Nga Abdull-llah b. Amr. b. el-Asi r. anhuma transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Personi tek i cili gjenden këto katër cilësi është hipokrit i mirëfilltë, kurse tek i cili gjendet një prej tyre, ai zotëron cilësi të hipokrizisë derisa nuk e shporr atë: -kur i besohet diçka, tradhton, -kur flet, gënjen, -kur premton, mashtron, dhe -kur është në konflikt, sillet jomoralisht.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj403 hadithe · Të gjithë kapitujt
Nga Ebu Bekrete r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “A dëshironi t’ju njoftoj për mëkatet më të mëdha?” Thamë: “Sigurisht, o i Dërguari i All-llahut!” Ai tha: “T’i shoqërohet diçka All-llahut, keqtrajtimi i prindërve”, meqë atëherë ishte i mbështetur, u ul dhe tha: “A nuk është ajo edhe të folurit e rrejshëm dhe të dëshmuarit e rrejshëm?” Këto fjalë aq i përsëriti, derisa thamë: “Sikur të pushojë t’i përsërisë?”
Nga Ebu Zejd b. Thabit b. ed-Dahhak el-Ensariu r.a., i cili qe nga pjesëmarrësit e Marrëveshjes së Hudejbisë (Bejaturr-rridvanit), transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush përbetohet me be joislame duke gënjyer me qëllim, ajo (beja) është siç ka thënë, kush e vret veten me diçka, me të do të dënohet në Ditën e Gjykimit. Njeriu nuk është i obliguar ta kryejë fjalën e dhënë të pamundur, kurse mallkimi i besimtarit është i ngjashëm me vrasjen e tij.”
Nga Ibni Mes’udi r. anhuma transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:“Ta blasfemosh (shash) muslimanin është mëkat, por ta vrasësh është mosbesim (kufr).”
Nga Abdull-llah b. Amr b. el-Asi r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Musliman i mirëfilltë është ai, nga gjuha dhe duart e të cilit janë të sigurtë muslimanët e tjerë. Dhe muhaxhir i mirëfilltë është ai që largohet nga ajo që All-llahu e ka ndaluar.”
Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia kini zili njëri-tjetrit, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit gjatë zemërimit, as mos i shkëputni marrëdhëniet tuaja dhe bëhuni, robër të All-llahut, vëllezër të mirëfilltë. Për muslimanin nuk është e lejuar të jetojë në zënkë me vëllanë e tij e të mos flasë më tepër se tri ditë.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruanu nga dyshimi, sepse dyshimi është gënjeshtra më e madhe.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se ka thënë: “Një njeri i theksoi të Dërguarit të All-llahut se është mashtruar në blerje. I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Atij që të shet diçka thuaj: La hilabete (nuk ka mashtrim te muslimanët).”
Nga Enesi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i ndërpreni lidhjet reciproke, as mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe bëhuni, o robër të All-llahut, vëllezër të mirëfilltë. Për muslimanin nuk është e lejuar të jetojë në hidhërim me vëllanë e tij më tepër se tri ditë.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të jenë së bashku tre vetë, mos të pëshpërisin dy prej tyre pa të tretin.” Maliku transmeton në “MuVattanë” e tij nga Abdull-llah b. Dinari se ka thënë: “Unë dhe Ibni Umeri kemi qenë te shtëpia e Halid b. Ukbes, e cila ka qenë në treg. Atëherë erdhi një njeri që ka dëshiruar t’i pëshpërisë diçka Ibni Umerit. Pranë nesh nuk kishte njeri tjetër. Ibni Umeri ftoi një njeri tjetër, derisa u bëmë katër vetë. Ibni Umeri mua dhe njeriut të tretë, që e ftoi, i tha: “Ju të dy pritni pak (derisa ky të më pëshpërisë fshehtas), sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Mos të pëshpërisin dy vetë në mes vete pa të tretin.”
Nga Ibni Mes’udi r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të jeni tre vetë, atëherë dy vetë mos të pëshpërisin, pa personin e tretë, deri atëherë kur nuk përziheni me njerëz, që mos të dëshpërohet i treti.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një grua do të dënohet për shkak të maces. E ka mbyllur në shtëpi, derisa ka ngordhur, e për këtë do të hyjë në zjarr. As s'e ka ushqyer, as nuk i ka dhënë ujë kur e ka mbyllur, as nuk e ka lëshuar që të ushqehet vetë me zvarritësit dhe insektet e tokës.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se ai ka kaluar pranë disa djelmoshave nga fisi Kurejsh, të cilët e kishin vendosur një shpend për ta qëlluar dhe e qëllonin me shtiza. Kush nuk e qëllonte, ia jepte shtizën e vet pronarit të shpendit. Kur panë Ibni Umerin, djelmoshat u shpërndanë, kurse Ibni Umeri u tha: “Kush bën kështu? All-llahu e ka mallkuar atë që bën kështu. Vërtet i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka mallkuar çdokë që merr krijesë të gjallë për cak që qëllohet me diçka.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Zvarritja e pagesës së borxhit nga të pasurit është dhunë. Nëse dikush nga ju ndiqet ta paguajë borxhin, por ka mundësi ta paguajë, menjëherë të bindet dhe ta paguajë borxhin.”
Nga Umer b. el-Hattabi r.a. transmetohet se ka thënë: “Ia kam falur një luftëtari në rrugën e All-llahut kalin tim, e ai më pastaj e ka shitur. Kam dëshiruar ta blej, por më është kujtuar se ai po e shet me çmim të veçantë, prandaj e kam pyetur Pejgamberin s.a. v.s., e ai më ka thënë: “Mos e blej, as mos u kthe në sadakanë tënde, edhe nëse ai ta jep për një dirhem. Vërtet ai që kthehet në sadakanë e tij është sikur ai që kthehet në të vjellurit e tij.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni nga shtatë të këqija të mëdha!” (As’habët) kanë thënë: “O i Dërguari All-llahut, cilat janë ato mëkate?” Ka thënë: “T’i bësh All-llahut shok në adhurim, sihri, vrasja e dikujt e që All-llahu e ka ndaluar, përveç me të drejtë, ngrënia e kamatës, pasurisë së bonjakut, ikja nga fushëbeteja dhe shpifja për amoral të besimtares së devotshme dhe të ndershme.”
Nga Xhundub b. Abdull-llah b. Sufjani r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush punon për nam të opinionit, All-llahu do t’ia japë këtë që për të të dëgjohet, dhe kush punon për t’u parë edhe atij All-llahu do t’i japë që të bëhet i njohur tek ata.”
Nga Ebu Seid el-Hudrij r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni nga qëndrimet nëpër rrugë.” (As-habët) kanë thënë: “O i Dërguari i All-llahut, ç’të bëjmë nëse duhet medoemos të takohemi, sepse në rrugë kuvendojmë.” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse nuk mundeni pa, atëherë jepjani të drejtën rrugës.” Ata kanë thënë: “Cila është e drejta e rrugës, o i Dërguari i All-llahut?” Ka thënë: “Të mbyllen sytë (të ulet shikimi), të mos ngacmohet askush, të kthehet selami, të urdhërohet e mira dhe të ndalohet e keqja.”
Nga Ukbete b. Amiri r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni (rreptësisht) nga hyrja te gratë (jo të afërta).” Një njeri nga ensarët ka thënë: “Ç’mendon (o i Dërguari i All-llahut), as si mik, me motive miqësore?” Ka thënë: “Miqësia është sikur vdekja (për femrat).”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar mbajtjen e xhufkës (një xhufkë flokë në majë të kokës, ose para, ose pas kokës, kurse pjesa tjetër të rruhet).”
Nga Esma r. anha transmetohet se një femër e ka pyetur Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe ka thënë: “O i Dërguari i All-llahut, vajzën time e ka goditur lia, prandaj i kanë ra dhe i janë rralluar flokët, kurse unë e kam martuar. Për këtë shkak, a mund t’i vë asaj parukë (flokë të huaja)?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu e ka mallkuar personin që gërsheton dhe personin kujt i gërshetohen flokët (i shtohen flokë të huaja me gërshetim).” Aishja r. anha transmeton hadith të ngjashëm.