Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet feja është lehtësi, kushdo që e vështirëson fenë (me shtesa), ajo e ngadhënjen atë (duke e kthyer në gjendje normale). Andaj drejtohuni, afrohuni (njëri me tjetrin), bëhuni të gëzuar, shfrytëzoni dhe ndihmohuni me ecje të mëngjesit, të mbrëmjes dhe të pasdarkës (shfrytëzoni lehtësimet fetare në ibadete).”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj513 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Enesi r.a.: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka hyrë në xhami, kurse aty ishte një litar i zgjatur në mes dy shtyllave të xhamisë. (Pejgamberi) Tha: “Ç’është ky litar këtu?” (Të pranishmit) Thanë: “Ky litar është i Zejnebes r.a. (njëra nga bashkëshortet e alejhisselamit), kur përgjumet gjatë namazit, ajo mbahet tek ai.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Zgjidheni, secili prej jush le të falet me disponim, e kur të përgjumet, le të bjerë e të flejë.”
Nga Aishja r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush kotet gjatë namazit (nafile), le të flejë gjersa t’i kalojë gjumi. Sepse nëse dikush duke u falur kotet, ai nuk e di nga kthehet dhe çka bën, andaj në vend që të kërkojë falje (istigfar), ai e qorton vetveten (pa vetëdije).”
Transmetohet nga Ebu Xhuhajfe Vehb ibn Abdull-llah r.a., i cili ka thënë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e vëllazëroi Selmanin me Ebu Derdâ-në r.a. Një ditë Selmani i shkoi për vizitë Ebu Derdasë dhe kur e sheh nënën e Derdasë të veshur thjesht i thotë: “Ç’është puna jote?” (Ajo) Tha: “Vëllai yt, Ebu Derda nuk ka dëshirë për gjërat e kësaj bote.” Pastaj vjen Ebu Derda, i përgatit ushqim vëllait të vet dhe i thotë: “Ti ha, kurse unë jam duke agjëruar.” (Selmani) Tha: “Unë nuk do të ha derisa edhe ti të hash me mua.” Kur erdhi nata, Ebu Derda u ngrit për të falur namaz (nafile), kurse Selmani i tha: “Bjer dhe fli.” Ebu Derda ra të flejë, pastaj së shpejti u zgjua të falet. Selmani prapë thotë: “Bjer dhe fli!” Kur nata ishte në përfundim Selmani i tha Ebu Derdasë: “Tash zgjohu!” Pasi e falën sabahun, Selmani i thotë vëllait të vet: “Ti vërtet ke detyra ndaj Krijuesit tënd, ke detyra ndaj vetvetes dhe ke detyra edhe ndaj familjes tënde. Jepja dhe plotësoja secilit të drejtën e tij.” Pastaj shkon te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe ia rrëfen ngjarjen. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Selmani ka thënë (dhe vepruar) të drejtën.”
Nga Ibni Abbasi r.a. transmetohet se ka thënë: “Derisa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na mbante hutbe, një njeri qëndronte (në këmbë), andaj (alejhisselami) pyeti për të dhe (të pranishmit) i thanë: “Babai i Israilit është zotuar se do të qëndrojë në diell e nuk do të ulet, as nuk do të strehohet nën hije, as nuk do të flasë, vetëm do të agjërojë.” Atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Urdhërojeni të flasë, të strehohet nën hije, të ulet dhe ta plotësojë agjërimin e tij.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kini kujdes atë që po ju lë; ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe divergjencave me Pejgamberët e tyre. Kur t’ju ndaloj prej diçkaje, largohuni prej saj, ndërsa kur t’ju urdhëroj për diçka, atë përmbusheni sa të keni mundësi.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Krejt umeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atij që nuk do.” I thanë: “E kush nuk do, o i Dërguari i All-llahut?” Tha: “Kush më respekton mua, ai do të hyjë në Xhenet, ndërsa kush më kundërvihet (nuk më respekton), ai nuk do.”
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. të ketë thënë: “U dogj një shtëpi në Medine bashkë me njerëzit e saj natën. Kur u informua për rastin e tyre, i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Vërtet zjarri është armik juaji, prandaj, kur të flini, fikeni.”
Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a., i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u ngrit në mesin tonë dhe duke na këshilluar tha: “O njerëz, ju vërtet do të tuboheni tek All-llahu i Madhërishëm të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë sunet: “Ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë do të përsërisim atë (krijim). Ky është premtimi ynë, Ne me të vërtetë mund ta bëjmë këtë” (el-Enbija, 104). Kujdes, krijesa e parë që do të vishet në Ditën e Gjykimit është Ibrahimi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Disa njerëz të umetit tim do të sillen në Ditën e Gjykimit dhe do t’i grabisin të majtët (engjëjt e Xhehenemit), e unë do të them: “O Krijuesi im, këta janë shokët e mi. “Pastaj do të më thuhet: “Ti vërtet nuk e di çfarë kanë bërë ata pas Teje”, kurse unë do të them siç ka thënë robi i mirë (Isai a.s.): “Kam qenë dëshmitar derisa isha në mesin e tyre, e pasi që ma more shpirtin, mbete Ti mbikëqyrës i tyre. Dhe Ti je dëshmitar i çdo sendi. Nëse i dënon, dënon robërit e Tu, e nëse ua fal, me të vërtetë Ti je i Fortë e i Urtë” (el-Maide, 117-118), e pastaj do të më thuhet: “Ata vazhdimisht janë kthyer prapa (janë bërë murted) qysh se je ndarë ti prej tyre.”
Transmetohet nga Aishja r.a., e cila thotë se ka thënë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Kush shpik në fenë tonë atë që nuk është nga ajo, ajo gjë është e refuzuar.”
Transmetohet nga Ibni Mesudi r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Asnjë person nuk mbytet me dhunë e që birit të Ademit (Kabilit) të mos i bjerë hise nga gjaku i tij, sepse ai i pari e ka filluar vrasjen.”
Transmetohet nga Ebu Abdurrahman Zejd ibn Halid el-Xhuhnij r.a. i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e përgatit (me pajisje luftarake) një luftëtar në rrugë të All-llahut, edhe ai ka luftuar (e ka shpërblimin si të atij që ka luftuar). Kush mbetet dhe kujdeset për familjen e një luftëtari duke i bërë mirë, edhe ai ka luftuar.”
Nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Arkëtari i besueshëm musliman është i cili e zbaton urdhrin dhe jep a paguan në mënyrë të plotë me gjithë dëshirë dhe ia dorëzon atij për të cilin është urdhëruar çdokush nga dhënësit e zekatit.”
Transmetohet nga Enesi r.a., se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Askush nga ju nuk do të jetë besimtar i vërtetë përderisa nuk dëshiron për vëllanë e vet atë që e dëshiron për vetveten.”
Nga Ebu-l-Velid Ibadete ibn es-Samit r.a. transmetohet të ketë thënë: “Iu zotuam të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për dëgjim dhe respektim në vështirësi dhe në lehtësi në vende të gëzimit dhe të mërzisë dhe për përparësi të tij mbi ne në gjithçka dhe se nuk do të grindemi as s’do t’ua kontestojmë udhëheqjen atyre që janë të denjë, përveç nëse vërehet kufër (mosbesim) i hapur për të cilin kemi argumentin e All-llahut të Madhëruar. (Dhe i jemi betuar Pejgamberit) Që të flasim vetëm të vërtetën kudo që të jemi dhe se nuk do t'i frikësohemi qortimit të askujt në lidhje me All-llahun.”
Nga Ebu Seid el-Hudrij r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a. v.s. ka thënë: “Ruajuni uljes nëpër rrugë!” Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, ne nuk kemi rrugëdalje nga qëndrimi ynë në rrugë për të biseduar mes vete.” Atëherë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Nëse nuk mund t’ia dilni pa qëndruar (ulur) në rrugë, atëherë jepjani rrugës të drejtën e saj!” Thanë: “E çfarë është e drejta e rrugës, o i Dërguari i All-llahut? Tha: “Ulja e shikimit, mospengimi në të, kthimi i selamit, të urdhëruarit për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”
Nga Ebu Zejd Usame ibn Zejd ibn Harithe r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Në Ditën e Gjykimit do të sillet një njeri dhe do të hidhet në zjarr (Xhehenem), e organet e barkut do t'i dalin jashtë dhe do të sillet rreth tyre siç sillet gomari në rrotulluesen e mullirit. Banorët e Xhehenemit do të mblidhen rreth tij e do t’i thonë: “O ti filan, çfarë të ka ndodhur? A nuk ke urdhëruar për vepra të mira dhe ke ndaluar nga të këqijat?” Ai do t’ju thotë: “Po, gjithsesi, kam urdhëruar për vepra të mira, por vetë nuk i kam kryer dhe kam ndaluar nga të këqijat, por vetë i kam punuar.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, nuk e përmbush premtimin dhe kur diçka i besohet, ai të tradhton.”
Nga Ebu Hubejb Abdull-llah ibn ez-Zubjeri r.a. transmetohet të ketë thënë: “Kur ka dalë Zubejri në ditën e betejës se devesë (Jevmu-l-xhemel: beteja e njohur e cila u zhvillua në mes të Ali b. Ebi Talibit dhe Aishes r. anhuma), më ftoi mua dhe shkova pranë tij e ai më tha: “Biri im, sot vriten vetëm zullumqarët dhe të dëmtuarit, dhe unë e shoh veten se do të vritem si i dëmtuar. Brenga ime më e madhe janë borxhet e mia. A e di se kur t’i paguajmë borxhet tona, prej pasurisë tonë nuk na mbetet asgjë?” Pastaj tha: “Biri im, shite pasurinë tonë dhe paguaj borxhet tona. Më ka porositur që ta lë për vete një të tretën, kurse një të tretën e saj për bijtë e tij. Domethënë për bijtë e Abdull-llah ibn ez-Zubejrit të tretën e të tretës. (Pastaj) Tha: “Nëse mbetet diçka nga pasuria jonë pas pagimit të borxhit, atëherë një e treta e një të tretës për bijtë e tu. Hishami tha: “Zubejri atëherë posaçërisht i ka zgjedhur disa nipa, ndofta Hubejbin dhe Abbadin, sepse ai atëbotë kishte nëntë djem dhe nëntë vajza.” Abdull-llahu pastaj tha: “(Babai im) Edhe më tutje më porositi rreth borxhit të tij e më tha: “Biri im, nëse diçka nga kjo nuk mund ta kryesh, atëherë kërko që të të ndihmojë mbrojtësi im.” Tha: “Pasha All-llahun, nuk e kuptova ç’deshi, derisa i thashë: “O babai im, cili është mbrojtësi yt?” Tha: “All-llahu” Tha: Sa herë që jam gjetur në vështirësi me borxhin e tij, unë thosha: “O Mbrojtësi i Zubejrit, paguaje borxhin e tij, dhe i paguhej. (Pastaj) Tha: “Kur u vra Zubejri nuk la asnjë dinar e as dirhem, por vetëm një tokë të papunueshme dhe njëmbëdhjetë shtëpi në Medine, dy shtëpi në Basra dhe nga një në Kufe dhe Egjipt. (Pastaj) Tha: “Ai edhe pse ka qenë aq borxhli, kur ndonjë njeri ia sillte për ruajtje (pasurinë e tij), Zubejri i thonte: “Jo, unë nuk mund ta pranoj për ta ruajtur, unë frikësohen që të mos e humbas.” Ai asnjëherë nuk ka kryer funksion të emirit, as nuk e ka mbledhur tatimin, haraxhin a tjetër. Ai gjithnjë ka qenë në beteja bashkë me të Dërguarin e All-llahut ose me Ebu Bekrin, ose me Umerin, ose me Uthmanin r.anhum. Abdull-llahu tha: “Unë kam llogaritur sa borxhe ka dhe kam gjetur se ai ka dy milionë e dyqind mijë! Një ditë i vjen Hakim ibn Hizami dhe i thotë Abdull-llah ibn Zubejrit: “O djali i vëllait tim, sa ka vëllai im borxh? Unë ia fsheha dhe i thashë: “Njëqind mijë.” Hakimi tha: “Pasha All-llahun, unë nuk po shoh se pasuria juaj mund ta paguajë këtë.” Abdull-llahu i tha: “Çka mendon ti, nëse borxhi është dy milionë e dyqind mijë? Tha: “Unë nuk po shoh se ju mund ta kryeni këtë, e nëse nuk mund të bëni asgjë prej saj, më ftoni në ndihmë.” Tha: “Zubejri e pat blerë një tokë me kaçuba me 170.000, kurse (djali i tij) Abdull-llahu e shiti për një milion e gjashtëqind mijë pastaj u ngrit e tha: “Kujt i ka diçka borxh Zubejri, ja, ta marrë borxhin prej kësaj toke (me kaçuba).” Atëherë erdhi Abdull-llah ibn Xhaferi, të cilit Zubejri ia kishte borxh 400.000, andaj i tha Abdull-llahut “Nëse doni, këtë po ua lë juve. Abdull-llahu tha: “Jo” (pastaj Ibni Xhaferi) Tha: “Nëse dëshironi, kjo pagesë le të mbetet për fund, nëse kanë ngelur akoma.” Abdull-llahu tha: “Jo” (Ibni Xhaferi) Tha: “Më ndani një pjesë (të tokës).” Abdull-llahu tha: “Jotja është prej këtu deri atje.” Abdull-llahu e shiti një pjesë të saj dhe me të e pagoi borxhin, kurse atij i mbetën 4,5 sehma (masë sipërfaqesh). Pastaj shkoi te Muaviu, tek i cili ishin Amër ibn Uthmani, el-Mundhir ibn ez-Zubejri dhe Ibni Zem-a. Muaviu i tha: “Sa kushtoi toka (gabeja)?” (Abdull-llahu) Tha: “Çdo sehm nga 100.000.” (Muaviu) Tha: “Sa ka mbetur prej saj?” Tha: “Katër sehmë e gjysmë.” Atëherë Mundhir ibn Zubejri tha: “Unë po e marr një sehm për 100.000.” Amër ibn Uthmani tha: “Edhe unë po e marr një sehm për 100.000.” Kurse Ibni Zem-a thotë: “Edhe unë po e marr një sehm për 100.000.” Muaviu tha: “Edhe sa ka mbetur?” I thanë: “Një sehm e gjysmë.” Muaviu tha: “Edhe unë po e marr atë për 150.000.” (Abdull-llahu) Tha: “Abdull-llah ibn Xhaferi ia shiti Muaviut pjesën e tij për 600.000.” Pasi Ibni Zubejri e kreu pagimin e borxhit të tij, atëherë fëmijët (trashëgimtarët) i thanë: “Na e ndaj trashëgiminë tonë!” Abdull-llah ibn Zubejri tha: “Pasha All-llahun, nuk do ta ndaj mes jush derisa të mos e shpall dhe të thërras katër vjet: “Vini re, kujt i ka borxh Zubejri, të vijë t’ia paguajmë.” Kështu për çdo vit thërriste në “mevsim” (kohë e caktuar kur tubohen njerëzit, si haxhi etj.), dhe pasi kaluan katër vjetët ua ndau (trashëgiminë) dhe e mbajti një të tretën (sipas testamentit të babait). Zubejri kishte katër gra, secilës i takoi nga një milion e dyqind mijë, kurse shuma e përgjithshme e pasurisë së tij ishte pesëdhjetë milionë e dyqind mijë.”
Transmetohet nga Aishja r.anha se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush bën zullum (dhunë, padrejtësi) sa një pëllëmbë tokë, do të jetë i ngarkuar me shtatë (do ta bartë në qafë në Ditën e Gjykimit).”