Rijadus-Salihin

1013 hadithe · 305 kapituj

513 hadithe · Të gjithë kapitujt

Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra r.anhuma përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çkado që e godet muslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e ferrës, me secilën prej këtyre All-llahu ia shlyen mëkatet atij.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kujt dëshiron All-llahu t'i japë të mira, do të qëllohet nga Ai (në trup, në pasuri, apo në të dashurit).”

Gabim?

Nga Enesi r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Assesi askush prej jush mos ta dëshirojë vdekjen e vet për shkak se e ka goditur ndonjë e keqe. E nëse është i detyruar, atëherë le të thotë: “O Zoti im, më le të jetoj derisa të jetë për mua jeta më e dobishme, kurse më vdis kur të jetë vdekja për mua më e dobishme.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Abdull-llah Habbab ibn el-Eret'ti r.a.: “Iu ankuam të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. (për persekutimet nga mushrikët) derisa ai ishte i mbështetur nën hije të Qa’bës në burdën e tij, që e kishte bërë jastëk, e ne i thamë: “A nuk do të na ndihmosh, a nuk do të na bësh lutje (dua)?” Ai na tha: “Më parë (para jush), për shkak të fesë e merrnin njeriun, ia hapnin një gropë, e vendosnin në të, e pastaj e merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë dhe e përgjysmonin, pastaj ia rrjepnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Pasha All-llahun, All-llahu do ta plotësojë këtë fe ashtu që kalorësi do të shkojë prej Sanasë deri në Hadramevt e nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç prej All-llahut dhe prej ujkut për kopenë e vet, mirëpo ju po nguteni (nuk jeni durimtarë).”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk është trimëri në dyluftim (mundje), por trimëri është ta përmbash veten nga zemërimi.”

Gabim?

Nga Sulejman ibn Suredi r.a. përcillet të ketë thënë:”Isha ulur me Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kurse dy njerëz shaheshin ndërmjet veti. Njëri prej tyre u skuq prej zemërimit dhe iu frynë damarët e qafës. I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Vërtet unë e di një fjalë që nëse e thotë, do t'i kalojë ajo që e ka gjetur. Nëse thotë: “E udhu bi-l-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim (I mbështetëm All-llahut nga djalli i mallkuar), do t’i kalojë ajo që e ka kapluar.” Të pranishmit i thanë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë që t’i mbështetesh All-llahut nga djalli i mallkuar.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet: “Një njeri i tha të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Më porosit diçka (më përudhë).” I Dërguari tha : “Mos u zemëro!” Ky e përsëriti pyetjen disa herë. I Dërguari sërish tha: “Mos u zemëro!”

Gabim?

Nga Ebu Ibrahim Abdull-llah ibn Ebi Evfa r.anhuma përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në një prej ditëve kur priste takimin me armikun deri në fillim të perëndimit të diellit, u ngrit dhe u tha të pranishmëve: “O njerëz, mos e dëshironi përleshjen me armikun, luteni All-llahun për shëndet, por, kur të përlesheni me armikun atëherë bëhuni të qëndrueshëm dhe dijeni se Xheneti është nën hije të shpatave.” Pastaj Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “O Zoti im, që je Shpallës i Librit, Lëvizës i reve, Mundës i aleatëve (në luftën e Hendekut), mundi ata dhe neve na ndihmo ndaj tyre!”

Gabim?

Nga Ibni Mes’udi r.a. përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sinqeriteti (sidk) shpie në mirësi, kurse mirësia shpie në Xhenet. Vërtet njeriu i cili vazhdimisht është i sinqertë (në besim dhe në të folur), tek All-llahu shkruhet besimtar i vërtetë (siddik). Gënjeshtra shpie në prishje (morale), kurse prishja shpie në Xhehenem. Njeriu që gënjen vazhdimisht, më në fund tek All-llahu shkruhet si gënjeshtar i madh.”

Gabim?

Transmetohet nga Enesi r.a. të ketë thënë: “Vërtet ju i bëni disa punë të cilat në sytë tuaj janë më të vogla se qimja e flokut, kurse ne në kohën e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i numëronim dhe i konsideronim prej gabimeve (mëkateve) më të mëdha.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhëruar xhelozon (nuk duron në asgjë shok). Xhelozia (mosdurimi i zënies shok) i All-llahut është kur njeriu i bën ato vepra të cilat All-llahu i ka ndaluar.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Tre njerëz nga Beni Israilët, All-llahu xh.sh. dëshiroi t’i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan kurse i treti i verbër. All-llahu ua dërgoi një engjëll, i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” Tha: “Më së shumti do të dëshiroja të kem ngjyrë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit.” Engjëlli e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj engjëlli) Tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” Tha: “Devetë - ose lopët” (nuk i kujtohet saktë transmetuesit), ai ia jep një deve barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (Qelani) Tha: “Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” “Engjëlli e fërkon dhe ai shërohet e i jepen flokë të bukur. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” (Qelani) Tha: “Lopët.” Engjëlli ia jep një lopë barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me te.” Engjëlli i shkon të verbërit e i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (I verbëri) Tha: “Të ma kthejë All-llahu të parët, që t’i shoh njerëzit.” Engjëlli e fërkon dhe All-llahu ia kthen të parët. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri e dëshiron më së shumëti?” (I verbëri) Tha: “Dhentë!” Engjëlli ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit, kështu që njëri (zgjebani) bëri një luginë me deve, i dyti (qelani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbëri) bëri një luginë me dele. Pas kësaj engjëlli i vjen zgjebanit në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë: “Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti, andaj po të lutem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta vazhdoj rrugën.” (Ish zgjebani, tani pasanik) Tha: “Jo, unë kam shumë obligime (borxhe).” (Engjëlli) I tha: “Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin All-llahu e ka pasuruar?” Tha: “Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e mëdhenj.” (Engjëlli i) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!” Engjëlli pastaj i shkon qelanit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme, e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i përgjigjet ashtu siç iu pat përgjigjur zgjebani. (Engjëlli) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!” Pastaj engjëlli i shkon ish të verbërit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme, dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer të parët, më jep një dele, që (të ndihmohem me te e) të vazhdoj rrugën.” (Ish i verbri) Tha: “Vërtet unë kam qenë i verbër, por All-llahu ma ka kthyer të parët. Merr vëlla çka të duash dhe lër çka të duash! Pasha All-llahun, asgjë sot nuk të ndaloj të marrësh në emër të All-llahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. (Engjëlli) Tha: “Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të sprovuar. All-llahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. që thotë se e kanë pyetur Pejgamberin: “O i Dërguari i All-llahut, cili është njeriu më i ndershëm?” (Pejgamberi) Tha: “Ai që është më i devotshëm.” (Të pranishmit i) Thanë: “Nuk të pyetëm për këtë.” (Pejgamberi) Tha: “Jusufi është Pejgamber i All-llahut, bir i Pejgamberit të All-llahut, bir i Pejgamber të All-llahut, bir i mikut (halilit) të All-llahut.” Thanë: “Ne as për këtë nuk të pyetëm!” (Pejgamberi) Tha: “Atëherë për të parët e arabëve po më pyetni? Ata të cilët kanë qenë të zgjedhur në xhahilijjet janë të zgjedhur edhe në Islam, vetëm nëse janë që kuptojnë (njohës të dispozitave fetare).”

Gabim?

Transmetohet nga Ibni Abbasi r. anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O Zoti im, Ty të jam dorëzuar, Ty të kam besuar, te Ti jam mbështetur, te Ti jam kthyer dhe në emër Tënd i luftoj (armiqtë e fesë). O Zoti im, i mbështetem madhërisë Tënde, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, të më ruash nga lajthitja. Ti je i Gjallë që nuk vdes, kurse xhinnët dhe njerëzit vdesin.”

Gabim?

Transmetohet po ashtu nga Ibni Abbasi r.a. se ka thënë: “Hasbunall-llahu ve ni’me-l-vekil” (Na mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbrojtës). Këtë shprehje e ka thënë Ibrahimi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kur e kanë hedhur në zjarr. E ka thënë Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kur (armiqtë) i kanë thënë: “Vërtet njerëzit (armiqtë tuaj) kanë tubuar grumbull të madh kundër jush, andaj frikësohuni. Përkundrazi, kjo ua shtoi e ua forcoi besimin (besimtarëve) dhe thanë: “Hasbunall-llahu ve ni’me-l-vekil” (Na mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbrojtës).”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Umarete el-Berá ibn Azibi r. anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O filan, kur të biesh në shtratin tënd thuaj: “O Zoti im, shpirtin tim ta dorëzova Ty, fytyrën time e drejtova nga Ti, çështjen time ta dorëzova Ty, shpinën time e mbështeta te Ti - duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar nga Ti, nuk ka nga Ti vendstrehim as vendshpëtim përveç te Ti. Kam besuar në Librin Tënd, të cilin e ke shpallur, dhe në Pejgamberin Tënd që e ke dërguar.” Nëse vdes atë natë, do të vdesësh me iman, e nëse gdhihesh, atëherë (gdhihesh) i shpërblyer me mirësi.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, cila sadaka e ka shpërblimin më të madh?” Tha: “Të japësh sadaka kur të jesh i shëndoshë e koprrac, e frikësohesh nga varfëria, dhe e dëshiron pasurinë. Mos e vono këtë gjer kur të vije shpirti në fyt, e atëherë të thuash: “Jepjani këtë atij dhe këtë atij tjetrit, ndërsa kjo qysh më herët ka qenë e tij.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Kushdo që tregon armiqësi ndaj mikut (velij) Tim, unë do t’i shpall luftë. Me asgjë robi Im nuk mund të më afrohet më mirë,vet;m se me atë me çfarë Unë e kam obliguar dhe vazhdimisht robi Im më afrohet me vepra të mira (nafile), derisa ta dua, e kur ta dua, Unë bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon; syri i tij me të cilin sheh; dora e tij me të cilën sulmon fuqishëm; këmba e tij me të cilën ecën. I këtilli nëse më kërkon diçka, do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.”

Gabim?

Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i është përcjellur nga Krijuesi i tij i Madhërishëm i Cili ka thënë: “Kur të më afrohet robi Mua një pëllëmbë, Unë atij i afrohem një llërë; kurse nëse ai Mua më afrohet një llërë, Unë atij i afrohem një pash, dhe kur të më vijë duke ecur, Unë i shkoj atij duke vrapuar.”

Gabim?

Transmetohet nga Ibni Abbasi r. anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Në dy begati janë të mashtruar shumica e njerëzve, e ato janë: shëndeti dhe koha e lire.”

Gabim?