Ebu Musa El-Esh’ariu r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin është sikurse shembulli i qitrës (etruxhxhetu): aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur’anin është sikurse hurma (temretu): nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) që lexon Kur’anin është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte) (rejhanetu), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e idhët. Shembulli i munafikut që nuk e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i kungullit të egër (handzaletu), që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të idhët.”
Rijadus-Salihin
1013 hadithe · 305 kapituj677 hadithe · Të gjithë kapitujt
Umer ibnul Hattabi r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet All-llahu me këtë Libër do t’i ngrejë disa popuj, ndërsa disa të tjerë do t’i degradojë.”
Ibnu Umer ibnul Hattabi r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka xhelozi vetëm në dy veta: Njeriut të cilit All-llahu ia ka dhënë Kur’anin dhe ai është me të ditë e natë dhe njeriut të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri dhe ai atë e harxhon natë e ditë në bamirësi.”
Berra bin Azib r.anhuma thotë: “Ishte një njeri i cili lexonte suretul Kehf dhe tek ai ishte një kalë i lidhur me dy litarë. Në një moment zbriti një re dhe filloi t’i afrohet, ndërsa kali filloi të ikë prej saj. Pasi agoi, njeriu erdhi te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tregoi për atë që kishte ndodhur. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Kjo është mëshirë, zbriti për hir të Kur’anit.”
Ibnu Umeri r.anhuma tregon se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Vërtet shembulli i një hafidhi të Kur’anit, është sikurse shembulli i një deveje me këmbë të lidhura. Nëse gjithnjë e mban lidhur do ta ketë atë, e nëse e lëshon, do t'i shkojë.” Kështu pra është edhe me hafidhin e Kur’anit, nëse gjithnjë e lexon do të mbetet hafidh i tij, përndryshe do ta harrojë.
Ebu Hurejra r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “All-llahu nuk i lejon askujt atë që ia ka lejuar Pejgamberit, që me zë të bukur, të lartë e melodik ta lexojë Kur’anin.”
Berra bin Azibi r.anhuma thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke lexuar në namazin e jacisë “Vettini. Vezzejtuni.” Unë nuk kam dëgjuar zë më të bukur se zërin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.”
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë se: “‘Kul huvAll-llahu ehad’ është e barabartë me një të tretën e Kur’anit.”
Ebu Mes’ud El-Bedrijju r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures “Bekare” gjatë një nate, do t’i mjaftojnë.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ata njerëz që tubohen në njërën prej shtëpive të All-llahut (xhami), që të lexojnë Librin e All-llahut dhe ta studiojnë në mes veti, do t’ju vijë atyre paqja (qetësia) e plotë e All-llahut dhe do t’i mbulojë mëshira e Tij, dhe melaqet do të kujdesen për sigurimin e tyre e All-llahu do t’i lavdërojë.”
Ebu Hurejra r.a. tregon: “E kam dëgjuar mikun tim sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Veshja solemne (rrobat dhe stolitë), e besimtarit do të arrijnë deri ku ka arritur abdesti.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur merr abdest robi musliman (besimtari), kur ta lajë fytyrën e vet, prej fytyrës së tij del çdo mëkat që ka bërë duke shikuar me sytë e vet, këto mëkate bien së bashku me rënien e ujit ose me pikën e fundit të ujit. Ndërsa kur t’i lajë duart e veta, atëherë çdo mëkat i dorës bie me ujin ose me pikën e fundit të ujit të dorës. Kur t’i lajë këmbët, atëherë çdo mëkat i këmbës do të bie prej këmbës së bashku me ujin e abdestit, apo me pikën e fundit të ujit të abdestit nga këmba, kështu që kur të kryhet abdesti, mbetet i pastër prej mëkateve.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se me çka All-llahu i shlyen mëkatet e juaja dhe me çka i lartëson gradat tuaja?” Të pranishmit i thanë: “Po, o i Dërguari i All-llahut!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u tha: “Marrja e abdestit edhe atëherë kur është vështirë, shkuarja e shpeshtë në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është fortifikatë, kjo është fortifikatë.”
Muavija r.a. thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Muezinët do të jenë më qafëgjatët (më të pashmit) në Ditën e gjykimit.”
Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur thirret ezani për namaz, atëherë shejtani lëshon një zë dhe ikën që të mos e dëgjojë ezanin. Dhe kur të përfundojë ezani, ai kthehet derisa të tubohen njerëzit për namaz dhe derisa të bëhet ikameti, atëherë u afrohet njerëzve dhe u pëshpërit: Përkujtoje këtë, përkujtoje atë, etj., gjë të cilën njeriu nuk do ta kishte përkujtuar pa namaz, kështu që njeriu nuk di sa ka falur.”
Abdull-llah ibni Amr ibni Asi r.anhuma thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Kur ta dëgjoni ezanin, thoni ashtu siç thotë muezini, e pastaj bini salavat për mua, sepse kush bie salavat për mua një herë, All-llahu i Madhëruar vetëm për atë salavat për mua, do të bijë dhjetë salavate për të. Pas salavateve luteni All-llahun për mua për “vesile”, e ai është vend i posaçëm në Xhenet, i cili i takon një robi prej robërve të All-llahut e shpresoj se ai rob do të jem unë. Ai i cili bën lutje (dua) për “vesile”, unë do t’i bëhem atij ndërmjetës (shefaatxhi).”
Ebu Hurejra r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Çfarë mendoni, sikur të ishte një lumë para derës së njërit prej jush, në të cilin do të lahej çdo ditë nga pesë herë, a do të mbetej në të papastërti?” Të pranishmit thanë: “Nuk do të mbetej asnjë papastërti.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem atëherë tha: “Ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. All-llahu me faljen e namazeve i shlyen mëkatet.”
Xhabiri r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shembulli i pesë kohëve të namazit është sikurse një lumë i rrjedhshëm dhe i pastër para derës së njërit prej jush, në të cilin ai lahet pesë herë në ditë.”
Ibnu Mes’udi r.a. tregon se një njeri e kishte puthur një grua vetëm një herë dhe erdhi tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që ta lajmërojë, i penduar për atë mëkat. Atëherë All-llahu e shpalli ajetin: “Fale namazin ditën dhe natën, vërtet punët e mira i shlyejnë punët e këqija.” Njeriu atëherë i tha Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “A vlen kjo për mua?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem iu përgjigj: “Për mbarë umetin tim!”
Nga Uthman bin Affani r.a. thuhet se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Cili njeri prej muslimanëve kur hyn koha e rregullt e namazit, merr abdest e falë namazin me përpikëri të plotë duke i kryer të gjitha ruknet e tij, ky do të jetë keffaret (larje gabimi) për mëkatet e mëparshme, derisa të mos bëjë mëkate të mëdha. Kjo vlen në mënyrë të vazhdueshme.”