Transmetohet nga Ibni Mes’udi r.a. se ka thënë: “Më ka thënë mua Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Më lexo Kur’an!” I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, të të lexoj ty, ndërsa ai ty po të shpallet? Tha: “Unë dëshiroj ta dëgjoj prej tjetërkujt.” Atëherë ia lexova atij suren en-Nisa, derisa erdha tek ky ajet: “Po ç’do të bëhet, atëherë, kur të sjellim dëshmitarë nga secili popull, e ty do të sjellim dëshmitarë kundër tyre?” (en-Nisa, 41) Tha: “Mjaft për tani.” Kur u ktheva nga ai, i pashë sytë që po i rridhnin lot.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shtatë persona (lloje njerëzish) All-llahu do t’i vendosë nën hijen (mbrojtjen) e Tij, atë Ditë, ku nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç saj. Ata janë: Sunduesi i drejtë; i riu që ëshë rritur në ibadet dhe dëgjueshmëri ndaj All-llahut; njeriu zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë; dy persona (shokë) të cilët në emër të All-llahut janë dashur, janë shoqëruar dhe të tillë janë ndarë deri në vdekje; njeriu të cilin e thërret një grua autoritative dhe e bukur, kurse ky i përgjigjet se i frikësohet All-llahut; njeriu i cili e ndan sadakanë fshehurazi, saqë dora e majtë nuk di sa ndan e djathta, dhe një njeri i cili e përkujton All-llahun në vetmi dhe i mbushen sytë me lot.”
Transmetohet nga el-Mustevrid ibn Shedadi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kjo botë (dunjaja) ndaj botës tjetër (Ahiretit) është sikur kur njëri prej jush ta vendosë gishtin e tij në det, pastaj le të shikojë me çka i kthehet (nga uji i detit).”
Transmetohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kaloi nëpër treg, kurse njerëzit ishin tubuar rreth tij. Pastaj kaloi pranë një cjapi të ngordhur me veshë të vegjël, e kapi për veshi dhe tha: “Cili prej jush dëshiron ta marrë për një dirhem?” I thanë: “Askush prej nesh nuk jep për të asgjë, çka mund të bëjmë me te?” Pastaj tha: “A doni të jetë juaji?” Thanë: “Pasha All-llahun, edhe të ishte i gjallë, ishte me të meta, me veshë të vegjël, e lëre më i ngordhur!” Atëherë tha: “Pasha All-llahun, kjo botë, vërtet për All-llahun është më e pavlefshme sesa ky (cjap) për ju.”
Transmetohet nga Ebu Dherri r.a. të ketë thënë: “Isha duke shkuar me Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nëpër një tokë me gurë të zi në Medine derisa u drejtuam nga Uhudi, atëherë më tha: “O Ebu Dherr.” I thashë: “Si urdhëron, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Nuk gëzohem të kem ar sa ky Uhudi e të kalojnë tek tri ditë, e nga ai të mbetet vetëm një dinar, vetëm nëse kam të paguaj borxh, ose që me të t’u flas robërve të All-llahut (njerëzve) kështu, kështu dhe kështu të jetë nga e djathta, nga e majta dhe nga prapa.” Pastaj eci (Pejgamberi) dhe më tha: “Vërtet, ata që kanë shumë, në Ditën e Gjykimit do të kenë pak, përveç nëse thonë (veprojnë) me pasurinë kështu, kështu dhe kështu është edhe nga e djathta, nga e majta dhe nga prapa, por të këtillët janë pak.” Pastaj më tha: “Qëndro në atë vend, mos lëviz askund derisa të kthehem!” Pastaj u nis nëpër errësirë të natës derisa nuk dukej, atëherë dëgjova një zë të lartë, unë u frikësova se mos e sulmoi dikush Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe dëshiroja t’i shkoj, mirëpo m’u kujtua fjala e tij “mos lëviz askund derisa të kthehem”, andaj nuk lëviza derisa erdhi. Atëherë i thashë: “Unë dëgjova një zë, nga i cili u frikësova..”. dhe ia shpjegova... ndërsa ai më tha: “A e ke dëgjuar?” I thashë: “Po.” Tha: “Ai ishte Xhibrili, më erdhi dhe më tha: “Kush vdes prej umetit tënd duke mos i shoqëruar All-llahut asgjë, do të hyjë në Xhenet.” I thashë: “A edhe nëse ka bërë prostitucion (zina) dhe nëse ka vjedhur? Tha: “Edhe nëse ka bërë prostitucion dhe nëse ka vjedhur.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur të kisha ar sa është Uhudi, do të gëzohesha sikur të mos kalojnë tri ditë e tek unë të mos mbetet asgjë, përveç diçka për ta paguar borxhin.”
Transmetohet nga en-Nu’man ibn Beshiri r.a. se ka thënë: “Umer ibn el-Hattabi r.a. foli për fitimin e njerëzve nga të mirat në këtë botë dhe tha: “Vërtet e kam parë të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjatë tërë ditës (me bark) të përkulur (nga uria), nuk kishte as hurma të këqija, që ta mbushte barkun e tij.”
Transmetohet nga Aishja r.a. se ka thënë: “Ndërroi jetë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., kurse në shtëpinë (dhomën) time nuk kishte asgjë që mund të hante ai që ka mëlçi (njeri, kafshë etj.) përveç pak elb në raftin tim, e mora dhe hëngra prej tij mjaft gjatë, pastaj e mata dhe ai u harxhua.”
Transmetohet nga Ibni Abbasi dhe ‘Imran ibn el-Husajni r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kam shikuar në Xhenet dhe kam parë se shumica e xhenetlinjve janë të varfrit (e kësaj bote), dhe kam shikuar në Xhehenem dhe kam parë se shumica e tyre janë gra.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem doli një ditë, a një natë, kur edhe Ebu Bekri dhe Umeri r.a. kishin dalë. Atëherë (Pejgamberi) tha: “Ç’ju ka shtyrë të dilni nga shtëpitë tuaja në këtë kohë?” Thanë: “Uria, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Edhe mua, pasha atë në dorë të të Cilit është shpirti im, më ka nxjerrë (prej shtëpisë) ajo që ju ka nxjerrë juve. Çohuni!” Pastaj u ngritën me të dhe erdhën te një njeri prej ensarëve, mirëpo ai nuk ishte në shtëpi. Kur e pa (Pejgamberin) gruaja (e atij njeriu), tha: “Mirësevini, urdhëroni!” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i tha: “Ku është filani (për të zotin e shtëpisë)?” Tha: “Ka shkuar të na kërkojë ujë për pije.” Në atë çast erdhi ensariu, shikoi të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe dy shokët e tij, pastaj tha: “Falënderimi i qoftë All-llahut, sot askush nuk ka mysafirë më të ndershëm se unë!” Pastaj shkoi. Më pas erdhi me një kalavesh hurme në të cilën kishte hurma të njoma, të thata dhe të lëngëta (por të pjekura) dhe ju tha: “Urdhëroni, hani! Pastaj e mori briskun, kurse i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i tha: “Kujdes, mos e merr (mos e prej) atë që milet dhe jep qumësht!” Pastaj (ensariu) preu mish deleje nga i cili hëngrën, edhe nga kalaveshi me hurma të llojllojshme dhe pinë ujë. Pasi hëngrën dhe pinë, i Dërguari i i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i tha Ebu Bekrit dhe Umerit r.a.: “Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, në Ditën e Gjykimit do të pyeteni për këtë begati. Nga shtëpia ju ka nxjerrë uria, pastaj nuk jeni kthyer derisa ju ka arritur kjo begati.”
Transmetohet nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. se ka thënë: “Aishja r.a. i nxori e na i tregoi dy ndërresa - këmishën dhe mbulesën (e pjesës së poshtme të trupit), të cilat ishin shumë të vrazhda e të trasha dhe tha: “Në këto të dyja ka ndërruar jetë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.”
Transmetohet nga Sa’d ibn Ebi Vekkasi r.a. se ka thënë: “Unë jam i pari i arabëve që kam gjuajtur shtizën në rrugë të All-llahut. Kemi qenë në betejë me të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe nuk kemi pasur tjetër ushqim përveç fletëve të hublës dhe semurës (dy lloje drush të shkretëtirës), saqë ndonjëri prej nesh i nxirrte jashtë (kur e kryente nevojën) sikurse i hanë delet e që nuk përzihej (nga thatësia).”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O All-llahu im, bëje Ti furnizimin e familjes së Muhammedit (në ushqim).”
Transmetohet nga Aishja r.a. të ketë thënë: “Ndërroi jetë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., kurse mburoja e tij ishte e depozituar te një çifut për 30 sa'a elb.” (Sa’: masë peshë e njohur, 3,332 kg)
Transmetohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-’Asi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, ka furnizim (vetëm) aq sa i nevojitet dhe e ka bërë All-llahu të kënaqur me atë që i ka dhënë.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk është pasuria në shumë mall, por pasuri e mirëfilltë është pasuria e shpirtit.”
Transmetohet nga Hakim ibn Hizam r.a. të ketë thënë: “Kërkova nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe ai më dha. Pastaj prapë i kërkova dhe ai prapë më dha. Dhe përsëri i kërkova dhe ai përsëri më dha. Pastaj më tha: “O Hakim, vërtet kjo pasuri është e këndshme (për sy) dhe e ëmbël (për zemër), andaj kush e merr me bujari do të begatohet, kurse kush e mban me kryelartësi, nuk do të begatohet. I atilli do të jetë si ai që ha e nuk ngopet. Dhe dora e epërme është më e mirë se dora e poshtme.” Hakimi thotë: “Pastaj i thashë: “Pasha Atë që të ka dërguar me të Vërtetën, unë prej askujt pas teje nuk do të pranoj asgjë deri të ndahem prej kësaj bote.” Njëherë Ebu Bekri r.a. e ftoi Hakimin për t’ia dhënë ndonjë dhuratë, por ky refuzoi të pranojë gjë prej tij. Pastaj, po ashtu, edhe Umeri r.a. e ftoi t’i jape, por ky e refuzon. Pastaj (Umeri) tha: “O muslimanë, bëhuni dëshmitarë për Hakimin se po ia ofroj të drejtën (pjesën) e tij që ia ka caktuar All-llahu në këtë plaçkë (lufte) dhe se ai (Hakimi) po e refuzon.” Hakimi prej asnjë njeriu nuk ka pranuar asgjë pas Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem derisa vdiq.”
Transmetohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-Asi r.a. se një njeri e pyeti të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Cili Islam është më i mirë? Tha: “Ta ushqesh tjetrin dhe t’i japësh selam të njohurit e të panjohurit.”
Transmetohet nga Ebu Umame Sudejj ibn ‘Axhlani r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O biri i Ademit, ti nëse e shpenzon tepricën, më mirë është për ty, kurse nëse e mban, është më keq për ty. Askush nuk të qorton nëse jeton në mënyrë modeste. Dhe fillo (me rastin e shpenzimit) prej atyre që je i obliguar t’i furnizosh. Dora e epërme është me e mirë se dora e poshtme.”
Transmetohet nga Umeri r.a. të ketë thënë: “E ndau i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem një ditë një pasuri, e unë i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, të tjerët veç këtyre kanë pasur më shumë të drejtë në te!” Tha: “Këta më kanë vënë në pozitë që të zgjedh; o të kërkojnë tepër e t’u jap, o të më cilësojnë si koprrac, (u dhashë më tepër) e unë nuk jam koprrac.”