Transmetohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-Asi r.a. se një njeri e pyeti të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Cili Islam është më i mirë? Tha: “Ta ushqesh tjetrin dhe t’i japësh selam të njohurit e të panjohurit.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj513 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-’As r.a. (po ashtu) se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ekzistojnë dyzet (40) mirësi; më e larta është t’i jepet dikujt dhia (që të shërbehet me qumështin e saj e pastaj t’ia kthejë). Kushdo që e bën një prej këtyre mirësive, duke shpresuar shpërblim dhe me besim në të premtuarën (e All-llahut), All-llahu i Madhëruar për të do ta dërgojë në Xhenet.”
Transmetohet nga Esma, bija e Ebu Bekër es-Siddikut r.a., se ka thënë: “Më ka thënë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Mos u bëj koprrace, pastaj All-llahu ashtu vepron ndaj teje.” Në një transmetim tjetër: “Shpenzo, ndihmoju të tjerëve apo flijo dhe mos regjistro (çka bëjnë të tjerët), pastaj edhe për ty t'i regjistron All-llahu. Mos mbaj mend (çka punojnë ose flasin), se pastaj edhe All-llahu vepron ndaj teje ashtu.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ushqimi i përgatitur për dy është i mjaftueshëm edhe për tre, kurse ushqimi i përgatitur për tre mjafton për katër.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se të varfrit e muhaxhirëve erdhën tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i thanë: “Pasanikët na i morën gradat e larta dhe shpërblimin e përhershëm!” (Pejgam-beri) Tha: “Ç’është ajo?” Ata thanë: “Ata falin namaz si ne, agjërojnë si ne, ata ndajnë sadaka, kurse ne nuk mundemi, ata lirojnë robër, kurse ne nuk mundemi.” Atëherë i Dërguari i All-llahut s.a. v.s. u tha: “A doni t’ju mësoj diçka me çka do t’i arrini ata që ju kanë kaluar dhe do t’i tejkaloni ata që janë pas jush dhe nuk do të jetë askush më i vlefshëm se ju, përveç atij që vepron sikur ju?” Thanë: “Gjithsesi, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Shqiptoni tesbih (subhanall-llah, Lavdi All-llahut), tekbir (All-llahu ekber: All-llahu është më i Madhi) dhe tahmid (Elhamduli-l-lah: Falënderimi All-llahut) pas çdo namazi nga 33 herë.” (Pas një kohe) U kthyen tek i Dërguari i All-llahut të varfrit e muhaxhirëve dhe i thanë: “Kanë dëgjuar vëllezërit tanë pasanikë se ç’po veprojmë dhe ata po bëjnë të njëjtën!” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Ajo është prej shpërblimit të All-llahut, që ia jep kujt të dojë.”
Transmetohet nga Ibni Umeri r.a. se ka thënë: “Më kapi i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për krahu dhe më tha: “Jeto në këtë botë si të jesh i huaj ose udhëtar.” Kurse vetë Ibni Umeri r.a. thonte: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin, kurse kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. Derisa je i shëndoshë, përgatitu për sëmundje, kurse gjatë jetës, përgatitu për vdekje.”
Transmetohet nga Enesi r.a. të ketë thënë: “Pejgamberi s.a. v.s. i bëri disa vija, pastaj tha: “Këto (vija) janë shpresa e njeriut (për jetë të gjatë), kurse kjo është exheli. Pastaj duke qenë ashtu në këtë gjendje, e bëri një vijë edhe më të shkurtër.”
Transmetohet nga Kajs ibn Ebu Hazimi të ketë thënë: “Hymë te Habbab ibn el-Eretti r.a. për ta vizituar që u pat djegur me shtatë djegie (vende), e ai tha: “Vërtet shokët tanë, që kanë vdekur, kanë shkuar dhe kjo botë aspak nuk ua ka munguar (shpërblimin), kurse ne kemi grumbulluar aq pasuri sa nuk kemi vend t’i vendosim, përveç në dhé, dhe sikur të mos na kishte ndaluar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që ta dëshirojmë vdekjen, unë do ta dëshiroja.” Pastaj, kur i erdhëm herën tjetër, ai po e ndërtonte një mur për vete dhe tha: “Vërtet, muslimani do të shpërblehet për çdo gjë që e harxhon, përveç atë që e fut në këtë dhe.”
Transmetohet nga Ebu Sirvea Ukbe ibn el-Harithi r.a. se ai u martua me vajzën e Ebu Ihab ibn Azizit, pastaj erdhi një grua dhe i tha: “Unë i kam dhënë gji Ukbës dhe asaj me të cilën është martuar.” Ukbeja i tha asaj: “Unë nuk e di se ti më ke dhënë gji, e as që ti më ke informuar për këtë.” Pastaj i hipi (kafshës për hipje) dhe erdhi në Medine tek i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe e pyeti. I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Si jo, pasi që është thënë!” Pastaj Ukbe e shkurorëzoi atë dhe ajo u martua me tjetër burrë.”
Transmetohet nga Ebu Se’id el-Hudrij r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Së shpejti do të vijë koha kur muslimanit do t’i jenë pasuria më e mirë delet me të cilat do të shkojë nëpër majë të bjeshkëve dhe pas rrjedhave të ujit, duke ikur me fenë e tij nga sprovat e ndryshme.”
Transmetohet nga Enesi r.a. se kaloi pranë famijëve dhe u dha selam, pastaj tha: “Kështu ka vepruar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.”
Transmetohet nga Enesi r.a. se ka thënë: “Sikur ndonjë robëreshë e Medinës të kërkonte nga Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. (ndonjë ndihmë a shërbim), do të shkonte për të ku të dojë (ajo).”
Transmetohet nga el-Esved ibn Jezid se ka thënë. “Është pyetur Aishja r.a. se ç’bënte Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në shtëpi? Tha: “Ka qenë gjithmonë në ndihmë të familjes, kurse kur vinte koha e namazit, shkonte në namaz.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Derisa një njeri me petka të bukura, i kënaqur në vetvete, me flokë të krehura, ecte me mendjemadhësi, në atë çast All-llahu i Madhëruar e fundosi në dhe, ku do të thellohet deri në Ditën e Gjykimit!”
Transmetohet nga Sa’b ibn Xheth-thame r.a. të ketë thënë: “Ia dhurova të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem një gomar të egër, por ai ma ktheu prapë. Kur vërejti (ndryshimin) në fytyrën time tha: “Ne nuk po ta kthejmë për tjetër arsye, por pse e kemi të ndaluar (haram - mbajtjen e kafshëve të egra).”
Aishja r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu është i Butë dhe Ai e do butësinë në të gjitha sendet.”
Ebu Hurejra r.a. thotë: “Një beduin arab hyri në xhami dhe filloi ta kryejë nevojën e vogël. Njerëzit u çuan në këmbë që ta sulmojnë për këtë vepër të tij, ndërsa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Lëreni, e në vendin e urinës së tij hidhni një kovë me ujë ose një kusi me ujë. Vërtet ju jeni dërguar për lehtësim e jo për vështirësim (komplikim).”
Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos tmerroni.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se një njeri i ka thënë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Më këshillo!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i tha: “Mos u hidhëro!” Njeriu këtë e përsëriti disa herë për këshillë, por Pejgamberi s.a. v.s. çdo herë ia përsëriste: “Mos u hidhëro!”
Aishja r.a. thotë: “Asnjëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk ka zgjedhur në mes dy gjërave e të mos ketë zgjedhur më të lehtën, nëse nuk ishte mëkat. Nëse një gjë ishte mëkat, atëherë Pejgamberi s.a. v.s. ishte njeriu më i largët prej saj. I Dërguari i All-llahut asnjëherë nuk i është hakmarrë askujt për vetveten (nuk e ka dënuar askend për vetveten), përveç atëherë kur janë shkelur urdhrat e All-llahut, atëherë është hakmarrë për hir të All-llahut.”