Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të mbatheni, filloni me të djathtën tuaj, ndërsa kur të zbatheni, filloni me të majtën, le të jetë e djathta e para që mbathet dhe e mbrama që zbathet.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Xhabiri r.a. thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Kur një njeri hyn në shtëpinë e vet dhe e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hyjë, si dhe para se të hajë, atëherë shejtani do t’u thotë shokëve të vet: “Këtu nuk keni as të ndejtur e as ushqim.” Ndërsa kur një njeri hyn në shtëpinë e vet, por nuk e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hyjë, atëherë shejtani thotë: “Keni gjetur vend për të ndejtur.” Ndërsa kur njeriu nuk e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hajë, atëherë shejtani u thotë shokëve të vet: “Keni gjetur të ndejtur dhe ushqim.”
Hudhejfeja r.a. thotë: “Ne, kur hanim ushqim së bashku me të Dërguarin e All-llahut, nuk e zgjatnim dorën në ushqim, para se t’ia fillonte Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Njëherë ishim duke ngrënë së bashku me Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe erdhi një shërbëtore (xharije), sikur e shtyrë nga dikush, erdhi dhe deshi ta vërë dorën e saj në ushqim, por Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e kapi për dore. Pastaj erdhi një beduin (malësor), sikur i shtyrë nga dikush, edhe këtë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e kapi për dore e pastaj tha: “Vërtet, shejtanit i lejohet të hajë në ushqim nëse në të nuk është përmendur emri i All-llahut. Shejtani ka ardhur me këtë shërbëtore që të hajë së bashku me të, dhe për këtë unë e kapa për dore, e pengova të hajë. Pastaj shejtani erdhi me këtë beduin, që nëpërmes tij të hajë, prandaj edhe këtë e kapa për dore, e pengova. Pasha Atë, në dorën e të cilit është shpirti im, vërtet është dora e tij (shejtanit) në dorën time, me duart e tyre (të shërbëtores dhe beduinit) nuk kam vepruar me dëshirën time, por me urdhrin e Tij i kam penguar që të hanë me ne, pa e përmendur emrin e All-llahut.” Pastaj i Dërguari i All-llahut e përmendi emrin e All-llahut të Madhëruar.”
Nga Ebu Hurejra r.a. thuhet: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem asnjëherë nuk ka përmendur të meta në asnjë ushqim, nëse i ka ardhur i shijshëm e ka ngrënë, e nëse nuk e ka pëlqyer e ka lënë.”
Nga Xhabiri r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kërkoi nga familja e vet t’i sjellin për ushqim erëza, por ata i thanë: “Nuk kemi asgjë tjetër përveç uthullës.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem atëherë kërkoi uthull, pastaj filloi të hajë duke thënë: “Sa të mira janë erëzat dhe uthulla, sa të mira janë erëzat dhe uthulla!”
Ebu Mes’ud El-Bedriu r.a. thotë: “Një njeri e ftoi Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në një ziafet, të cilin e kishte përgatitur për të dhe për katër të tjerë, kështu që Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte prej atyre të pestëve i pesti, por i ishte bashkangjitur edhe një njeri gjatë rrugës për në ziafet. Kur arritën tek dera e të zotit të ziafetit, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i tha: “Ky na është bashkangjitur gjatë rrugës, pra nëse e lejon edhe këtë lejoje, e nëse jo, atëherë ky le të kthehet!” Atëherë i zoti i shtëpisë tha: “Gjithsesi unë e lejoj, o i Dërguari i All-llahut që të jetë së bashku me ne në ziafet.”
Umer ibnu Ebi Selemi r.anhuma thotë: “Isha fëmijë dhe nën mbikëqyrjen e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në shtëpinë e tij. Njëherë, para se t’ia fillonim ushqimit, zgjata dorën në një enë të ushqimit, por Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem më tha: “Djalosh, thuaj ‘Bismil-lah’, përmende emrin e All-llahut, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes.”
Seleme ibni Ekva r.a. tregon se një njeri ka ngrënë tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem me dorën e majtë, e i Dërguari i All-llahut i tha: “Ha me dorën e djathtë!” Ai tha: “Nuk mundem!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Si nuk mundesh, nuk të pengon asgjë përveç mendjemadhësisë!” Pas kësaj, njeriu nuk e afroi dorën e majtë tek goja.”
Xhebelete bin Suhajmi thotë: “Një vit të urisë kam ngrënë hurma me Ibnu Zubejrin. Pranë nesh kaloi Abdull-llah ibni Umeri r.a. e ne ishim duke ngrënë hurma, ndërsa ai na tha: “Mos i hani nga dy hurma menjëherë, sepse Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka ndaluar që të hahen nga dy hurma përnjëherë.” Pastaj tha: “Përveç nëse njeriu ia lejon vëllait të vet ngrënien e dy hurmave menjëherë.”
Enesi r.a. thotë: “E kam parë Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të ulur në pjesën e mbrapme të trupit duke ngrënë hurma.”
Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka urdhëruar lëpirjen e gishtërinjve si dhe lëpirjen e enës dhe ka thënë: “Ju nuk e dini se në cilin ushqim gjendet bereqeti.”
Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse dikujt prej jush i bie kafshata e bukës, le ta marrë dhe le ta pastrojë nëse në të ka ndonjë send, pastaj le ta hajë, e mos t’ia lërë atë shejtanit. Kur ta kryejë ushqimin, mos t’i fshijë gishtërinj-të me shami derisa t’i lëpijë, sepse nuk e di se në cilin ushqim është bereqeti.”
Enesi r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem hante ushqim, i lëpinte gishtërinjtë e vet tri herë dhe thonte: “Nëse ju bie ndonjë kafshatë, duhet ta marrni atë dhe duhet ta pastroni nëse në të ka diçka, dhe duhet ta hani e të mos ia lini shejtanit.” Ai na urdhëroi që ta fshijmë tepsinë dhe tha: “Ju nuk e dini se në cilin ushqim tuajin është bereqeti.”
Nga Enesi r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem merrte frymë kur pinte ujë nga tri herë.
Nga Ebu Katade tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar frymëmarrjen në enë.
Nga Sehl ibni Sa’di r.a. tregohet se Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i kishin sjellur diçka për të pirë, piu prej saj, por në anën e djathtë kishte një djalosh, ndërsa në anën e majtë ishin disa njerëz të moshuar, e i Dërguari i All-llahut i tha djaloshit: “A më lejon mua që së pari t’u jap këyre?” Djaloshi u përgjigj: “Jo, për All-llahun, unë askujt nuk i jap përparësi në atë që më takon prej teje.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem me dorën e vet i dha të pijë.” Ky djalosh ishte ibni Abbasi
Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet: “I Dërguari i All-llahut ndaloi kthimin e grykës së enëve për pije.” (Fjala është për enë prej lëkure, kur gryka e saj kthehet ashtu që pjesa e brendshme të dalë jasht).
Ibni Abbasi r.a. thotë: “I dhash ujë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem prej Zemzemit dhe ai piu duke qëndruar në këmbë.”
Enesi r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka ndaluar që njeriu të pijë ujë në këmbë. Katade thotë: “E pyetëm Enesin: ‘E ngrënia e ushqimit?’” Enesi u përgjigj: “Ajo është edhe më e keqe dhe më e shëmtuar!”
Ebu Hurejra r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Asnjëri prej jush të mos pijë në këmbë, e nëse harron, le ta kthejë.”