Nga Ata’ibn Ebi Rebahu transmetohet të ketë thënë: “Ibni Abbasi më ka thënë: “A do të ta tregoj një nga gratë e Xhenetit? “Gjithsesi” i thashë, e ai më tha: “Kjo grua zezake erdhi te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e i tha: “Mua nganjëherë më godet epilepsia dhe unë atë e fsheh (nga njerëzit), andaj lute për mua All-llahun e Madhërishëm.” (Pejgamberi) Tha: “Nëse do, bë durim në sëmundje, do ta fitosh Xhenetin, e nëse do, po i bëj lutje All-llahut të Madhërishëm që të të shërojë.” Ajo tha: “Do të duroj.” Pastaj ajo vazhdoi: “Unë e kam fshehur, andaj lute All-llahun që më mos ta fsheh.” Dhe Pejgamberi i bëri lutje.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Ebu Abdurrahman Abdull-llah ibn Mes’udi r.a., i cili ka thënë: “Sikur e shikoj të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem se si tregon për njërin nga Pejgamberët e All-llahut salavatull-llahi ve selamuhu alejhim se si e ka rrahur populli i vet aq shumë sa e ka përgjakur, ndërsa ai duke e fshirë gjakun nga fytyra thonte: “O Zoti im, fale popullin tim, se ata nuk dine.”
Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra r.anhuma përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çkado që e godet muslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e ferrës, me secilën prej këtyre All-llahu ia shlyen mëkatet atij.”
Nga Enesi r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Assesi askush prej jush mos ta dëshirojë vdekjen e vet për shkak se e ka goditur ndonjë e keqe. E nëse është i detyruar, atëherë le të thotë: “O Zoti im, më le të jetoj derisa të jetë për mua jeta më e dobishme, kurse më vdis kur të jetë vdekja për mua më e dobishme.”
Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk është trimëri në dyluftim (mundje), por trimëri është ta përmbash veten nga zemërimi.”
Nga Sulejman ibn Suredi r.a. përcillet të ketë thënë:”Isha ulur me Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kurse dy njerëz shaheshin ndërmjet veti. Njëri prej tyre u skuq prej zemërimit dhe iu frynë damarët e qafës. I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Vërtet unë e di një fjalë që nëse e thotë, do t'i kalojë ajo që e ka gjetur. Nëse thotë: “E udhu bi-l-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim (I mbështetëm All-llahut nga djalli i mallkuar), do t’i kalojë ajo që e ka kapluar.” Të pranishmit i thanë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë që t’i mbështetesh All-llahut nga djalli i mallkuar.”
Nga Ebu Ibrahim Abdull-llah ibn Ebi Evfa r.anhuma përcillet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në një prej ditëve kur priste takimin me armikun deri në fillim të perëndimit të diellit, u ngrit dhe u tha të pranishmëve: “O njerëz, mos e dëshironi përleshjen me armikun, luteni All-llahun për shëndet, por, kur të përlesheni me armikun atëherë bëhuni të qëndrueshëm dhe dijeni se Xheneti është nën hije të shpatave.” Pastaj Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “O Zoti im, që je Shpallës i Librit, Lëvizës i reve, Mundës i aleatëve (në luftën e Hendekut), mundi ata dhe neve na ndihmo ndaj tyre!”
Nga Ibni Mes’udi r.a. përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sinqeriteti (sidk) shpie në mirësi, kurse mirësia shpie në Xhenet. Vërtet njeriu i cili vazhdimisht është i sinqertë (në besim dhe në të folur), tek All-llahu shkruhet besimtar i vërtetë (siddik). Gënjeshtra shpie në prishje (morale), kurse prishja shpie në Xhehenem. Njeriu që gënjen vazhdimisht, më në fund tek All-llahu shkruhet si gënjeshtar i madh.”
Nga Ebu Thabiti, e është thënë nga Ebu Seidi, e është thënë edhe nga Ebu-l-Velidi, Sehl ibn Hunejfi që ishte pjesëmarrës i luftës së Bedrit, thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush dëshiron dhe kërkon sinqerisht nga All-llahu që të jetë shehid, All-llahu do t’ia japë gradën e shehidit edhe nëse vdes në shtratin e vet.”
Transmetohet nga Umer ibn Hattabi r.a. të ketë thënë: “Një ditë ishim duke ndenjur tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në të nuk hetohej ndonjë shenjë udhëtimi dhe askush prej nesh nuk e njohu. U ul pranë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshët e tij dhe tha: “O Muhammed, më trego ç’është Islami?” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh ramazanin, ta vizitosh Ka’bën, nëse ke mundësi ta bësh këtë!” Ai tha: “Të vërtetën e the.” Ne u çuditëm: “Po e pyet dhe po ia vërteton.” Ai tha: “Më trego, ç’është imani?” (Pejgamberi) Tha: “Të besosh All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin e Tij të së mirës dhe të së keqes.” Tha: “Të vërtetën e the.” Tha: “Më trego ç’është ihsani?” (Pejgamberi) Tha: “Ta adhurosh All-llahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.” Tha: “Më trego ç’është çasti (i fundit, dita e shkatërrimit)?” (Pejgamberi) Tha: “Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai që pyet.” Tha: “Më trego mbi shenjat e tij?” (Pejgamberi) Tha: “Kur robëresha t’i lindë vetes zonjushë, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e ndërtesave të mëdha.” Pastaj shkoi, kurse unë mbeta një kohë. Pastaj (i Dërguari) tha: “O Umer, a e di kush ishte pyetësi?” Thashë: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e dinë.” Tha: “Vërtet ishte Xhibrili, erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.”
Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhëruar xhelozon (nuk duron në asgjë shok). Xhelozia (mosdurimi i zënies shok) i All-llahut është kur njeriu i bën ato vepra të cilat All-llahu i ka ndaluar.”
Nga Ebu Hurejra r.a. përcillet se e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Tre njerëz nga Beni Israilët, All-llahu xh.sh. dëshiroi t’i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan kurse i treti i verbër. All-llahu ua dërgoi një engjëll, i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” Tha: “Më së shumti do të dëshiroja të kem ngjyrë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit.” Engjëlli e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj engjëlli) Tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” Tha: “Devetë - ose lopët” (nuk i kujtohet saktë transmetuesit), ai ia jep një deve barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (Qelani) Tha: “Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” “Engjëlli e fërkon dhe ai shërohet e i jepen flokë të bukur. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri dëshiron më së shumti?” (Qelani) Tha: “Lopët.” Engjëlli ia jep një lopë barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me te.” Engjëlli i shkon të verbërit e i thotë: “Çdo të dëshiroje më së shumti?” (I verbëri) Tha: “Të ma kthejë All-llahu të parët, që t’i shoh njerëzit.” Engjëlli e fërkon dhe All-llahu ia kthen të parët. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri e dëshiron më së shumëti?” (I verbëri) Tha: “Dhentë!” Engjëlli ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit, kështu që njëri (zgjebani) bëri një luginë me deve, i dyti (qelani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbëri) bëri një luginë me dele. Pas kësaj engjëlli i vjen zgjebanit në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë: “Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti, andaj po të lutem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta vazhdoj rrugën.” (Ish zgjebani, tani pasanik) Tha: “Jo, unë kam shumë obligime (borxhe).” (Engjëlli) I tha: “Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin All-llahu e ka pasuruar?” Tha: “Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e mëdhenj.” (Engjëlli i) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!” Engjëlli pastaj i shkon qelanit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme, e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i përgjigjet ashtu siç iu pat përgjigjur zgjebani. (Engjëlli) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!” Pastaj engjëlli i shkon ish të verbërit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme, dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer të parët, më jep një dele, që (të ndihmohem me te e) të vazhdoj rrugën.” (Ish i verbri) Tha: “Vërtet unë kam qenë i verbër, por All-llahu ma ka kthyer të parët. Merr vëlla çka të duash dhe lër çka të duash! Pasha All-llahun, asgjë sot nuk të ndaloj të marrësh në emër të All-llahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. (Engjëlli) Tha: “Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të sprovuar. All-llahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. që thotë se e kanë pyetur Pejgamberin: “O i Dërguari i All-llahut, cili është njeriu më i ndershëm?” (Pejgamberi) Tha: “Ai që është më i devotshëm.” (Të pranishmit i) Thanë: “Nuk të pyetëm për këtë.” (Pejgamberi) Tha: “Jusufi është Pejgamber i All-llahut, bir i Pejgamberit të All-llahut, bir i Pejgamber të All-llahut, bir i mikut (halilit) të All-llahut.” Thanë: “Ne as për këtë nuk të pyetëm!” (Pejgamberi) Tha: “Atëherë për të parët e arabëve po më pyetni? Ata të cilët kanë qenë të zgjedhur në xhahilijjet janë të zgjedhur edhe në Islam, vetëm nëse janë që kuptojnë (njohës të dispozitave fetare).”
Nga Ebu Se’id el-Hudrij r.a. përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet kjo botë (dunjaja) është e ëmbël dhe tërheqëse dhe vërtet All-llahu ju ka bërë në të mëkëmbës (zëvendës), Ai ju vështron si veproni, andaj ruajuni dunjasë dhe ruajuni grave, sepse vërtet intriga (fitneja) e parë e Beni Israilëve ka qenë për shkak të grave.”
Nga Ibni Mes’udi përcillet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O Zoti im, unë të lutem Ty për udhëzim (përudhje), për devotshmëri, për ndershmëri dhe për pavarësi (nga njerëzit).”
Nga Ebu Tarif Adij ibn Hatim et-T’aij r.a. përcillet se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Kush betohet me betim për diçka, e pastaj vëren diçka më të devotshme (se ajo për të cilën është betuar), le ta marrë (ose të veprojë) atë që është më e devotshme (duke e thyer-shkelur betimin!).”
Transmetohet nga Ibni Abbasi r. anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O Zoti im, Ty të jam dorëzuar, Ty të kam besuar, te Ti jam mbështetur, te Ti jam kthyer dhe në emër Tënd i luftoj (armiqtë e fesë). O Zoti im, i mbështetem madhërisë Tënde, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, të më ruash nga lajthitja. Ti je i Gjallë që nuk vdes, kurse xhinnët dhe njerëzit vdesin.”
Transmetohet nga Ebu Umarete el-Berá ibn Azibi r. anhuma se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O filan, kur të biesh në shtratin tënd thuaj: “O Zoti im, shpirtin tim ta dorëzova Ty, fytyrën time e drejtova nga Ti, çështjen time ta dorëzova Ty, shpinën time e mbështeta te Ti - duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar nga Ti, nuk ka nga Ti vendstrehim as vendshpëtim përveç te Ti. Kam besuar në Librin Tënd, të cilin e ke shpallur, dhe në Pejgamberin Tënd që e ke dërguar.” Nëse vdes atë natë, do të vdesësh me iman, e nëse gdhihesh, atëherë (gdhihesh) i shpërblyer me mirësi.”
Nga Ebu Amri - ose Ebu Amrete - Sufjan ibn Abdull-llahu r.a. transmetohet se ka thënë: “Thashë: “O i Dërguari i All-llahut! Më thuaj për Islamin atë për çka nuk do të kem nevojë të pyes askënd përveç teje.” Tha: “Thuaj, e besoj All-llahun, pastaj vazhdo me ngulm (në këtë).”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, cila sadaka e ka shpërblimin më të madh?” Tha: “Të japësh sadaka kur të jesh i shëndoshë e koprrac, e frikësohesh nga varfëria, dhe e dëshiron pasurinë. Mos e vono këtë gjer kur të vije shpirti në fyt, e atëherë të thuash: “Jepjani këtë atij dhe këtë atij tjetrit, ndërsa kjo qysh më herët ka qenë e tij.”