Rijadus-Salihin

1013 hadithe · 305 kapituj

677 hadithe · Të gjithë kapitujt

Transmetohet nga Ebu Amr Xherir ibn Abdull-llah r.a., i cili ka thënë: “Në pikë të ditës ishim tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kur i erdhën një grup njerëzish të zhveshur, të mbuluar me guna të leshta ose me aba, me shpata të varura në trup. Ishin kryesisht nga fisi Mudar. Fytyra e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u zbeh kur e pa skamjen e tyre. Ai pastaj hyri dhe prapë doli e pastaj e urdhëroi Bilalin, i cili e thirri ezanin edhe ikametin. Pasi u falën, mbajti një hutbe ku tha: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj që ju krijoi prej një njeriu, nga i cili krijoi edhe shokun e tij për jetë, dhe, prej atyre dyve bëri shumë meshkuj dhe femra. Frikësojuni All-llahut të cilit i luteni dhe mbani lidhjet familjare! Se All-llahu, vërtet, gjithmonë mbi ju vigjilon.” (en-Nisa, 1), dhe ajetin e fundit të sures el-Hashr: “O besimtarë, frikësojuni All-llahut dhe të shikojë secili se ç’ka bërë për nesër.” (el-Hashr, 18), të ndajë sadaka secili njeri; prej të hollave të tij (ar e argjend), prej petkave të tij, një tas grurë, një tas hurmash”, saqë tha: “Qoftë edhe me gjysmë hurme.” Pastaj erdhi një njeri prej Ensarëve që solli një bohçe të lidhur të cilën nuk mund ta mbante dot, e pastaj pasuan një nga një derisa i pashë dy grumbuj me ushqim dhe rroba, kurse fytyra e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem shkëlqente si e praruar me ar. Pastaj i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Kush sjell një shprehi a traditë të mirë në Islam, do të ketë për të shpërblim, por edhe shpërblimin e të gjithë atyre që pas tij e punojnë atë, pa ju zvogëluar aspak shpërblimi i tyre. Ndërsa kush sjell në Islam një shprehi a traditë të keqe, do të jetë barrë mbi të, por edhe barrë e të gjithë atyre që ashtu veprojnë pas tij, pa iu zvogëluar aspak përgjegjësia dhe dënimi i atyre të tjerëve.”

Gabim?

Transmetohet nga Ibni Mesudi r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Asnjë person nuk mbytet me dhunë e që birit të Ademit (Kabilit) të mos i bjerë hise nga gjaku i tij, sepse ai i pari e ka filluar vrasjen.”

Gabim?

Nga Ebu Mes’ud Ukbe ibn Amr el-Ensarij el-Bedrij r.a. transmetohet se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Kush i tregon ose e udhëzon dikë në të mirë, do të ketë shpërblimin aq sa edhe ai që e kryen atë.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush thërret në rrugë të drejtë, ka shpërblim për të aq sa ka edhe ai që e ndjek, pa u zvogëluar aspak shpërblimi i atyre që e kryejnë, por edhe kushdo që thërret në lajthitje (në rrugë të shtrembër), do të ketë mëkat po aq sa kanë edhe ata që e ndjekin, pa u zvogëluar aspak mëkati i tyre.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Abdurrahman Zejd ibn Halid el-Xhuhnij r.a. i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e përgatit (me pajisje luftarake) një luftëtar në rrugë të All-llahut, edhe ai ka luftuar (e ka shpërblimin si të atij që ka luftuar). Kush mbetet dhe kujdeset për familjen e një luftëtari duke i bërë mirë, edhe ai ka luftuar.”

Gabim?

Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka takuar një grup të kalorësve në Revha (vend afër Medinës) dhe u ka thënë: “Cili popull jeni ju?” Thanë: “Ne jemi muslimanë.” Ata e pyetën: “Kush je ti?” (Pejgamberi) Tha: “Unë jam i Dërguari i All-llahut.” Pastaj një grua e ngriti fëmijën e saj nga Pejgamberi dhe i tha: “A edhe për këtë ka haxh?” Pejgamberi tha: “Po, kurse ti ke shpërblim.”

Gabim?

Nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Arkëtari i besueshëm musliman është i cili e zbaton urdhrin dhe jep a paguan në mënyrë të plotë me gjithë dëshirë dhe ia dorëzon atij për të cilin është urdhëruar çdokush nga dhënësit e zekatit.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Rukajje Temim ibn Evs ed-Darij r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Feja është këshillë.” Thamë: “Për kë (o i Dërguari i All-llahut)?” Tha: “Për All-llahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, për imamët e muslimanëve dhe njerëzit e rëndomtë prej tyre.”

Gabim?

Transmetohet nga Enesi r.a., se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Askush nga ju nuk do të jetë besimtar i vërtetë përderisa nuk dëshiron për vëllanë e vet atë që e dëshiron për vetveten.”

Gabim?

Nga Ebu Seid el-Hudrij r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Kush nga ju sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mund ta bëjë, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mund ta bëjë këtë, atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët.”

Gabim?

Transmetohet nga Ibni Mes’udi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Asnjë Pejgamber, të cilin e ka dërguar All-llahu te një popull para meje, nuk ka qenë e të mos ketë pasur havarijunë (ndihmës) prej umetit të vet dhe shokë që iu kanë përmbajtur sunetit të tij dhe kanë ndjekur porositë e tij. Pastaj kanë pasuar pas tyre gjenerata (pasardhës) të cilët kanë folur atë që nuk e kanë vepruar dhe kanë vepruar atë që nuk u qe urdhëruar. Andaj, secili që lufton kundër tyre me dorën e vet është besimtar, kush lufton kundër tyre me gjuhën e vet është besimtar, edhe ai që lufton kundër tyre me zemrën e vet është besimtar. Kush prej këtyre të triave nuk bën asgjë, tek ai nuk ka iman as sa kokrra e hardallit.”

Gabim?

Nga Ebu-l-Velid Ibadete ibn es-Samit r.a. transmetohet të ketë thënë: “Iu zotuam të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për dëgjim dhe respektim në vështirësi dhe në lehtësi në vende të gëzimit dhe të mërzisë dhe për përparësi të tij mbi ne në gjithçka dhe se nuk do të grindemi as s’do t’ua kontestojmë udhëheqjen atyre që janë të denjë, përveç nëse vërehet kufër (mosbesim) i hapur për të cilin kemi argumentin e All-llahut të Madhëruar. (Dhe i jemi betuar Pejgamberit) Që të flasim vetëm të vërtetën kudo që të jemi dhe se nuk do t'i frikësohemi qortimit të askujt në lidhje me All-llahun.”

Gabim?

Transmetohet nga nëna e besimtarëve Ummi Seleme Hind bint Ebi Umejje Hudhejfe r. anha se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë do t’ju imponohen disa sundues e ju do t’i lejoni disa veprime të tyre e disa nuk do t’i lejoni. Kush e urren (të keqen) me zemër është pastruar prej mëkatit, kush e gjykon (refuzon) me gjuhë, është siguruar nga mëkati, ndërsa kush e pëlqen dhe i ndjek”; ... as-habët thanë: “O i Dërguari i All-llahut, a nuk duhet të luftojmë kundër tyre?” Tha: “Jo, përderisa falin namaz me ju.”

Gabim?

Nga Ebu Seid el-Hudrij r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a. v.s. ka thënë: “Ruajuni uljes nëpër rrugë!” Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, ne nuk kemi rrugëdalje nga qëndrimi ynë në rrugë për të biseduar mes vete.” Atëherë i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Nëse nuk mund t’ia dilni pa qëndruar (ulur) në rrugë, atëherë jepjani rrugës të drejtën e saj!” Thanë: “E çfarë është e drejta e rrugës, o i Dërguari i All-llahut? Tha: “Ulja e shikimit, mospengimi në të, kthimi i selamit, të urdhëruarit për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”

Gabim?

Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pa një unazë prej ari në dorën e një njeriu, ia hoqi atij atë (nga dora), e gjuajti dhe pastaj tha: “Ndonjëri prej jush drejtohet nga gaca e zjarrit e pastaj e vë në dorën e vet!” Pasi shkoi i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i thanë atij njeriu: “Merre unazën tënde dhe shfrytëzoje!” Tha: “Jo, pasha All-llahun, unë kurrë nuk e marr pasi e ka hedhur i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Seid el-Hasan el-Basrij se Aidh ibn Amër r.a. hyri tek Ubejdullah ibn Zijad dhe i tha: “O biri im i vogël, vërtet unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Bariu më i keq është rojtari i Hutamës (Xhehenemit), ruhu të mos bëhesh prej tyre.” (Ubejdull-llahu) Tha: “Ulu, se vërtet ti je prej firës së shokëve të Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.” (Aidhi) Tha: “Vallë, a kanë pasur ata firë?” Vërtet fira është pas tyre dhe tek të tjerët.”

Gabim?

Nga Ebu Zejd Usame ibn Zejd ibn Harithe r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Në Ditën e Gjykimit do të sillet një njeri dhe do të hidhet në zjarr (Xhehenem), e organet e barkut do t'i dalin jashtë dhe do të sillet rreth tyre siç sillet gomari në rrotulluesen e mullirit. Banorët e Xhehenemit do të mblidhen rreth tij e do t’i thonë: “O ti filan, çfarë të ka ndodhur? A nuk ke urdhëruar për vepra të mira dhe ke ndaluar nga të këqijat?” Ai do t’ju thotë: “Po, gjithsesi, kam urdhëruar për vepra të mira, por vetë nuk i kam kryer dhe kam ndaluar nga të këqijat, por vetë i kam punuar.”

Gabim?

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, nuk e përmbush premtimin dhe kur diçka i besohet, ai të tradhton.”

Gabim?

Transmetohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruajuni dhunës (padrejtësisë), sepse dhuna është errësirë në Ditën e Gjykimit, ruajuni koprracisë, sepse vërtet koprracia i ka shkatërruar ata popuj që kanë qenë para jush: ajo i ka shtyrë për derdhjen e gjakut të tyre dhe i ka shtyrë që ndalimet (hara-met) t’i bëjnë të lejuara (hallall).”

Gabim?

Transmetohet nga Aishja r.anha se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush bën zullum (dhunë, padrejtësi) sa një pëllëmbë tokë, do të jetë i ngarkuar me shtatë (do ta bartë në qafë në Ditën e Gjykimit).”

Gabim?