Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shtëpitë tuaja mos i bëni varreza, se shejtani ikën prej shtëpisë në të cilën lexohet surja el Bekare.”
Enciklopedia e Haditheve · Vlera e sureve dhe ajeteve
Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që i mëson përmendsh dhjetë ajetet e para të sures Kehf, do të jetë i mbrojtur nga (sprova e) Dexhallit.”
Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Atij që i lexon dy ajetet e fundit të sures el Bekare gjatë natës, do t'i mjaftojnë."
Ubej ibën Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë. - “O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete?” - më pyeti sërish. - “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El Bekare, 255) - i thashë. Atëherë me goditi në gjoks dhe më tha: “Për Allahun, e gëzofsh dijen, o Ebu Mundhir!”
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Çdo natë, kur Profeti ﷺ binte në shtrat, i bashkonte shuplakat e duarve dhe frynte në to duke lexuar suret: el Ihlas, el Felek dhe en Nas, e më pas e përshkonte trupin sa kishte mundësi. Fillonte nga koka dhe fytyra duke vazhduar pastaj me pjesën e mbetur. Kështu vepronte tri herë radhazi."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: "Fatihanë e kam ndarë përgjysmë mes Meje dhe robit Tim, e robit Tim i takon ajo që e kërkon. Kur robi thotë: "Elhamdu lil-lahi rabbil-alemin", Allahu i Lartësuar thotë: "Robi Im më falënderoi." Kur thotë: "Err-Rrahmanir-Rrahim", Allahu thotë: "Robi Im më lavdëroi." Kur ai thotë: "Maliki jeumid-din", Allahu thotë: "Robi Im më madhëroi", - një herë pati thënë: "Robi Im më besoi çdo gjë të tij." Kur robi thotë: "Ijjake nabudu ue ijjake nestein", Allahu thotë: "Kjo është mes Meje dhe robit Tim, e robit Tim i takon ajo që e kërkon." Kur robi thotë: "Ihdinas-siratal-mustekim, siratal-ledhine enamte alejhim, gajril-magdubi alejhim, ueled-dal-lin", Allahu thotë: "Kjo i përket robit Tim dhe atij i takon ajo që ka kërkuar.”
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë dëgjoi një person duke e përsëritur disa herë leximin e sures Ihlas (në namaz). Në mëngjes, vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregoi, duke aluduar në shkurtësinë e saj. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, ajo vlen sa një e treta e Kuranit.”
Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: "Më kanë zbritur disa ajete, e që kurrë më herët nuk janë parë sikurse këto. Dy suret kërkimmbrojtëse (el Felek dhe en Nas).”