Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Zvarritja e pagesës së borxhit nga të pasurit është dhunë. Nëse dikush nga ju ndiqet ta paguajë borxhin, por ka mundësi ta paguajë, menjëherë të bindet dhe ta paguajë borxhin.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Nga Umer b. el-Hattabi r.a. transmetohet se ka thënë: “Ia kam falur një luftëtari në rrugën e All-llahut kalin tim, e ai më pastaj e ka shitur. Kam dëshiruar ta blej, por më është kujtuar se ai po e shet me çmim të veçantë, prandaj e kam pyetur Pejgamberin s.a. v.s., e ai më ka thënë: “Mos e blej, as mos u kthe në sadakanë tënde, edhe nëse ai ta jep për një dirhem. Vërtet ai që kthehet në sadakanë e tij është sikur ai që kthehet në të vjellurit e tij.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni nga shtatë të këqija të mëdha!” (As’habët) kanë thënë: “O i Dërguari All-llahut, cilat janë ato mëkate?” Ka thënë: “T’i bësh All-llahut shok në adhurim, sihri, vrasja e dikujt e që All-llahu e ka ndaluar, përveç me të drejtë, ngrënia e kamatës, pasurisë së bonjakut, ikja nga fushëbeteja dhe shpifja për amoral të besimtares së devotshme dhe të ndershme.”
Nga Ibni Mes’udi r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka mallkuar shfrytëzuesin e kamatës dhe kredituesin e tij.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Personi i parë që do të gjykohet në Ditën e Gjykimit është njeriu që ka rënë dëshmor në fushëbetejë. Ai do të shpihet në gjykim dhe do t’i ekspozohen begatitë që i ka dhënë All-llahu, të cilat ai do t’i njohë e atëherë All-llahu do t’i thotë: “Ç’ke bërë me begatitë që t’i kam dhënë? Ai thotë: “Kam luftuar për Ty derisa kam rënë dëshmor”. All-llahu do t’i thotë: “Gënjen, sepse ti ke luftuar që të thuhet se je trim i patrembur dhe kështu është thënë për ty.” Atëherë do të urdhërojë që të tërhiqet prej fytyre derisa të hidhet në zjarr. Pastaj do të ftohet në gjykim ai njeri që ka studiuar dituri dhe i ka mësuar të tjerët dhe ka lexuar Kur’an. Edhe ai do të sillet në gjykim. Edhe atij do t’i ekspozohen begatitë dhe ai do t’i njohë. Edhe atij All-llahu do t’i thotë: “E ç’ke bërë ti?” Ai (njeriu) do të thotë: “Kam mësuar dhe i kam mësuar të tjerët, dhe për Ty kam lexuar Kur’an.” All-llahu i thotë: “Gënjen, sepse ti ke mësuar që të thonë se je dijetar, kurse Kur’an ke lexuar që të thonë se je lexues i Kur’anit (kari’), dhe kështu është folur.” Pastaj do të urdhërojë (Ai) që të tërhiqet prej fytyre derisa të hidhet në zjarr. Pastaj do të gjykohet njeriu të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri të ndryshme, e ai do të sillet në gjykim. Edhe atij do t’i ekspozohen begatitë e tij dhe do t’i njohë ato, atëherë do t’i thotë: “Ç’ke bërë ti?” Ai do të thotë: “Nuk kam lënë asnjë vend, që Ti ke dëshiruar të shpenzoj pasuri, e të mos kem shpenzuar në emrin Tënd.” Edhe atij Krijuesi do t’i thotë: “Gënjen, sepse ti ke vepruar kështu që të thuhet se je bujar dhe kështu është folur. Pastaj do të urdhërojë që edhe ai të hidhet në zjarr.”
Nga Xhundub b. Abdull-llah b. Sufjani r.a. transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush punon për nam të opinionit, All-llahu do t’ia japë këtë që për të të dëgjohet, dhe kush punon për t’u parë edhe atij All-llahu do t’i japë që të bëhet i njohur tek ata.”
Nga Ebu Seid el-Hudrij r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni nga qëndrimet nëpër rrugë.” (As-habët) kanë thënë: “O i Dërguari i All-llahut, ç’të bëjmë nëse duhet medoemos të takohemi, sepse në rrugë kuvendojmë.” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse nuk mundeni pa, atëherë jepjani të drejtën rrugës.” Ata kanë thënë: “Cila është e drejta e rrugës, o i Dërguari i All-llahut?” Ka thënë: “Të mbyllen sytë (të ulet shikimi), të mos ngacmohet askush, të kthehet selami, të urdhërohet e mira dhe të ndalohet e keqja.”
Nga Ebu Talha Zejd b. Sehli r.a. transmetohet se ka thënë: “Ishim ulur në oborr dhe aty kuvendonim. I Dërguari i All-llahut erdhi mes nesh dhe qëndroi, pastaj tha: “Ç’keni që uleni nëpër rrugë publike? Largohuni nga uljet nëpër vende pulike!” Ne i thamë: “Vërtet ne ulemi, por jo për të keq. Jemi ulur të përkujtojmë kujtimet dhe të kuvendojmë ndërmjet veti.” (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.) ka thënë: “Nëse është vetëm për këtë, atëherë rrugës jepjani të drejtën e saj: të ulet shikimi, të merret selami dhe të kuvendohet mirë.”
Nga Xheriri r.a. transmetohet të ketë thënë: “E kam pyetur të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për shikimin e befasishëm.” Ai ka thënë: “Ktheje (menjëherë) shikimin tënd!.”
Nga Ukbete b. Amiri r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni (rreptësisht) nga hyrja te gratë (jo të afërta).” Një njeri nga ensarët ka thënë: “Ç’mendon (o i Dërguari i All-llahut), as si mik, me motive miqësore?” Ka thënë: “Miqësia është sikur vdekja (për femrat).”
Nga Burejde r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ata që mbesin në shtëpitë e tyre duhet t’i respektojnë gratë e luftëtarëve që janë larg nga shtëpitë e tyre, siç i respektojnë nënat e tyre. Njeriu që obligohet se do të kujdeset dhe do ta respektojë familjen e luftëtarit jo të pranishëm dhe këtë besim e shkel në cilëndo formë, në Ditën e Gjykimit do të dalë para vëllait të tij luftëtar dhe do t’i jepet e drejta luftëtarit të marrë nga veprat e mira të joluftëtarit ç’të dojë derisa të kënaqet.” Pastaj i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u kthye nga ne dhe tha: “E ç’mendoni tani!”
Nga Xhabiri r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos hani me dorën e majtë, sepse djalli ha me dorën e majtë.”
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka ndaluar mbajtjen e xhufkës (një xhufkë flokë në majë të kokës, ose para, ose pas kokës, kurse pjesa tjetër të rruhet).”
Nga Esma r. anha transmetohet se një femër e ka pyetur Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe ka thënë: “O i Dërguari i All-llahut, vajzën time e ka goditur lia, prandaj i kanë ra dhe i janë rralluar flokët, kurse unë e kam martuar. Për këtë shkak, a mund t’i vë asaj parukë (flokë të huaja)?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu e ka mallkuar personin që gërsheton dhe personin kujt i gërshetohen flokët (i shtohen flokë të huaja me gërshetim).” Aishja r. anha transmeton hadith të ngjashëm.
Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i ka mallkuar femrat që gërshetojnë flokë të huaja për vetvete, femrat kujt i gërshetohen flokët, femrat që bëjnë tatuazh dhe femrat që kërkojnë t'u bëhet tatuazh.
Nga Ebu Katade r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur dikush nga ju e kryen nevojën e vogël, assesi mos ta kapë me dorën e tij të djathtë organin për derdhjen e ujit, po ashtu mos ta kryejë pastrimin pas nevojës së madhe me dorën e tij të djathtë dhe assesi mos të fryjë në enën (me ushqim).”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Nëse ndonjërit nga ju i këputet rripi në nallane, të mos ecë vetëm me njërën, derisa ta arnojë nallanen tjetër.”
Nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. transmetohet se ka thënë: “Një shtëpi në Medine është djegur natën me familjen në të. Kur ia treguan të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për fatkeqësinë e kësaj familjeje, ai ka thënë: “Vërtet ky zjarr është armiku juaj, prandaj kur të shkoni për të fjetur, fikeni atë.”
Nga Umer b. el-Hattabi r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “I vdekuri dënohet në varr për shkak të vajtimit për të (nga të gjallët).” Në një transmetim tjetër thuhet: “me vajtimet.”
Nga Ummi Atijete Nusejbe r. anha transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka marrë nga ne besën se nuk do të vajtojmë (për të vdekurin).”