Aishja r.anha thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem bënte i’tikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan, derisa ndërroi jetë, pastaj bënin i’tikaf gratë e tij pas vdekjes së tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem..
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Islami ngrihet mbi pesë (shtylla): në dëshmimin se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, në kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën rreth Ka’bes dhe në agjërimin e Ramazanit.”
Nga Ebu Hurejra transmetohet të ketë thënë: I Dërguari i All-llahut na ka mbajtur një hutbe, me ç’rast ka thënë: “O njerëz!, vërtet All-llahu ua ka bërë obligim juve haxhin, prandaj kryjeni.” Një njeri ka thënë: “A për çdo vit, o i Dërguari i All-llahut?” I Dërguari i All-llahut heshti, kurse ai njeri tri herë e përsëriti pyetjen. Atëherë i Dërguari i All-llahut tha: “Sikur të thosha “po”, atëherë sigurisht do të ishte detyrim i domosdoshëm për çdo vit, por ju këtë nuk do të mundni.” Pastaj ka thënë: “Më lini me atë që u kam lënë juve, sepse para jush shumë kanë pësuar për shkak të pyetjeve të shumta dhe për shkak të kundërvënies pejgamberëve të tyre. Kur t’ju urdhëroj diçka, atëherë atë kryejeni, nëse keni mundësi, por kur t’ju ndaloj diçka, atëherë atë lëreni!”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Mëkatet e vogla të bëra ndërmjet dy umreve janë të falura. Kurse për haxhin e pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.”
Nga Aishja r. anha transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën All-llahu liron robër më shumë nga zjarri, se në ditën e Arefatit.”
Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një umre në Ramazan është e barabartë me një haxh apo me një haxh me mua.”
Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se një grua tha: “O i Dërguari i All-llahut, vërtet obligimi i All-llahut ndaj robërve të Tij me haxh, e ka arritur babanë tim plak me pleqëri të thellë, sa nuk mund të qëndrojë në mjetin e tij transportues, prandaj a mund ta kryej unë haxhin për të?” Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Po!”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se ka thënë: Është pyetur i Dërguari i All-llahut, cila vepër është më e vlefshme? Ka thënë: “Besimi në All-llahun dhe në të Dërguarin e Tij.” I është thënë: “Pastaj cila është?” Ka thënë. “Xhihadi në rrugën e All-llahut.” I është thënë: “Pastaj cila është?” Ka thënë: “Haxhi i pranuar.”
Nga Ebu Dherri r.a. transmetohet se ka thënë: I kam thënë: “O i Dërguari i All-llahut, cila vepër është më e vlefshme?” Tha: “Besimi në All-llahun dhe xhihadi në rrugën e All-llahut.”
Nga Enesi r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një ecje e mëngjesit apo një ecje e mbrëmjes në rrugën e All-llahut është më e mirë se bota dhe çdo gjë në të.”
Nga Ebu Se’id el-Hudriju r.a. transmetohet të ketë thënë: Erdhi një njeri te i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe tha: “Cilët njerëz janë më të vlefshëm?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Njeriu më i vlefshëm është besimtari që lufton me vetveten dhe pasurinë e tij në rrugën e All-llahut.” Ai njeriu atëherë ka thënë: “Pastaj kush?” Ka thënë: “Pastaj besimtari që në një prej grykave malore e adhuron All-llahun, duke ikur prej njerëzve me të këqijat e tij.”
Nga Sehl b. sa’di r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Qëndrimi njëditor në rrugën e All-llahut është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të. Një vend i juaj në Xhenet është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të. Qëndrimi njëmbrëmësh apo njëditor i robit në rrugën e All-llahut të Madhëruar është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të.”
Nga Selmani r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Qëndrimi njëditor apo njënatësh në fushëbetejë është më i mirë se agjërimi mujor dhe falja në të. Nëse luftëtari vdes në fushëbetejë, do të shpërblehet për veprat të cilat do t’i bënte gjatë luftës, dhe do të shpërblehet për punën e tij rreth furnizimit dhe do të sigurohet nga sprovat e varrit.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo i plagosur në rrugën e All-llahut do të vijë Ditën e Gjykimit, kurse nga plaga e tij do të rrjedhë gjak. Gjaku i plagës do të jetë në ngjyrë të gjakut kurse aroma e saj do të jetë aroma e miskut.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet të ketë thënë: “I është thënë: “O i Dërguari i All-llahut, ç’është e barabartë me xhihadin në rrugën e All-llahut?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë. “Ju këtë nuk mund ta bëni.” Të pranishmit edhe dy apo tri herë u janë drejtuar me këtë pyetje, kurse Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem çdo herë u përgjigjej duke thënë. “Ju këtë nuk mund ta bëni!” E pastaj ka thënë: “Shembulli i muxhahidit në rrugën e All-llahut është sikur shembulli i agjëruesit dhe falësit i cili në tërësi u nënshtrohet ajeteve të All-llahut, nuk pushon të falet, as të agjërojë derisa nuk kthehet muxhahidi nga rruga e All-llahut.”
Nga Zejd b. Halidi r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e përgatit me përgatitje një luftëtar në rrugën e All-llahut, edhe ai është luftëtar, kurse kush kujdeset dhe e furnizon me të mira familjen e luftëtarit gjatë mungesës së tij, po ashtu është luftëtar.”
Nga Enesi r.a. transmetohet se një djalosh prej fisit Esleme ka thënë: “O i Dërguari i All-llahut, unë vërtet dua të luftoj në rrugën e All-llahut, por nuk kam me çka të përgatitem për luftë.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i ka thënë: “Shko te filani, sepse ai është përgatitur për luftë, por është sëmurë.” Djaloshi erdhi te luftëtari i sëmurë dhe i tha: “Të ka bërë selam i Dërguari i All-llahut dhe ka thënë të më japësh përgatitjen tënde luftarake. Njeriu tha: “Oj filane (shërbëtores vër. përk.), jepja gjithçka që kam përgatitur dhe mos mbaj asgjë. Pasha All-llahun, mos lë asgjë prej tyre, që edhe ti të kesh bereqet në përgatitje.”
Nga Ebu Se’id el-Hudriju r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i ka dërguar mesazh Beni Lahjanit: “Çdo dy veta le të dërgojnë një, kurse shpërblimi u ndahet të dyve.”
Nga Berâ’i r.a. transmetohet të ketë thënë: “Të Dërguarit të All-llahut i erdhi një njeri i armatosur me rroba hekuri, me ç’rast ka thënë: “Të luftoj ose ta pranoj Islamin? Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i ka thënë: “Pranoje Islamin, e pastaj lufto!” Ai e pranoi Islamin, pastaj ka luftuar dhe në fund është vrarë. I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ka punuar pak, kurse do të shpërblehet shumë.”
Nga Abdull-llah b. Amr b. el-Asi r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu do t’i falë shehidit çdo gjë, përveç borxhit.”