz prej të afërmve erdhën në shtëpitë e grave të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe pyetën për ibadetin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pasi morën përgjigje, atyre iu duk se kjo është pak dhe thanë: “Ku jemi ne e ku është Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.? All-llahu atij ia ka falur të gjitha mëkatet e mëparshme dhe ato të ardhshmet.” Njëri prej tyre tha: “Sa më përket mua, unë gjithnjë tërë natën do të falem.” I dyti tha: “Unë vazhdimisht do të agjëroj.” I treti tha: “Unë do të izolohem prej grave dhe kurrë nuk do të martohem.” Kur vjen i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u thotë: “A jeni ju që keni thënë këtë dhe këtë? Sa më përket mua, pasha All-llahun, unë jam më i frikësuari dhe më i devotshmi ndaj All-llahut sesa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe flej, dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Suneti im, ai nuk më përket mua.”
Nga Ibni Mes’udi r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Janë shkatërruar dhe kanë humbur stërholluesit e tekanjozët” (Ata të cilët vetes dhe të tjerëve ua vështirësojnë punët dhe ibadetet aty ku nuk duhet) Këtë e tha tri herë.
Transmetohet nga Enesi r.a.: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka hyrë në xhami, kurse aty ishte një litar i zgjatur në mes dy shtyllave të xhamisë. (Pejgamberi) Tha: “Ç’është ky litar këtu?” (Të pranishmit) Thanë: “Ky litar është i Zejnebes r.a. (njëra nga bashkëshortet e alejhisselamit), kur përgjumet gjatë namazit, ajo mbahet tek ai.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Zgjidheni, secili prej jush le të falet me disponim, e kur të përgjumet, le të bjerë e të flejë.”
Nga Aishja r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush kotet gjatë namazit (nafile), le të flejë gjersa t’i kalojë gjumi. Sepse nëse dikush duke u falur kotet, ai nuk e di nga kthehet dhe çka bën, andaj në vend që të kërkojë falje (istigfar), ai e qorton vetveten (pa vetëdije).”
Transmetohet nga Ebu Rib’ij Handhale ibn Rebi’ el-Usejdijji, një nga shkruesit e të Dërguarit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të ketë thënë: “Më takoi Ebu Bekri r.a. dhe më tha: “Si je, o Handhale?” I thashë: “Handhale ka bërë hipokrizi!” (Ebu Bekri) Tha: “Subhanall-llah (Lavdi i qoftë All-llahut), çfarë po flet?” Unë i thashë: “Ne shkojmë tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i cili na flet për Xhenetin dhe Xhehenemin aq qartë, si t’i shihnim me sytë tanë, ndërsa kur dalim nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ne jepemi pas dëfrimit me gratë, me fëmijët dhe gjëra të tjera dhe harrojmë shumicën nga ajo që dëgjuam.” Ebu Bekri r.a. tha: “Pasha All-llahun, edhe ne veprojmë ashtu!” Pastaj unë dhe Ebu Bekri u nisëm derisa erdhëm tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., kur unë i thashë: “Ka bërë hipokrizi Handhale, o i Dërguari i All-llahut!” I Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Ç’është ajo?” I thashë: “O i Dërguari i All-llahut ne ishim te ti dhe ti na e tërhoqe vërejtjen me Xhehenem dhe Xhenet aq qartë, sikur t’i shihnim me sytë tanë, por kur kemi dalë prej teje, ne e kemi vazhduar dëfrimin me gratë, fëmijët dhe gjërat e tjera të kësaj bote, saqë kemi harruar shumë nga ato që i kemi dëgjuar prej teje.” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Pasha Atë që e zotëron shpirtin tim, sikur të ishit të përhershëm - ashtu siç ishit tek unë, dhe sikur ta përkujtoni vazhdimisht këtë, juve do t’ju përqafonin dhe do t’jua kapnin duart engjëjt në shtratin tuaj dhe në rrugët tuaja, mirëpo o Handhale, orë pas ore!” Këtë e përsëriti tri here.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kini kujdes atë që po ju lë; ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe divergjencave me Pejgamberët e tyre. Kur t’ju ndaloj prej diçkaje, largohuni prej saj, ndërsa kur t’ju urdhëroj për diçka, atë përmbusheni sa të keni mundësi.”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. të ketë thënë: “U dogj një shtëpi në Medine bashkë me njerëzit e saj natën. Kur u informua për rastin e tyre, i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Vërtet zjarri është armik juaji, prandaj, kur të flini, fikeni.”
Transmetohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka urdhëruar që gjatë ngrënies të lëpihen gishtat dhe të fshihet ena me ushqim dhe ka thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bereqeti.”
Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a., i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u ngrit në mesin tonë dhe duke na këshilluar tha: “O njerëz, ju vërtet do të tuboheni tek All-llahu i Madhërishëm të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë sunet: “Ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë do të përsërisim atë (krijim). Ky është premtimi ynë, Ne me të vërtetë mund ta bëjmë këtë” (el-Enbija, 104). Kujdes, krijesa e parë që do të vishet në Ditën e Gjykimit është Ibrahimi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Disa njerëz të umetit tim do të sillen në Ditën e Gjykimit dhe do t’i grabisin të majtët (engjëjt e Xhehenemit), e unë do të them: “O Krijuesi im, këta janë shokët e mi. “Pastaj do të më thuhet: “Ti vërtet nuk e di çfarë kanë bërë ata pas Teje”, kurse unë do të them siç ka thënë robi i mirë (Isai a.s.): “Kam qenë dëshmitar derisa isha në mesin e tyre, e pasi që ma more shpirtin, mbete Ti mbikëqyrës i tyre. Dhe Ti je dëshmitar i çdo sendi. Nëse i dënon, dënon robërit e Tu, e nëse ua fal, me të vërtetë Ti je i Fortë e i Urtë” (el-Maide, 117-118), e pastaj do të më thuhet: “Ata vazhdimisht janë kthyer prapa (janë bërë murted) qysh se je ndarë ti prej tyre.”
Transmetohet nga Aishja r.a., e cila thotë se ka thënë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Kush shpik në fenë tonë atë që nuk është nga ajo, ajo gjë është e refuzuar.”