Transmetohet nga Kajs ibn Ebu Hazimi të ketë thënë: “Hymë te Habbab ibn el-Eretti r.a. për ta vizituar që u pat djegur me shtatë djegie (vende), e ai tha: “Vërtet shokët tanë, që kanë vdekur, kanë shkuar dhe kjo botë aspak nuk ua ka munguar (shpërblimin), kurse ne kemi grumbulluar aq pasuri sa nuk kemi vend t’i vendosim, përveç në dhé, dhe sikur të mos na kishte ndaluar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që ta dëshirojmë vdekjen, unë do ta dëshiroja.” Pastaj, kur i erdhëm herën tjetër, ai po e ndërtonte një mur për vete dhe tha: “Vërtet, muslimani do të shpërblehet për çdo gjë që e harxhon, përveç atë që e fut në këtë dhe.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj403 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Enesi r.a. se kaloi pranë famijëve dhe u dha selam, pastaj tha: “Kështu ka vepruar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Derisa një njeri me petka të bukura, i kënaqur në vetvete, me flokë të krehura, ecte me mendjemadhësi, në atë çast All-llahu i Madhëruar e fundosi në dhe, ku do të thellohet deri në Ditën e Gjykimit!”
Transmetohet nga Sa’b ibn Xheth-thame r.a. të ketë thënë: “Ia dhurova të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem një gomar të egër, por ai ma ktheu prapë. Kur vërejti (ndryshimin) në fytyrën time tha: “Ne nuk po ta kthejmë për tjetër arsye, por pse e kemi të ndaluar (haram - mbajtjen e kafshëve të egra).”
Aishja r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu është i Butë dhe Ai e do butësinë në të gjitha sendet.”
Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos tmerroni.”
Aishja r.a. thotë: “Asnjëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk ka zgjedhur në mes dy gjërave e të mos ketë zgjedhur më të lehtën, nëse nuk ishte mëkat. Nëse një gjë ishte mëkat, atëherë Pejgamberi s.a. v.s. ishte njeriu më i largët prej saj. I Dërguari i All-llahut asnjëherë nuk i është hakmarrë askujt për vetveten (nuk e ka dënuar askend për vetveten), përveç atëherë kur janë shkelur urdhrat e All-llahut, atëherë është hakmarrë për hir të All-llahut.”
Aishja r.a. tregon se i ka thënë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “A ke pasur në jetën tënde ndonjë ditë më të vështirë se dita e Uhudit?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u përgjigj: “Kur kam shkuar te populli yt, ditën e Akabes, ishte më vështirë. Iu paraqita birit të Abdi Jalile ibnu Abdi Kulale, por ai refuzoi të përgjigjet në atë që dëshiroja. Atëherë vazhdova udhëtimin dhe shenjat e shqetësimit dukeshin në fytyrën time, nuk kam ardhur në vete derisa kam arritur në Karnith-thealibe. Aty e kam ngritur kokën, kur një re mbi mua më bën hije. Kur e kam shikuar atë, kam vërejtur në të Xhibrilin a.s., i cili atëherë thirri dhe më tha: “Vërtet All-llahu i ka dëgjuar fjalët e popullit tënd, dhe e ka parë sulmin e tyre ndaj teje. All-llahu e dërgoi melekun e kodrave që ta urdhërosh të veprojë me ta si të dëshirosh ti.” Atëherë më ka thirrë meleku i kodrave, më ka përshëndetur me selam e pastaj ka thënë: “O Muhammed, vërtet unë jam meleku i kodrave dhe All-llahu më dërgoi te ti që të më urdhërosh të veproj ashtu si dëshiron ti. Nëse ti dëshiron, këto dy kodra do t’i hedh mbi ta.” Atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., ashtu siç tregon Aishja r.a., ka thënë: “Jo. Por, dëshira ime është që All-llahu të falë prej tyre pasardhës, të cilët do ta adhurojnë vetëm All-llahun xh.sh. dhe nuk do t’i bëjnë Atij shok tjetër.”
Ibnu Mes’udi r.a. thotë: “Sikur jam duke e parë të Dërguarin e All-llahut duke treguar për një Pejgamber prej Pejgamberëve, mbi të gjithë qoftë paqja dhe shpëtimi i Zotit, se si e kishte rrahur populli i vet, derisa i kishte rrjedhur gjaku. Dhe ai, duke e fshirë gjakun prej fytyrës, thonte: “O Zoti im, falja popullit tim, sepse vërtet ata nuk dine.”
Ebu Mes’ud Ukbe bin Amr El-Bedri r.a. thotë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe tha: “Unë e vonoj faljen e namazit të sabahut për shkak të njërit që e zgjat tepër namazin!” Ebu Mes’udi pastaj tregon: “Unë asnjëherë më parë nuk e kisha parë Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjatë dhënies së këshillave më të hidhëruar se atë ditë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pastaj iu kthye të pranishmëve dhe u tha: “O ju njerëz, vërtet disa prej jush i largojnë të tjerët. Prandaj, ai i cili prej jush iu prin të tjerëve le ta shkurtojë namazin, sepse pas tij është plaku, fëmija si dhe ai që ka nevojë për diçka tjetër.”
Aishja r.a. thotë: “Erdhi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem prej një udhëtimi, dhe unë e kisha mbuluar një dollap me një perde, në të cilin kishte figura. Kur e pa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e bëri atë copë-copë dhe iu skuq fytyra (nga hidhërimi) dhe tha: “Oj Aishe, dënimi më i ashpër i All-llahut Ditën e Gjykimit do të jetë për ata të cilët i imitojnë krijesat e All-llahut.”
Aishja r.a. përsëri thotë: “Kurejshitët ishin tepër të shqetësuar për shkak të rastit të gruas nga fisi El-Mahzumi, e cila kishte vjedhur, e pastaj kishin thënë: “Kush do t’i flasë për këtë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Pastaj thanë: “Kush do të ketë guxim ta bëjë këtë përveç Usame ibnu Zejdit, i cili ishte i dashuri i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.” Usameje shkoi tek i Dërguari i All-llahut dhe i tregoi se ka ardhur të ndërmjetësojë për rastin e asaj gruaje. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Ti po ndërmjetëson që të mos zbatohet një dënim prej dënimeve të All-llahut?” Pastaj Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u ngrit në këmbë dhe filloi të flasë, ku përveç të tjerash tha: “Ata të cilët ishin para jush pësuan për arsye se, kur në mesin e tyre vidhte ndonjë fisnik (i pasur), e linin, nuk e dënonin, ndërsa kur vidhte ndonjë i dobët (i varfër) e zbatonin mbi të dënimin! Betohem me All-llahun që sikur të vidhte Fatimeja, e bija e Muhammedit, unë sigurisht do t’ia preja dorën.”
Enesi r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka parë një pështymë (në tokë) në drejtim të kibles dhe kjo gjë e nevrikosi aq shumë, saqë kjo u vërejt në fytyrën e tij, u ngrit dhe e fshiu me dorën e vet, e pastaj tha: “Vërtet çdonjëri prej jush, kur çohet për të falur namazin, atëherë është duke folur me Krijuesin e vet dhe Zoti i tij është në mes tij dhe Kibles, për atë nuk lejohet që askush prej jush të pështyjë në drejtim të Kibles, por mund të pështyjë në të majtë, apo nën këmbët e tij.” Pastaj mori një skaj të mbulesës së tij dhe pështyu në të, e paloi njërën anë me tjetrën dhe tha: “Apo le të veprojë në këtë mënyrë.”
Ibni Umeri r.a. thotë: “Kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për kopenë e vet. Imami është bari dhe do të pyetet për kopenë e tij. Burri është bari në shtëpinë e vet dhe ai do të pyetet për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit dhe ajo do të pyetet për kopenë e saj, edhe shërbëtori është bari në pasurinë e zotërisë së tij dhe ai do të pyetet për ate që e ka ruajtur. Të gjithë ju jeni barinj dhe do të përgjigjeni për atë që keni ruajtur.”
Ebu Ja’la Ma’kil bin Jesari thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Atë rob që All-llahu e cakton për ruajtjen e një kopeje dhe ai vdes duke e tradhtuar kopenë e tij, All-llahu xh.sh. ia ndalon atij hyrjen në Xhenet.” Në një rivajet të Muslimit thuhet: “Çdo prijës, që është përgjegjës për çështjet e muslimanëve dhe nuk mundohet për ta dhe nuk i këshillon ata, nuk do të hyjë me ta në Xhenet.”
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Beni Israilët udhëhiqeshin nga Pejgamberët, posa vdiste një Pejgamber, menjëherë vinte në vend të tij tjetri. Pas meje nuk ka Pejgamber tjetër. Por, do të ketë hulefa (pasardhës) të shumtë.” Shokët i thanë: “O i Dërguar i All-llahut çka na urdhëron? Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u përgjigj: “Përmbusheni urdhrin e të parit, pastaj të tjerëve jepjuni hakun e tyre dhe pastaj luteni All-llahun për halifen tuaj. Vërtet All-llahu do t’i pyesë për të gjitha ato gjëra për të cilat kanë qenë mbikëqyrës.”
Nga Aidh ibni Amr tregohet se ka shkuar te Ubejdullah ibni Zijadi, dhe i ka thënë: “O biri im, unë e kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Vërtet bariu më i keq është ‘hutameja’ (që sillet vrazhdë e pa mëshirë me kopenë e vet), prandaj ruhu të mos bëhesh i tillë!”
Ibni Abbasi r.anhuma tregon se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush urren diçka nga prijësit e vet, le të durojë, sepse ai i cili largohet nga sulltani (udhëheqësi) i vet vetëm për një pëllëmbë, do të vdes me vdekje injoranti.”
Nga Ebu Seid Abdurrahman bin Semura r.a. thuhet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O Abdurrahman, i biri i Semurinit, mos kërko vende udhëheqëse. Nëse vjen deri te vendi udhëheqës pa e kërkuar atë, atëherë do të jesh i ndihmuar, ndërsa nëse në vend udhëheqës vjen duke e kërkuar pozitën vetë, atëherë ti vetë je garant për të. Nëse betohesh në diçka, por e sheh se tjetra është më e mirë se ajo për të cilën je betuar, atëherë bë atë që është më e mirë, e për betimin tënd të dhënë më parë jep keffaret (i paraparë për betim).”
Nga Ebu Musa El-Esh’ariu r.a. thuhet: “Hyra te Pejgamberi s.a. v.s. unë dhe dy kushërinjtë e mi. Njëri prej tyre i tha: “O i Dërguari i All-llahut, më emëro udhëheqës në atë që All-llahu ta ka dhënë të sundosh mbi të.” Tjetri tha të njëjtën gjë si i pari. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pastaj u tha: “Betohem në All-llahun se ne nuk vendosim në pozitat udhëheqëse (vali) asnjë person që e kërkon atë, ose atë që e lakmon pozitën.”