Nga Ebu Bekrete r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “A dëshironi t’ju njoftoj për mëkatet më të mëdha?” Thamë: “Sigurisht, o i Dërguari i All-llahut!” Ai tha: “T’i shoqërohet diçka All-llahut, keqtrajtimi i prindërve”, meqë atëherë ishte i mbështetur, u ul dhe tha: “A nuk është ajo edhe të folurit e rrejshëm dhe të dëshmuarit e rrejshëm?” Këto fjalë aq i përsëriti, derisa thamë: “Sikur të pushojë t’i përsërisë?”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj513 hadithe · Të gjithë kapitujt
Nga Ebu Zejd b. Thabit b. ed-Dahhak el-Ensariu r.a., i cili qe nga pjesëmarrësit e Marrëveshjes së Hudejbisë (Bejaturr-rridvanit), transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush përbetohet me be joislame duke gënjyer me qëllim, ajo (beja) është siç ka thënë, kush e vret veten me diçka, me të do të dënohet në Ditën e Gjykimit. Njeriu nuk është i obliguar ta kryejë fjalën e dhënë të pamundur, kurse mallkimi i besimtarit është i ngjashëm me vrasjen e tij.”
Nga Ibni Mes’udi r. anhuma transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:“Ta blasfemosh (shash) muslimanin është mëkat, por ta vrasësh është mosbesim (kufr).”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se ka thënë: “Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i sollën një njeri që ishte dehur. (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.) ka thënë: “Rriheni atë!” Ebu Hurejra te ka thënë: “Disa nga ne e kanë goditur me dorë, disa me mbathësen e tyre, e disa me rrobat e tyre.” Kur rrahja mbaroi, një nga të pranishmit ka thënë: “All-llahu të marroftë!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos fol kështu, mos i ndihmo shejtanit kundër tij.”
Nga Abdull-llah b. Amr b. el-Asi r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Musliman i mirëfilltë është ai, nga gjuha dhe duart e të cilit janë të sigurtë muslimanët e tjerë. Dhe muhaxhir i mirëfilltë është ai që largohet nga ajo që All-llahu e ka ndaluar.”
Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia kini zili njëri-tjetrit, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit gjatë zemërimit, as mos i shkëputni marrëdhëniet tuaja dhe bëhuni, robër të All-llahut, vëllezër të mirëfilltë. Për muslimanin nuk është e lejuar të jetojë në zënkë me vëllanë e tij e të mos flasë më tepër se tri ditë.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruajuni nga mendimet e këqija, sepse mendimi i keq është gënjeshtra më e madhe. Mos e përgjoni as mos e spiunoni njëri-tjetrin, mos garoni në tregti njëri me tjetrin, as mos ia keni zili njëri-tjetrit. Mos e urreni njëri-tjetrin, as mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit. O robër të All-llahut, bëhuni vëllezër, siç ju është urdhëruar. Muslimani për muslimanin është vëlla, prandaj nuk guxon t’i bëjë të padrejtë, ta dëshpërojë, as ta nënçmojë. Devotshmëria është mu këtu. Devotshmëria është mu këtu, duke treguar në kraharorin e tij. Për njeriun është e keqe e mjaftueshme nëse e nënçmon vëllanë e tij musliman. Çdo musliman për çdo musliman është i shenjtë, i pacenueshëm: gjaku i tij, nderi i tij dhe pasuria e tij. All-llahu nuk shikon në trupat tuaj, as në pamjen tuaj, as në punët tuaja, por shikon në zemrat tuaja.” Në një transmetim tjetër është: “Mos ia keni njëri-tjetrit zili, mos e urreni njëri-tjetrin, mos e spiunoni njëri-tjetrin, mos garoni me njëri-tjetrin, as mos e mashtroni njëri-tjetrin. O robër të All-llahut, bëhuni vëllezër të mirëfilltë!” Në një transmetim tjetër është. “Mos i shkëputni marrëdhëniet, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos e urreni njëri-tjetrin, as mos ia keni zili njëri-tjetrit. O robër të All-llahut, bëhuni vëllezër të mirëfilltë!” Në një transmetim tjetër është: “Mos e bleni njëri-tjetrin dhe mos iu impononi njëri-tjetrit në shitblerje!”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruanu nga dyshimi, sepse dyshimi është gënjeshtra më e madhe.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se ka thënë: “Një njeri i theksoi të Dërguarit të All-llahut se është mashtruar në blerje. I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Atij që të shet diçka thuaj: La hilabete (nuk ka mashtrim te muslimanët).”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhëruar thotë: “Me tre njerëz do të konfrontohem në Ditën e Kijametit: me njeriun i cili premton në emrin Tim e nuk e zbaton, me njeriun i cili e shet njeriun e lirë dhe ato të holla i përdor dhe me njeriun i cili angazhon mëditës dhe, pas kryerjes së punës, mëditjen e kontraktuar nuk e paguan.”
Nga Enesi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i ndërpreni lidhjet reciproke, as mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe bëhuni, o robër të All-llahut, vëllezër të mirëfilltë. Për muslimanin nuk është e lejuar të jetojë në hidhërim me vëllanë e tij më tepër se tri ditë.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të jenë së bashku tre vetë, mos të pëshpërisin dy prej tyre pa të tretin.” Maliku transmeton në “MuVattanë” e tij nga Abdull-llah b. Dinari se ka thënë: “Unë dhe Ibni Umeri kemi qenë te shtëpia e Halid b. Ukbes, e cila ka qenë në treg. Atëherë erdhi një njeri që ka dëshiruar t’i pëshpërisë diçka Ibni Umerit. Pranë nesh nuk kishte njeri tjetër. Ibni Umeri ftoi një njeri tjetër, derisa u bëmë katër vetë. Ibni Umeri mua dhe njeriut të tretë, që e ftoi, i tha: “Ju të dy pritni pak (derisa ky të më pëshpërisë fshehtas), sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Mos të pëshpërisin dy vetë në mes vete pa të tretin.”
Nga Ibni Mes’udi r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të jeni tre vetë, atëherë dy vetë mos të pëshpërisin, pa personin e tretë, deri atëherë kur nuk përziheni me njerëz, që mos të dëshpërohet i treti.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një grua do të dënohet për shkak të maces. E ka mbyllur në shtëpi, derisa ka ngordhur, e për këtë do të hyjë në zjarr. As s'e ka ushqyer, as nuk i ka dhënë ujë kur e ka mbyllur, as nuk e ka lëshuar që të ushqehet vetë me zvarritësit dhe insektet e tokës.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se ai ka kaluar pranë disa djelmoshave nga fisi Kurejsh, të cilët e kishin vendosur një shpend për ta qëlluar dhe e qëllonin me shtiza. Kush nuk e qëllonte, ia jepte shtizën e vet pronarit të shpendit. Kur panë Ibni Umerin, djelmoshat u shpërndanë, kurse Ibni Umeri u tha: “Kush bën kështu? All-llahu e ka mallkuar atë që bën kështu. Vërtet i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka mallkuar çdokë që merr krijesë të gjallë për cak që qëllohet me diçka.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se ka thënë: “Na ka dërguar i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në një patrullim dhe na ka thënë: “Nëse e gjeni filanin dhe filanin, - dy njerëz nga Kurejshitët të cilët ai i ka emërtuar -“digjini të dy me zjarr.” E kur u nisëm të shkojmë, i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na ka thënë: “Unë vërtet ju kam urdhëruar juve që ta digjni filanin dhe filanin, por vërtet me zjarr dënon vetëm All-llahu, prandaj nëse i gjeni dhe i kapni, atëherë vetëm t'i vritni.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Zvarritja e pagesës së borxhit nga të pasurit është dhunë. Nëse dikush nga ju ndiqet ta paguajë borxhin, por ka mundësi ta paguajë, menjëherë të bindet dhe ta paguajë borxhin.”
Nga Umer b. el-Hattabi r.a. transmetohet se ka thënë: “Ia kam falur një luftëtari në rrugën e All-llahut kalin tim, e ai më pastaj e ka shitur. Kam dëshiruar ta blej, por më është kujtuar se ai po e shet me çmim të veçantë, prandaj e kam pyetur Pejgamberin s.a. v.s., e ai më ka thënë: “Mos e blej, as mos u kthe në sadakanë tënde, edhe nëse ai ta jep për një dirhem. Vërtet ai që kthehet në sadakanë e tij është sikur ai që kthehet në të vjellurit e tij.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni nga shtatë të këqija të mëdha!” (As’habët) kanë thënë: “O i Dërguari All-llahut, cilat janë ato mëkate?” Ka thënë: “T’i bësh All-llahut shok në adhurim, sihri, vrasja e dikujt e që All-llahu e ka ndaluar, përveç me të drejtë, ngrënia e kamatës, pasurisë së bonjakut, ikja nga fushëbeteja dhe shpifja për amoral të besimtares së devotshme dhe të ndershme.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se njerëzit i kanë thënë: “Kur hyjmë te sunduesit tanë, ne u flasim të kundërtën e asaj që flasim kur jemi larg tyre.” Ibni Umeri r. anhuma ka thënë: “Veprimin e këtillë, në kohën e të Dërguarit të All-llahut, e konsideronim hipokrizi.”
Nga Xhundub b. Abdull-llah b. Sufjani r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush punon për nam të opinionit, All-llahu do t’ia japë këtë që për të të dëgjohet, dhe kush punon për t’u parë edhe atij All-llahu do t’i japë që të bëhet i njohur tek ata.”