Mikdam ibën Madikeribi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Kur njeriu ta dojë vëllanë e tij (musliman), le ta lajmërojë se e do."
Enciklopedia e Haditheve · Virtytet e lavdëruara
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë burrë që tregon tolerancë e mirësjellje kur shet e blen, si dhe kur e merr borxhin e dhënë!”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një burrë u jepte borxh njerëzve dhe i thoshte shërbëtorit të vet: "Kur të shkosh te ndonjë huamarrës, toleroje, me shpresë që edhe Allahu të na tolerojë ne." Kështu, kur e takoi Allahun, Allahu e fali.”
Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade dhe Ebu Abdurrahman Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), transmetojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kije frikë Allahun kudo që të jesh, të keqen pasoje me të mirë, që kjo (e fundit) ta shlyejë atë (të keqen), si dhe sillu mirë me njerëzit.”
Nevas ibën Sem'an Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ për mirësinë dhe për mëkatin, e ai më tha: “Mirësia është edukata e mirë, kurse mëkati është ajo që të bren në gjoks dhe nuk ke dëshirë që njerëzit ta kuptojnë.”
Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Prej shprehjeve pejgamberike që u kanë arritur njerëzve deri më sot janë edhe fjalët: "Nëse nuk turpërohesh, bëj ç'të duash.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e gënjen e as nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu.” - duke bërë me shenjë në gjoksin e tij tri herë. “I mjafton si e keqe njeriut ta përulë vëllanë e vet musliman. Kundrejt muslimanit, muslimani në tërësi është i paprekshëm: gjaku, pasuria dhe nderi i tij.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se një njeri i tha Profetit ﷺ: "Më këshillo!" Profeti i tha: "Mos u zemëro!" Ky rikërkonte disa herë, porse Profeti gjithnjë i thoshte: "Mos u zemëro!"
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e vet atë që e do për veten e tij.”
Abdullah ibën Amër ibën Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Prijësit e drejtë tek Allahu do të jenë në podiume drite, në të djathtën e Rrahmanit (Allahut) të Lartësuar, e që të dyja Duart e Tij i ka të djathta. Këta janë ata të cilët janë të drejtë në gjykimin e tyre, të drejtë me familjet e tyre dhe me këdo që e kanë nën përgjegjësi.”
Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: ” “Kush privohet prej butësisë, do të privohet prej mirësisë.”
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "Profeti ﷺ më ka thënë: "Assesi mos nënvlerëso asnjë gjë, edhe po e takove vëllanë tënd me fytyrë të buzëqeshur."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk quhet i fortë ai që triumfon mbi të tjerët, por, në të vërtetë, i fortë është ai që përmbahet kur është i zemëruar.”
Ebu Mesud Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Një person erdhi te Profeti ﷺ dhe i tha: "Më ka ngordhur kafsha, andaj a mund të më gjesh një kafshë për udhëtim (për në betejë)?" Ai ﷺ tha: "Nuk kam." Një person tjetër tha: "O i Dërguari i Allahut, unë do ta drejtoj te dikush që do t'i gjejë kafshë udhëtimi." I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kushdo që udhëzon dikë për një punë të mirë, do ta ketë shpërblimin të njëjtë sikurse ai që e bën atë punë.”
Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Në Ditën e Gjykimit, asgjë nuk do të jetë më e rëndë në peshoren e besimtarit sesa morali i mirë. Pa dyshim, Allahu e urren njeriun e pandershëm dhe të paturpshëm."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë. Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë fqinjin. Dhe kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin.”
Xherir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Atë që nuk i mëshiron njerëzit, Allahu nuk e mëshiron."
Ebu Hurerja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur për gjërat që më së shumti i fusin njerëzit në Xhenet, e në atë rast ka thënë: "Më së shumti në Xhenet fut devotshmëria ndaj Allahut dhe sjellja e mirë." Gjithashtu është pyetur për gjërat që më së shumti i fusin njerëzit në Zjarr, e në atë rast ka thënë: "Goja dhe organi gjenital."
Abdullah ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) ka thënë: Profeti ﷺ dëgjoi një njeri duke e këshilluar vëllanë e tij rreth turpit, e në atë rast Profeti ﷺ tha: "Turpi është prej besimit."
Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kapuni fort për çiltërsinë, sepse çiltërsia shpie në mirësi, ndërsa mirësia shpie në Xhenet. Njeriu vazhdon të jetë i çiltër dhe ta synojë çiltërsinë, derisa të shkruhet shumë i çiltër tek Allahu. Ruajuni gënjeshtrës, sepse gënjeshtra shpie në shthurje, ndërsa shthurja shpie në Zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë dhe ta synojë gënjeshtrën, derisa të shkruhet gënjeshtar i madh tek Allahu.”
Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: "Atij që e mbron nderin e vëllait të vet, Allahu do t'ia mbrojë fytyrën nga Zjarri në Ditën e Kiametit."
Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: "Allahu e do robin e devotshëm, të pasur (në shpirt) e të fshehur (nga sytë e njerëzve).”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Besimtari me besimin më të plotë është ai që ka moral më të mirë. Më të zgjedhurit prej jush janë ata që janë më të mirët me gratë e tyre."
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Profetit ﷺ, tregon se Profeti ﷺ ka thënë: "Çdo gjë që shoqërohet nga butësia, zbukurohet, e çdo gjë që zhvishet nga butësia, shëmtohet."
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Vërtet besimtari përmes sjelljes së mirë i arrin shkallët e agjëruesit dhe të atij që falet natën (në vazhdimësi)."
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më i dashuri prej jush tek unë dhe më i afërti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit është ai më i moralshmi, kurse më i urryeri prej jush tek unë dhe më i largëti nga unë në kuvend në Ditën e Gjykimit, janë llomotitësit, llafazanët dhe mutefejhikunët. Thanë: "E dimë cilët janë llomotitësit e llafazanët, po mutefejhikunët cilët janë?" Ai u përgjigj: "Mendjemëdhenjtë.”
Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) ka thënë: "Profeti ﷺ nuk ka qenë vulgar në të folur e as në sjellje." Ai thoshte: “Më i miri prej jush është ai që e ka sjelljen më të mirë.”
Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: "Lehtësoni e mos vështirësoni, jepni lajme të mira e mos largoni!"
Ebu Abdullah Xhedeliu transmeton se e ka pyetur Aishen, nënën e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), për moralin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, me ç'rast ajo tha: “Nuk ka qenë vulgar në të folur e as në sjellje, nuk e ngrinte zërin në tregje dhe nuk e kthente të keqen me të keqe; përkundrazi, i falte dhe i toleronte të tjerët."
Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari nuk është fyes e as mallkues i madh, as i pandershëm e as fjalëndyrë.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Vërtet jam dërguar që t'i plotësuar virtytet e larta morale."
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti i Allahut ﷺ pothuajse nuk na mbante asnjë ligjëratë pa thënë: "Ai që nuk ka amanet, nuk ka besim; dhe ai që nuk e mban besëlidhjen, nuk ka fe."
Ebu Hamza Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), shërbëtori i të Dërguarit të Allahut ﷺ, transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e vet atë që e do për veten e tij.”
Ibën Mesud Ukbe ibën Amër el-Ensari el-Bedri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Prej shprehjeve pejgamberike që u kanë arritur njerëzve deri më sot janë edhe fjalët: "Nëse nuk turpërohesh, bëj ç'të duash.”
Nevas ibën Sem'ani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Mirësia është sjellja e mirë ndërsa mëkati është ajo që të bren në zemër dhe nuk dëshiron që njerëzit të mësojnë për të.” Vabisa ibën Mabedi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Vajta tek i Dërguari i Allahut ﷺ i cili më tha: "Erdhe të më pyesësh për mirësinë dhe mëkatin?' Po, - i thashë. Më tha: "Pyete zemrën tënde. Mirësi është ajo me të cilën të qetësohet shpirti dhe zemra e mëkat është ajo që të bren në shpirt dhe ta ngacmon kraharorin, edhe nëse njerëzit të thonë ndryshe."