Rijadus-Salihin

1013 hadithe · 305 kapituj

677 hadithe · Të gjithë kapitujt

Nga Ebu Hurejra r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Besimi (imani) është shtatëdhjetë e ca ose gjashtëdhjetë e ca pjesë. Pjesa më e vlefshme e imanit është fjala “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka zot tjetër përveç All-llahut), ndërsa më e vogla është mënjanimi i ndonjë sendi nga rruga, që i pengon kalimtarët. Edhe turpi është një pjesë e imanit.”

Gabim?

Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. thuhet: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte i turpërueshëm, më i turpërueshëm sesa virgjëresha në rrobat e saj. Kur shihte diçka që nuk i pëlqente, ne e hetonim këtë në fytyrën e tij.”

Gabim?

Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet njeriu më i keq tek All-llahu në Ditën e Gjykimit është ai që i zbulon fshehtësitë e gruas së vet, e pastaj ajo të tijat, dhe pastaj përhapen fshehtësitë.”

Gabim?

Nga Aishja r.a. thuhet: “Një ditë ishim ne, gratë e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., tek ai, kur u duk Fatimeja r.a., që ecte plotësisht ashtu si ecte Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Kur e pa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i dëshiroi mirëseardhje dhe tha: “Mirë se erdhe bija ime!” e pastaj ia bëri një vend dhe e uli pranë vetes në anën e djathtë apo të majtë, e pastaj i tregoi diçka fshehtas dhe ajo qau shumë. Kur Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pa dëshpërimin e saj të madh, për të dytën here, përsëri fshehtas, i tha diçka e pastaj ajo u gëzua dhe qeshi. Unë pastaj i thashë: “Ty të zgjodhi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në mesin tonë dhe të tregoi ndonjë fshehtësi!”, dhe e pyeta: “Ç’të tha Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Ajo m'u përgjigj: “Nuk mund t’i zbuloj fshehtësitë e të Dërguarit të All-llahut.” Dhe pasi që Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kishte ndërruar jetë, i thashë Fatimesë: “Të betohem në hakun tim që ke ti, që të më thuash tani se ç’të ka thënë i Dërguari i All-llahut atëherë kur nuk dëshirove të më tregosh, pra më thuaj tani.” H. Fatimeja më tha: “Po. Tani mund të të tregoj. Sa i përket herës së parë, kur më tregoi fshehtazi, më tha: “Për çdo vit Xhibrili një herë ose dy herë së bashku me të e lexon Kur’anin dhe në këtë moment dy herë më ka propozuar, unë mendoj se vdekja ime më është afruar, por ti ki frikë All-llahun dhe ki durim. Vërtet unë për ty jam paraardhës i mrekullueshëm.” Për këtë unë kam qarë, ashtu si më ke vërejtur. Por, kur Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pa dëshpërimin tim të madh, atëherë për të dytën herë më pëshpëriti (më foli në vesh) dhe më tha: “O Fatime, a nuk je e kënaqur të jesh prijëse (zonjë) e të gjitha grave besimtare, apo prijëse e grave të këtij umeti?” Atëherë kam qeshur dhe jam gëzuar ashtu si më ke vërejtur vetë.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbush premtimin dhe kur zotohet, e shkel zotimin.”

Gabim?

Nga Abdull-llah bin Amr ibn El-Asi r.anhuma transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Personi tek i cili gjenden këto katër (cilësi) është hipokrit i vërtetë, kurse ai, tek i cili gjendet një prej tyre, ai zotëron cilësi të hipokrizisë, derisa nuk e flak atë: - kur flet, gënjen; - kur premton, nuk e përmbush premtimin; - kur është në zënkë, sillet padrejtësisht dhe - kur zotohet, e shkel zotimin (tradhton).”

Gabim?

Nga Xhabiri r.a.: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem më ka thënë: “Sikur të kishte ardhur pasuria nga Bahrejni, unë do ta kisha dhënë këtë, këtë dhe këtë.” Mirëpo pasuria nga Bahrejni nuk erdhi, derisa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ndërroi jetë. Kur erdhi pasuria e Bahrejnit, Ebu Bekri urdhëroi që të kumtohet lajmi: “Kujt i ka premtuar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem diçka, ose kujt i ka mbetur borxh, le të vijë te ne.” Unë shkova tek Ebu Bekri dhe i thashë: “Mua ma ka thënë i Dërguari i All-llahut këtë dhe këtë.” Ebu Bekri i mori dy grushta plot nga ai thesar (pasuri), kur i numërova, ato ishin pesëqind. Ai më tha: “Merr dy herë aq!”

Gabim?

Abdull-llah ibn Amr ibn Asi r.anhuma thotë: “Pejgamberi s.a. v.s. më ka thënë: “O Abdull-llah, mos u bë si filani, i cili natën e shndërroi në namaz e pastaj e la edhe namazin e natës.”

Gabim?

Ebu Dherri r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Asnjë punë të mirë mos e nënçmo, pra edhe atë që ta takosh mikun tënd me fytyrë të qeshur.”

Gabim?

Xherir ibni Abdil-lahi r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në haxh-xhetul veda më ka thënë: “Kërko prej njerëzve që të kenë vëmendje.” Pastaj tha: “Mos u ktheni pas meje në pabesimtarë (kuffarë), që njëri-tjetrit t’i mëshoni në qafë.”

Gabim?

Muavije ibn El-Hakem Es-Sulemi r.a. thotë: “Derisa unë isha duke u falur me Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem njëri prej të pranishmëve teshtiu dhe unë thashë: “Jerhamuk-All-llah” “All-llahu të mëshiroftë!” Njerëzit e pranishëm më shpuan me shikimet e tyre! Unë thashë me vete: “Medet për mua, nëna ime! Ç’keni, pse më shikoni?” Ata filluan t’i rrahin gjunjtë. Pasi i pashë se heshtën, unë nuk bëra më zë. Pasi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u fal, dhe ai për mua ishte më i dashur se prindët e mi, betohem në prindët e mi se nuk kam parë këshillues më të mirë para dhe pas tij. Betohem në All-llahun se ai nuk më ka përqeshur, nuk më ka fyer e as nuk më ka qortuar. Ai tha: “Në këtë namaz, nuk lejohet e folura prej fjalëve të njerëzve. Në këtë namaz ushtrohet vetëm tesbihu, tekbiri si dhe leximi i Kur’anit, apo ashtu si ka thënë Pejgamberi” Unë pastaj thashë: “O i Dërguari i All-llahut, unë jam shumë afër me kohën e injorancës, ndërsa tani All-llahu xh.sh. na dhuroi Islamin. Tek ne ka njerëz të cilët shkojnë te fallxhorët!” Pejgamberi tha: “Po ti mos shko!” Unë pastaj i thashë: “Tek ne ka njerëz të cilët qesin fall me shpezë!” Ai më tha: “Këto janë gjëra, të cilat ata i gjejnë në kraharorët e tyre, por ti mos e ndiq rrugën e tyre!”

Gabim?

Aishja r.a. thotë: “Unë asnjëherë nuk e kam parë të Dërguarin e All-llahut të kapluar në të qeshur që t’i duket nofulla. Ai vetëm ka buzëqeshur.”

Gabim?

Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le ta nderojë musafirin, dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le t’i ndihmojë të afërmit, dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.”

Gabim?

Ebu Ibrahimi, i cili quhet edhe Ebu Muhammed dhe Ebu Muavije Abdull-llah ibni Ebi Evfa r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., e ka përgëzuar Hatixhen r.a. me një shtëpi prej margaritarëve në Xhenet, në të cilën nuk ka zhurmë, as monotoni e as lodhje.

Gabim?

Nga Ebu Musa El-Eshariu r.a., i cili mori abdest në shtëpinë e vet, pastaj doli nga shtëpia dhe tha: “Gjithsesi do ta shoqëroj Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe do ta kaloj me të këtë ditë.” Shkoi në xhami dhe pyeti për Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Të pranishmit i thanë: “Shkoi atje!” Esh’ariu tha: “Unë dola prej xhamisë dhe shkova pas tij, duke pyetur për të, derisa arrita tek pusi i Erisit. Aty qëndrova tek dera, derisa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i mbaroi punët e veta dhe mori abdest. Pastaj u ngrita afër tij, ndërsa ai ishte ulur në pusin e Erisit. Qëndronte në mesin e lartësisë së pusit, i kishte përvjelur këmbët dhe i kishte lëshuar në pus. Unë e përshëndeta me selam, pastaj u ktheva, u ula tek dera dhe thashë: “Vërtet sot do të jem portieri i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.” Pastaj arriti Ebu Bekri r.a. e shtyu derën dhe unë i thashë: “Kush është?” Tha: “Unë jam Ebu Bekri.” Unë pastaj ia ktheva: “Prit pak!” Pastaj shkova tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i thashë: “Ebu Bekri kërkon leje të hyjë!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Lëre të hyjë dhe përgëzoje se do të shkojë në Xhenet!” Unë pastaj u ktheva tek Ebu Bekri dhe i thashë: “Urdhëro, hyr. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të përgëzon me Xhenet. Ebu Bekri hyri dhe u ul në anën e djathtë të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në pjesën e sipërme të arkës së pusit dhe të dy këmbët i shtiu në pus, ashtu siç kishte vepruar i Dërguari i All-llahut, dhe i përvoli teshat. Unë prapë u ktheva, u ula, dhe e lashë në shtëpi vëllanë tim të marrë abdest dhe të vijë pas meje. Atëherë kam thënë: “Nëse All-llahu xh.sh. i jep ndonjë të mirë (duke menduar për vëllanë tim, i cili kishte mbetur në shtëpi duke marrë abdest), do t’i vijë.” Kur, dikush trokiti në derë, dhe unë pyeta: “Kush është?” Ai u përgjigj: “Umeri, i biri i Hattabit!” Unë i thashë: “Prit pak!” Pastaj shkova tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., e përshëndeta me selam, pastaj i thashë: “Umeri kërkon të hyjë!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Lëre dhe përgëzoje me Xhenet.” Unë u ktheva te Umeri r.a. dhe i thashë: “Urdhëro, hyr! Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të përgëzon me Xhenet.” Ai hyri dhe u ul në anën e majtë të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., në pjesën e epërme të pusit dhe i shtiu këmbët në të. Pastaj unë u ktheva, u ula dhe thashë: “Nëse All-llahu ia dëshiron të mirën (mendon në vëllanë e vet), do t’i vijë.” Atëherë dikush trokiti në derë. Unë prapë pyeta: “Kush është?” Ai u përgjigj: “Uthmani, i biri i Affanit.” Unë iu përgjigja: “Prit pak!” Pastaj shkova tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe e lajmërova për ardhjen e Uthmanit. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Lejoje të hyjë dhe përgëzoje me Xhenet si dhe belanë e cila do t’i ndodhë.” Unë u ktheva tek Uthmani dhe i thashë: “Urdhëro, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem të përgëzon me Xhenet dhe belanë e cila do të ndodhë.” Uthmani r.a. e gjeti pjesën e epërme të pusit të mbuluar dhe u ul në anën tjetër të posit.” Seid ibnu Musej-jeb thotë: “Uljen e këtyre e kam shpjeguar me varrezat e tyre.”

Gabim?

Ibnu Shumaseta thotë: “Shkuam ta vizitojmë Amr ibnul Asin r.a. të shtrirë në shtratin e vdekjes, i cili qau shumë. Pastaj e ktheu fytyrën nga muri. I biri i tij filloi t’i flasë: “O babai im! A nuk të ka përgëzuar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem me këtë dhe këtë?” Ai u kthye me fytyrë nga ne dhe tha: “Më e vlefshmja dhe ajo të cilën e llogarisim më shumë është fjala e dëshmisë (shehadeti) se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është i Dërguari i Tij. Unë vërtet kalova nëpër tri periudha: E konsideroja veten se isha armiku më i madh i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., më dukej se askush nuk e urrente më shumë se unë, dhe në atë kohë nuk kishte për mua kënaqësi më të madhe vetëm se ta mbytja Pejgamberin. Sikur të vdisja në atë gjendje, do të isha me siguri gjithmonë në Xhehenem. Mirëpo, kur All-llahu e vendosi Islamin në zemrën time, shkova tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i thashë: “Shtrije dorën e djathtë që të betohem (zotohem).” Ai e shtriu dorën e tij të djathtë, ndërsa unë e tërhoqa dorën time. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Ç’ke o Amr?” Unë pastaj i thashë: “Dua të të kushtëzoj!” Pejgamberi u përgjigj: “Kushtëzo ç’të duash!” Unë pastaj i thashë: “Dua që të më falen gabimet!” Pejgamberi tha: “A nuk e di se Islami shlyen çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di ti se hixhreti rrënon çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di se haxhi shlyen çdo gjë që ka qenë më parë?” Për mua atëherë nuk kishte njeri më të dashur si dhe më të madh në sytë e mi se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Unë nuk mundesha t’i ngopja sytë me të për shkak të respektit që kisha ndaj tij. Sikur të më pyesë sot dikush që ta përshkruaj, nuk do të mundesha ta bëj, për arsye se unë nuk i kam ngopur sytë e mi me të. Sikur të kisha vdekur në atë gjendje me siguri do të shpresoja që të jem prej xhenetlinjve. Pastaj ishte periudha e tretë. Isha i ngarkuar në vende udhëheqëse me përgjegjësi (veli) dhe nuk e dija gjendjen time si jam gjendur gjatë kësaj kohe. Për këtë kur të vdes, të mos më përcjellë vajtimi e zjarri, ndërsa kur të më varrosni, hidheni mbi mua dheun nga pak, pastaj qëndroni rreth varrit tim aq sa të mund të prehet kurbani dhe të copëtohet mishi i tij, që të heq mërzinë me ju deri sa të shoh se me çfarë t'iu drejtohem të dërguarve të Krijuesit tim.”

Gabim?

Ebu Sulejman Malik ibni El-Huvejrith r.a. thotë: “Shkuam tek i Dërguari i All-llahut dhe të gjithë ne ishim të ri dhe të një moshe. Te ai qëndruam njëzet netë, ndërsa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte i mëshirshëm dhe i dashur. Ai mendoi se na ka marrë malli për familjet tona, andaj na pyeti se kë kemi prej familjes e ne i treguam, pastaj ai tha: “Kthehuni tek familjet tuaja dhe rrini me ta, mësojini dhe urdhëroni në të mira dhe faleni këtë namaz në këtë kohë dhe namazin tjetër në kohën tjetër. E kur të vijë koha e namazit, njëri prej jush le ta thërrasë ezanin, e më i moshuari nga ju le të dalë imam.”

Gabim?

Nga Ibnu Umeri r.anhuma tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në Medine shkonte rrugës “Tarikush-shexhere”, ndërsa kthehej rrugës Muarrese “Tarikul-muarres.” Kur hynte në Meke, hynte grykës së sipërme, ndërsa dilte grykës së poshtme.

Gabim?

Aishja r.anha thotë: “Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i pëlqente përdorimi i pjesëve të djathta të trupit në të gjitha çështjet e tij: në gjërat e pastra, ecje si dhe në mbathje.”

Gabim?

Aishja r.anha thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e përdorte dorën e djathtë për punët e pastra dhe ushqim, ndërsa dorën e majtë e përdorte për punët e papastra dhe izjet.”

Gabim?