Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kërkoni mbrojtjen e All-llahut nga presionet e sprovave, nga thellësitë e fatkeqësisë, nga fati i keq dhe nga gëzimi i armikut.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu im, ma përkryej fenë time, që është mbrojtja e jetës (punës) sime, ma përkryej botën time, në të cilën është jeta ime e tashme, ma përkryej ahiretin tim, në të cilin është kthimi im i përhershëm, ma bë jetën përparimtare në çdo të mirë dhe vdekjen të sigurtë (qetë) nga çdo e keqe.”
Nga Aliu r.a. transmetohet të ketë thënë: “Më ka thënë mua i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Thuaj: All-llahu im, më udhëzo dhe gjithnjë më mbaj në rrugë të drejtë.” Në transmetim tjetër është: “All-llahu im, të lus Ty për udhëzim dhe orientim të drejtë!”
Nga Enesi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut pat thënë: “All-llahu im, të mbështetem Ty nga paaftësia dhe përtacia, nga frika, pafuqia dhe koprracia. All-llahu im, të mbështetem Ty nga dënimi i varrit dhe të mbeshtetem Ty nga sprovat e jetës dhe të vdekjes.” Në një transmetim tjetër shtohen fjalët: “nga borxhet e rënda dhe nga mbizotërimi i njerëzve.”
Nga Ebu Bekr es-Siddiku r.a. transmetohet se ai i ka thënë të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Ma mëso një lutje (dua) që do ta bëj në namazin tim.” (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.) ka thënë: “Thuaj: All-llahu im, vërtet unë i kam bërë vetes shumë dhunë dhe, meqë mëkatet nuk i fal kush tjetër përveç Teje, atëherë më fal me faljen Tënde dhe më mëshiro. Vërtet Ti je falës dhe mëshirues i madh.”
Nga Aishja r. anha transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pat thënë në lutjet e tij: “All-llahu im, të mbështetem Ty nga e keqja e asaj që kam vepruar dhe nga e keqja e asaj që nuk e kam vepruar.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet të ketë thënë: “Prej lutjeve të të Dërguarit të All-llahut ka qenë: “All-llahu im, të mbështetem Ty nga ndërprerja e dhuntive të Tua, dhe nga ndërrimi i mbrojtjes Tënde, dhe nga zemërimi Yt i papritur, dhe nga dufi Yt i papritur dhe nga çdo hidhërim Yti.”
Nga Zejd b. Erkame r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut pat thënë: “All-llahu im, të mbështetem Ty nga paaftësia dhe përtacia, nga koprracia dhe pafuqia dhe nga dënimi i varrit. All-llahu im, m’i jep devotshmëri personale shpirtit tim, ma pastro shpirtin tim nga çdo negativitet, sepse Ti je pastruesi më i mirë, Ti je miku dhe mbrojtësi im personal. All-llahu im, të mbështetem Ty nga dija e padobishme dhe zemra jo e devotshme, nga shpirti i pangishëm dhe nga thirrja të cilës nuk i përgjigjesh.”
Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pat thënë: “All-llahu im, Ty të dorëzohem, Ty të besoj, Ty të mbështetem, te Ti marr siguri, me ndihmën Tënde dhe për Ty hidhërohem dhe Ty të drejtohem për zgjedhje, prandaj më fal ç’kam vepruar më herët dhe më vonë, ç’kam fshehur dhe ç’kam komunikuar. Ti je Ai që edhe më parë edhe më vonë je Krijues, nuk ka zot tjetër përveç Teje.” Disa transmetues shtojnë: “Nuk ka forcë as fuqi pa ndihmën e All-llahut.”
Nga Ebu ed-Derda r.a. transmetohet se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Nuk ka rob musliman, që e lut All-llahun për vëllanë e tij jo të pranishëm, e që engjëlli mos t’i thotë: “Edhe ty të qoftë po ashtu!”
Nga Ebu ed-Derdai r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pat thënë: “Lutja e një njeriu musliman për vëllanë e tij jo të pranishëm është e pranueshme. Te koka e lutësit është një engjëll i autorizuar, i cili, kur lutësi kurdoqoftë bën një lutje në dobi të vëllait të tij, engjëlli i autorizuar në lutje thotë: “Pranoje, o Zot, edhe ty të qoftë po ashtu!”
Nga Xhabiri r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos e mallkoni veten, mos i mallkoni fëmijët tuaj, mos mallkoni pasurinë tuaj. Mos ia qëlloni çastit në të cilin All-llahu lutësit ia plotëson çdo gjë të kërkuar, që edhe mallkimit tuaj t’i përgjigjet pozitivisht.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Lutjet do të pranohen derisa njerëzit nuk nguten duke folur: “Unë lus (qysh moti) Krijuesin tim, kurse lutja nuk më pranohet.”
Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në situatat e vështira thonte: “Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut të Madhëruar. Dhe thonte: ”Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut, Sunduesit të Arshit të madh, nuk ka zot tjetër përveç All-llahut, krijuesit të qiejve dhe krijuesit të tokës, krijuesit të Arshit fisnik.”
Nga Xhabir b. Semurete r. anhuma transmetohet se ka thënë: “U ankuan banorët e Kuffes tek Umer b. el-Hattabi r.a. për Sa’din d.m.th. për Ibn Ebi Vekkasin r.a., kështu që Umeri r.a. (në vend të Sa’dit) e vendosi për mëkëmbës Ammarin. Ata u ankuan sa theksuan që ai nuk falet mirë. Ai e ftoi atë të vijë dhe i tha: “O Ebu Is’hak, këta pohojnë se ti nuk falesh mirë!” (Sa’di) tha: “Pasha All-llahun, sa më përket mua, unë me ta fali, namazin e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nga i cili unë nuk heq dorë. Unë fal dy rekate të jacisë, në të cilët e zgjas qëndrimin në këmbë, kurse në dy të fundit e shkurtoj.“ Umeri r.a. tha: “I këtillë është mendimi për ty, o Ebu-l Is’hak!” Atëherë Umeri r.a. i dërgoi me të një apo dy njerëz në Kuffe, të cilët i pyetën banorët e Kuffes për Sa’din në çdo xhami. Të gjithë xhematlinjtë u shprehën mirë për të. Kur i deleguari i Umerit r.a. erdhi në xhaminë Beni Absi, një njeri u çua në këmbë. E quanin Usame bin Katade, por kishte ofiqin Ebu Sa’d, dhe tha: “Pasi ti na pyet për Sa’din, unë të pohoj se Sa’di e ka lënë luftimin me ushtrinë, se drejtësinë nuk e ndan drejtë dhe se aktgjykimet nuk i shqipton drejtë.” Atëherë Sa’di tha: “Sa më përket mua, unë vërtet për këtë do të bëj një lutje (nëmë) për tri gjëra: “All-llahu im, nëse ky robi yt është gënjeshtar dhe është ngritur në këmbë për t’u parë e për t’u dëgjuar, atëherë zgjatja jetën, jepi varfëri të gjatë dhe ekspozoje sprovave.” Kështu ka ndodhur, pastaj kur e pyetnin për gjendjen, thonte: “Unë jam plak i moshuar me shumë sprova, më ka zënë nëma e Sa’dit.” Abdulmelik b. Umejri rrëfen se Xhabir b. Semure i ka thënë: “Unë e kam parë pas asaj se si i kanë rënë vetullat në sy nga pleqëria e shtyrë, e kur fqinjët e takonin në rrugë, në të cilat shtrihej, ata i shmangeshin.”
Nga Urvete b. Zubejri transmetohet se Erva binti Evs e ka paditur Seid b. Zejd b. Amr b. Nufejlin r.a. te Mervan b. Hakemi. Ajo ka pohuar se Seid b. Zejdi ka marrë diçka nga toka e saj. Seidi atëherë tha: “Unë të marrë diçka nga toka e saj, pas asaj çka kam dëgjuar prej të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” (Mervani) tha: “Ç’ke dëgjuar nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” (Seidi) ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Kush e merr një pëllëmbë tokë me dhunë nga tjetri, me të do të ngjeshet deri në shtatë palë tokë.” Mervani i tha atij: “Unë nuk të pyes më për sqarim pas kësaj.” Seidi atëherë tha: “All-llahu im, nëse ajo është gënjeshtare, atëherë verboja sytë dhe bëje të vdekur në tokën e saj.” Transmetuesi i këtij hadithi thotë: “Ajo nuk ka vdekur derisa nuk është verbuar dhe, derisa ecte nëpër tokën e saj, ra në një pus dhe u përmbyt në të.” 364 363
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush beson në All-llahun dhe në Ditën e Gjykimit, le të fletë mirë ose le të heshtë.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Vërtet njeriu me një fjalë të folur, për të cilën ai deklarohet (pa e menduar), mund të rrëshqasë drejt zjarrit më larg se distanca ndërmjet lindjes dhe perëndimit.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A e dini ç’është përgojimi?” (As'habët) thanë: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri!” (Pejgamberi s.a. v.s.) ka thënë: “Përmendja e vëllait me atë që nuk i vjen mirë.” Dikush tha: “E ç’mendon, nëse ajo që flas për vëllanë tim është e vërtetë?” (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.) ka thënë: “Nëse është e vërtetë ajo që ti flet, atëherë e ke përgojuar, e nëse ajo që e flet nuk është e vërtetë, atëherë ke shpifur.”
Nga Ebu Bekri r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në hutben e tij në Bajramin e Kurbanit në Minne, në Haxhin Lamtumirës, ka thënë: “Me të vërtetë gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjta për ju, ashtu siç është e shenjtë kjo dita juaj, në këtë muajin tuaj dhe në këtë vendin tuaj. A po e kam përcjellur porosinë?!”