Transmetohet nga Ibni Umeri r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Bamirësia më e mirë është që njeriu të mbajë lidhje me dashamirin e babait të vet.” Abdull-llah ibn Dinari nga Abdull-llah ibn Umeri r.a. thotë se një beduin e kishte takuar atë në rrugë për në Meke. Abdull-llah ibn Umeri i kishte dhënë selam dhe e kishte hipur në gomarin ku ishte i hypur vetë, pastaj ia kishte dhënë edhe shallin që kishte në kokën e tij. Atëherë ne i thamë atij: “All-llahu të dhashtë të mira, ata janë beduinë dhe kënaqen me pak.” Abdull-llah ibni Umeri atëherë tha: “Vërtet, babai i këtij ka qenë dashamir i Umer ibn el-Hattabit r.a., kurse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Vërtet, bamirësi më e mirë është që njeriu të mbajë lidhje me dashamirët e babait të vet.” Një transmetim tjetër nga Ibni Dinari thotë: “Kur dilte Ibni Umeri në Meke, i hipte gomarit të tij - kur mërzitej nga deveja - dhe me një shall e mbulonte dhe forconte kokën dhe duke qenë kështu hipur mbi gomar, kaloi atypari një beduin, të cilit i tha: ”A nuk je ti i biri i filanit?” (Beduini) Tha: “Po, unë jam.” (Ibni Umeri) Pastaj, ia dha gomarin dhe i tha: “Hipi këtij!” dhe ia dha edhe kapelën duke i thënë “Me këtë mbuloje dhe mbështille kokën.” Disa shokë të tij i thanë: “All-llahu të faltë, ia dhe këtij arabi gomarin mbi të cilin ishe hipur vetë dhe kapelen me të cilën e pate mbështjellur e mbuluar kokën tënde?” (Ibni Umeri) Tha: “Vërtet, unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a. v.s. duke thënë: “Vërtet, bamirësi më e mirë është që njeriu t’i mbajë lidhjet me dashamirët e babait të vet pas vdekjes së tij.” Vërtet, babai i tij ka qenë shok i Umerit r.a.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Transmetohet nga Enes ibn Maliku r.a. se ka thënë: “Dola në udhëtim bashkë me Xherir ibn Abdull-llah el-Bexhel-lij r.a. dhe filloi të më shërbejë. Unë i thashë: “Mos vepro kështu!” Kurse ai m’u përgjigj: “Vërtet, unë i kam parë ensarët, kështu vepronin me të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe unë jam zotuar në vetvete që secilin prej tyre mos ta shoqëroj e të mos i shërbej.”
Transmetohet nga Jezid Hajjani se ka thënë: “U nisëm unë, Husajn ibn Sebre dhe Amr ibn Muslimi për te Zejd ibn Erkami r.a. dhe pasi u ulëm, i tha atij Husajni: “O Zejd, ti ke arritur shumë të mira; e ke parë të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., i ke dëgjuar fjalët e tij, ke luftuar bashkë me të dhe je falur pas tij. Ti, vërtet o Zejd, ke përjetuar shumë të mira, andaj na thuaj diçka nga ajo që ke dëgjuar nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Tha: “O djali i vëllait, pasha All-llahun, tashmë jam plakur, ka kaluar koha ime, diçka edhe kam harruar nga ajo që mbaja në mend nga i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., andaj atë që jua them, pranojeni, kurse për atë që nuk jua them, mos më obligoni”, e pastaj tha: “Një ditë, u ngrit i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe na mbajti një fjalim te një ujë që quhet “Humma” në mes të Mekes dhe Medines. Aty ai e falënderoi dhe lavdëroi All-llahun, pastaj këshilloi dhe tërhoqi vërejtje e pastaj tha: “O njerëz, kujdes, vërtet unë jam njeri, është afruar që të vijë i dërguari i Krijuesit tim dhe unë do t’i përgjigjem, andaj po ua lë dy gjëra madhështore: e para është Libri i All-llahut, në të cilin gjendet udhëzimi dhe drita, andaj merreni Librin e All-llahut dhe përmbajuni atij.” Nxiti dhe inkurajoi për Librin e All-llahut e pastaj tha: “Dhe familja ime; ua përkujtoj (ua tërheq vërejtjen) All-llahun për familjen time, ua përkujtoj All-llahun për familjen time!” Atëherë Husajni i tha: “E kush janë familja e tij, o Zejd? A nuk janë gratë e tij prej familjes së tij?” (Zejdi) tha: “Gratë e tij janë prej familjes së tij, por edhe të gjithë ata të cilëve u është ndaluar marrja e sadakasë pas tij janë të familjes së tij.” Tha: “E kush janë ata?” (Zejdi) Tha: “Ata janë familja e Aliut, familja e Akilit, familja e Xhaferit dhe familja e Abbasit.” Tha: “Të gjithë këtyre u është e ndaluar marrja e sadakas?” Tha: “Po.”
Transmetohet nga Mes’ud Ukbe ibn Amr el-Bedrij el-Ensarij r.a. se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na i prekte supet e krahëve tona (me duart e tij) gjatë namazit dhe na thonte: “Barazohuni - drejtohuni, mos jini të pabarazuar (në saf), pastaj dhe zemrat tuaja do të janë të padrejtuara. Le të më pasojnë (afrohen) mua të mençurit dhe më të aftët, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.”
Transmetohet nga Ibni Umeri r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kam parë ëndërr se po e përdorja misvakun, kur më erdhën dy njerëz, njëri ishte më i vjetër se tjetri. Unë ia dhashë misvakun atij më të riut, kurse m’u tha: “Të vjetrit së pari”, atëherë ia dhashë atij më të vjetrit.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një njeri e vizitoi një vëlla të vetin në një fshat tjetër. All-llahu i Madhëruar ia cakton një engjëll për ta vëzhguar gjatë rrugës së tij dhe kur erdhi tek ai (engjëlli) i tha: “Ku po shkon?” Tha: “Te një vëlla imi në këtë fshat.” Tha: “A mos ke ti tek ai ndonjë interes material?” Tha: “Jo, por unë atë e dua për All-llahun!” (Engjëlli) Tha: “Unë jam i dërguar nga All-llahu te ti për të njoftuar se All-llahu të do ty ashtu siç e do ti atë njeri.”
Transmetohet nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shembulli i qëndrimit me njerëz të mirë dhe me njerëz të këqinj është sikurse shitorja e miskut (parfumeria) dhe farkëtorja. Shitësi i miskut ose të jep ose të shet, ose së paku prej tij kundërmon erë e këndshme. Kurse farkëtari ose t’i djeg teshat, ose prej tij do të vijë erë e pakëndshme (nga thëngjilli).”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Gruaja martohet për katër gjëra: pasuria materiale, prejardhja, bukuria dhe feja e saj. Andaj, përcaktohu për atë që është e dhënë në fe, përndryshe mbetesh përdhé!”
Transmetohet nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Njeriu në botën e ardhme do të jetë me atë që e ka dashur.”
Transmetohet nga Enesi r.a. se një beduin i tha të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Kur është Kijameti?” I Dërguari i All-llahut s.a. v.s. tha: “Çka ke përgatitur për të?” Tha: “Dashurinë për All-llahun dhe të Dërguarin e Tij.” (Pejgamberi) Tha: “Ti (do të) jesh me atë që ke dashur.”
Transmetohet nga Ibni Mes’udi r.a. se ka thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, çfarë thua për një njeri i cili i do të vetët, por nuk mund t’i arrijë ata?” I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Njeriu do të jetë me atë që e ka dashur.”
Transmetohet nga Usejr ibn Amri e i thuhet Ibni Xhabir, se ka thënë: “Umer ibn el-Hattabi r.a. kur i erdhën njësitë (luftarake) nga Jemeni i pyeti: “A është në mesin tuaj Uvejs ibn Amir?” Derisa erdhi te Uvejsi r.a. dhe i tha: “A je ti Uvejs ibn ‘Amir?” (Uvejsi) Tha: “Po!” “A je nga (fisi) Muradi dhe nga (familja) Karani?” (Uvejsi) Tha: “Po.” (Umeri prapë vazhdoi) “A e ke pasur gërbulën e pastaj je shëruar prej saj përveç një vendi sa një dirhem?” Tha: “Po.” (Umeri) Tha: “A ke nënë?” Tha: “Po.” Tha (Umeri): “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Do t'ju vijë juve Uvejs ibn Amiri me njësitë e Jemenit nga Muradi, pastaj nga Karani, ai e ka pasur sëmundjen e gërbulës dhe është shëruar, përveç nga vendi sa një dirhem. Ai e ka nënën ndaj së cilës është shumë bamirës, sikur ta luste ai All-llahun për diçka, do t’ia plotë-sojë, andaj nëse mundesh, (lute) që ai të kërkojë falje (magfiret) për ty, bëje!” (Umeri i tha): “Kërko magfiret për mua!” (Dhe Uvejsi) kërkoi falje për të. Pastaj Umeri i tha: “Ku dëshiron të shkosh?” Tha: “Në Kufe.” (Umeri) Tha: “A t’i shkruaj mëkëmbësit të atjeshëm?” (Uvejsi) Tha: “Unë do të jem me njerëz të parëndësishëm, këtë e kam qejf më tepër!” Në vitin e adhshëm në haxh vjen një njeri i dalluar nga Kufa, i cili takohet me Umerin e ky e pyet për Uvejsin. Ai tha: “E kam lënë me një shtëpi të keqe me pak gjësende. (Umeri) Tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Do t'ju vijë Uvejs ibn Amiri me njësitë e Jemenit nga Muradi, nga Karani, që ka qenë i sëmurë nga gërbula e pastaj është shëruar, përveç një vendi sa një dirhem. Ka një nënë ndaj së cilës sillet me shumë bamirësi. Nëse i lutet All-llahut diçka, ia pranon, prandaj, nëse mundesh, kërko që ai të lutet për ty.” (Ky njeri nga Kufa) Shkon te Uvejsi dhe i thotë: “Kërko falje për mua!” (Uvejsi) Tha: “Ti ke qenë më vonë në udhëtim të mirë, andaj ti lutu për mua!” Pastaj i tha: “A e ke takuar Umerin?” Tha: “Po.” (Më në fund Uvejsi) Iu lut (All-llahut) për faljen e atij. Pas kësaj njerëzit e zbulojnë Uvejsin (dhe bëjnë një pushtim të vërtetë drejt tij) dhe ky largohet prej tyre.” Në një transmetim tjetër nga Umeri r.a. thuhet se ka thënë: “Unë, vërtet e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Vërtet tabiiju më i mirë është një njeri i quajtur Uvejs, që ka një nënë, ka qenë i sëmurë nga gërbula, andaj i thoni të bëjë lutje për ju për magfiret.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi s.av.s. ka thënë: “Shtatë persona (lloje njerëzish) All-llahu do t’i vendosë nën hijen (mbrojtjen) e Tij atë ditë kur nuk do të ketë tjetër përveç hijes së Tij. Ata janë: Imami (udhëheqësi) i drejtë; një i ri i cili është rritur në ibadet dhe respekt të All-llahut të Madhëruar; një njeri, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë; dy njerëz të cilët duhen në emër të All-llahut, janë shoqëruar dhe të tillë kanë mbetur gjer në ndarje (vdekje); një njeri të cilin e ka thirrur një grua autoritative dhe e bukur, kurse ai e refuzon duke i thënë se i frikësohet All-llahut njeriu i cili ndan sadaka fshehurazi, ashtu që dora e majtë nuk e di çka bën (sa ndan) e djathta; dhe njeriu që e përmend All-llahun në vetmi dhe i mbushen sytë me lot.”
Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhëruar Ditën e Gjykimit do të thotë: “Ku janë ata që janë dashur në emër të Madhërisë Sime? Sot do t’i vendos nën hijen Time, në ditën ku nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç hijes Sime.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të duheni ndërmjet jush. A doni t’ju udhëzoj për diçka që, nëse i përmbaheni, do të duheni në mes veti? Atëherë jepni ndërmjet veti selam.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një njeri e vizitoi vëllanë e vet në një fshat tjetër. All-llahu i Madhëruar i’a caktoi një engjëll për ta vëzhguar gjatë rrugës së tij dhe kur erdhi tek ai (engjëlli) i tha: “Ku po shkon?” Tha: “Tek një vëlla i im në këtë fshat.” Tha: “A mos ke ti tek ai ndonjë interes material?” Tha: “Jo, por unë e dua atë për hir të All-llahut!” Engjëlli i tha: “Unë jam i dërguar nga All-llahu xh.sh. tek ti për të njoftuar se All-llahu të do ty ashtu siç e do ti atë njeri.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur All-llahu i Madhëruar e do robin e Vet, i thërret Xhibrilit: “Vërtet All-llahu i Madhëruar e do filanin, ndaj duaje edhe ti, dhe Xhibrili e do. Pastaj e shpall tek banorët e qiellit: “Vërtet All-llahu e do filanin, ndaj duajeni edhe ju. Pastaj banorët e qiellit e duan dhe i sigurojnë pranim në Tokë.”
Transmetohet nga Xhundub ibn Abdull-llah r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut, ai është nën mbrojtjen e All-llahut, andaj mos t’i kundërvihet askush kësaj mbrojtjeje me diçka, sepse kush i kundërvihet mbrojtjes së All-llahut, do ta arrijë atë All-llahu, dhe pastaj do ta gjuajë me fytyrë në zjarr të Xhehenemit.”
Transmetohet nga Abdull-llah Tarik ibn Eshjem r.a. se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Kush thotë: LA ILAHE IL-LALL-LLAH (Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut) dhe mohon hyjnitë e gjithçka që adhurohet, përveç All-llahut, atij i sigurohet pasuria dhe gjaku i tij, kurse llogaria e tij definitive është tek All-llahu.”
Transmetohet nga Ebu Ma’bed el-Mikdad ibn el-Esvedi r.a. se ka thënë: “I thashë të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “Çfarë mendon ti nëse unë e takoj një njeri jobesimtar (kafir), luftojmë dhe ai ma pret njërën dorë me shpatë, pastaj strehohet tek një lis dhe thotë: “Iu dorëzova All-llahut, u bëra musliman. A mund ta vras, o i Dërguar i All-llahut, pasi ta thotë këtë? Pejgamberi i tha: “Mos e vrit!” I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, ai ma ka prerë (këput) njërën dorë, e pastaj e ka deklaruar atë!” Pejgamberi i tha: “Mos e vrit atë, sepse nëse e vret, atëherë ai është në pozitën tënde para se ta vrasësh, dhe ti do të biesh në pozitën e tij para se ta thonte deklaratën.”