Rijadus-Salihin

1013 hadithe · 305 kapituj

513 hadithe · Të gjithë kapitujt

Aishja r.a. tregon se i ka thënë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “A ke pasur në jetën tënde ndonjë ditë më të vështirë se dita e Uhudit?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u përgjigj: “Kur kam shkuar te populli yt, ditën e Akabes, ishte më vështirë. Iu paraqita birit të Abdi Jalile ibnu Abdi Kulale, por ai refuzoi të përgjigjet në atë që dëshiroja. Atëherë vazhdova udhëtimin dhe shenjat e shqetësimit dukeshin në fytyrën time, nuk kam ardhur në vete derisa kam arritur në Karnith-thealibe. Aty e kam ngritur kokën, kur një re mbi mua më bën hije. Kur e kam shikuar atë, kam vërejtur në të Xhibrilin a.s., i cili atëherë thirri dhe më tha: “Vërtet All-llahu i ka dëgjuar fjalët e popullit tënd, dhe e ka parë sulmin e tyre ndaj teje. All-llahu e dërgoi melekun e kodrave që ta urdhërosh të veprojë me ta si të dëshirosh ti.” Atëherë më ka thirrë meleku i kodrave, më ka përshëndetur me selam e pastaj ka thënë: “O Muhammed, vërtet unë jam meleku i kodrave dhe All-llahu më dërgoi te ti që të më urdhërosh të veproj ashtu si dëshiron ti. Nëse ti dëshiron, këto dy kodra do t’i hedh mbi ta.” Atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., ashtu siç tregon Aishja r.a., ka thënë: “Jo. Por, dëshira ime është që All-llahu të falë prej tyre pasardhës, të cilët do ta adhurojnë vetëm All-llahun xh.sh. dhe nuk do t’i bëjnë Atij shok tjetër.”

Gabim?

Ibnu Mes’udi r.a. thotë: “Sikur jam duke e parë të Dërguarin e All-llahut duke treguar për një Pejgamber prej Pejgamberëve, mbi të gjithë qoftë paqja dhe shpëtimi i Zotit, se si e kishte rrahur populli i vet, derisa i kishte rrjedhur gjaku. Dhe ai, duke e fshirë gjakun prej fytyrës, thonte: “O Zoti im, falja popullit tim, sepse vërtet ata nuk dine.”

Gabim?

Ebu Mes’ud Ukbe bin Amr El-Bedri r.a. thotë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe tha: “Unë e vonoj faljen e namazit të sabahut për shkak të njërit që e zgjat tepër namazin!” Ebu Mes’udi pastaj tregon: “Unë asnjëherë më parë nuk e kisha parë Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjatë dhënies së këshillave më të hidhëruar se atë ditë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pastaj iu kthye të pranishmëve dhe u tha: “O ju njerëz, vërtet disa prej jush i largojnë të tjerët. Prandaj, ai i cili prej jush iu prin të tjerëve le ta shkurtojë namazin, sepse pas tij është plaku, fëmija si dhe ai që ka nevojë për diçka tjetër.”

Gabim?

Aishja r.a. thotë: “Erdhi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem prej një udhëtimi, dhe unë e kisha mbuluar një dollap me një perde, në të cilin kishte figura. Kur e pa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e bëri atë copë-copë dhe iu skuq fytyra (nga hidhërimi) dhe tha: “Oj Aishe, dënimi më i ashpër i All-llahut Ditën e Gjykimit do të jetë për ata të cilët i imitojnë krijesat e All-llahut.”

Gabim?

Aishja r.a. përsëri thotë: “Kurejshitët ishin tepër të shqetësuar për shkak të rastit të gruas nga fisi El-Mahzumi, e cila kishte vjedhur, e pastaj kishin thënë: “Kush do t’i flasë për këtë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Pastaj thanë: “Kush do të ketë guxim ta bëjë këtë përveç Usame ibnu Zejdit, i cili ishte i dashuri i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.” Usameje shkoi tek i Dërguari i All-llahut dhe i tregoi se ka ardhur të ndërmjetësojë për rastin e asaj gruaje. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Ti po ndërmjetëson që të mos zbatohet një dënim prej dënimeve të All-llahut?” Pastaj Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u ngrit në këmbë dhe filloi të flasë, ku përveç të tjerash tha: “Ata të cilët ishin para jush pësuan për arsye se, kur në mesin e tyre vidhte ndonjë fisnik (i pasur), e linin, nuk e dënonin, ndërsa kur vidhte ndonjë i dobët (i varfër) e zbatonin mbi të dënimin! Betohem me All-llahun që sikur të vidhte Fatimeja, e bija e Muhammedit, unë sigurisht do t’ia preja dorën.”

Gabim?

Enesi r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka parë një pështymë (në tokë) në drejtim të kibles dhe kjo gjë e nevrikosi aq shumë, saqë kjo u vërejt në fytyrën e tij, u ngrit dhe e fshiu me dorën e vet, e pastaj tha: “Vërtet çdonjëri prej jush, kur çohet për të falur namazin, atëherë është duke folur me Krijuesin e vet dhe Zoti i tij është në mes tij dhe Kibles, për atë nuk lejohet që askush prej jush të pështyjë në drejtim të Kibles, por mund të pështyjë në të majtë, apo nën këmbët e tij.” Pastaj mori një skaj të mbulesës së tij dhe pështyu në të, e paloi njërën anë me tjetrën dhe tha: “Apo le të veprojë në këtë mënyrë.”

Gabim?

Ibni Umeri r.a. thotë: “Kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për kopenë e vet. Imami është bari dhe do të pyetet për kopenë e tij. Burri është bari në shtëpinë e vet dhe ai do të pyetet për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit dhe ajo do të pyetet për kopenë e saj, edhe shërbëtori është bari në pasurinë e zotërisë së tij dhe ai do të pyetet për ate që e ka ruajtur. Të gjithë ju jeni barinj dhe do të përgjigjeni për atë që keni ruajtur.”

Gabim?

Ebu Ja’la Ma’kil bin Jesari thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Atë rob që All-llahu e cakton për ruajtjen e një kopeje dhe ai vdes duke e tradhtuar kopenë e tij, All-llahu xh.sh. ia ndalon atij hyrjen në Xhenet.” Në një rivajet të Muslimit thuhet: “Çdo prijës, që është përgjegjës për çështjet e muslimanëve dhe nuk mundohet për ta dhe nuk i këshillon ata, nuk do të hyjë me ta në Xhenet.”

Gabim?

Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Beni Israilët udhëhiqeshin nga Pejgamberët, posa vdiste një Pejgamber, menjëherë vinte në vend të tij tjetri. Pas meje nuk ka Pejgamber tjetër. Por, do të ketë hulefa (pasardhës) të shumtë.” Shokët i thanë: “O i Dërguar i All-llahut çka na urdhëron? Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u përgjigj: “Përmbusheni urdhrin e të parit, pastaj të tjerëve jepjuni hakun e tyre dhe pastaj luteni All-llahun për halifen tuaj. Vërtet All-llahu do t’i pyesë për të gjitha ato gjëra për të cilat kanë qenë mbikëqyrës.”

Gabim?

Nga Aidh ibni Amr tregohet se ka shkuar te Ubejdullah ibni Zijadi, dhe i ka thënë: “O biri im, unë e kam dëgjuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Vërtet bariu më i keq është ‘hutameja’ (që sillet vrazhdë e pa mëshirë me kopenë e vet), prandaj ruhu të mos bëhesh i tillë!”

Gabim?

Ibni Abbasi r.anhuma tregon se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush urren diçka nga prijësit e vet, le të durojë, sepse ai i cili largohet nga sulltani (udhëheqësi) i vet vetëm për një pëllëmbë, do të vdes me vdekje injoranti.”

Gabim?

Nga Ebu Seid Abdurrahman bin Semura r.a. thuhet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “O Abdurrahman, i biri i Semurinit, mos kërko vende udhëheqëse. Nëse vjen deri te vendi udhëheqës pa e kërkuar atë, atëherë do të jesh i ndihmuar, ndërsa nëse në vend udhëheqës vjen duke e kërkuar pozitën vetë, atëherë ti vetë je garant për të. Nëse betohesh në diçka, por e sheh se tjetra është më e mirë se ajo për të cilën je betuar, atëherë bë atë që është më e mirë, e për betimin tënd të dhënë më parë jep keffaret (i paraparë për betim).”

Gabim?

Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra, r.anhuma, transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu nuk e ka dërguar asnjë Pejgamber si dhe nuk e ka vendosur asnjë halife e që nuk ia ka dhënë dy shoqëri: Njëra shoqëri e udhëzon në punë të mira dhe e nxit në të mbara, ndërsa tjetra e udhëzon në punë të këqija dhe e nxit në të mbrapshta. I mbrojtur dhe i ruajtur do të jetë vetëm ai të cilin e mbron dhe e ruan All-llahu.”

Gabim?

Nga Ebu Musa El-Esh’ariu r.a. thuhet: “Hyra te Pejgamberi s.a. v.s. unë dhe dy kushërinjtë e mi. Njëri prej tyre i tha: “O i Dërguari i All-llahut, më emëro udhëheqës në atë që All-llahu ta ka dhënë të sundosh mbi të.” Tjetri tha të njëjtën gjë si i pari. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pastaj u tha: “Betohem në All-llahun se ne nuk vendosim në pozitat udhëheqëse (vali) asnjë person që e kërkon atë, ose atë që e lakmon pozitën.”

Gabim?

Nga Imran bin Husejni r.anhuma tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Turpi sjell vetëm mirësi.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. tregohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Besimi (imani) është shtatëdhjetë e ca ose gjashtëdhjetë e ca pjesë. Pjesa më e vlefshme e imanit është fjala “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka zot tjetër përveç All-llahut), ndërsa më e vogla është mënjanimi i ndonjë sendi nga rruga, që i pengon kalimtarët. Edhe turpi është një pjesë e imanit.”

Gabim?

Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. thuhet: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte i turpërueshëm, më i turpërueshëm sesa virgjëresha në rrobat e saj. Kur shihte diçka që nuk i pëlqente, ne e hetonim këtë në fytyrën e tij.”

Gabim?

Nga Aishja r.a. thuhet: “Një ditë ishim ne, gratë e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., tek ai, kur u duk Fatimeja r.a., që ecte plotësisht ashtu si ecte Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Kur e pa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i dëshiroi mirëseardhje dhe tha: “Mirë se erdhe bija ime!” e pastaj ia bëri një vend dhe e uli pranë vetes në anën e djathtë apo të majtë, e pastaj i tregoi diçka fshehtas dhe ajo qau shumë. Kur Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pa dëshpërimin e saj të madh, për të dytën here, përsëri fshehtas, i tha diçka e pastaj ajo u gëzua dhe qeshi. Unë pastaj i thashë: “Ty të zgjodhi Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në mesin tonë dhe të tregoi ndonjë fshehtësi!”, dhe e pyeta: “Ç’të tha Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.?” Ajo m'u përgjigj: “Nuk mund t’i zbuloj fshehtësitë e të Dërguarit të All-llahut.” Dhe pasi që Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kishte ndërruar jetë, i thashë Fatimesë: “Të betohem në hakun tim që ke ti, që të më thuash tani se ç’të ka thënë i Dërguari i All-llahut atëherë kur nuk dëshirove të më tregosh, pra më thuaj tani.” H. Fatimeja më tha: “Po. Tani mund të të tregoj. Sa i përket herës së parë, kur më tregoi fshehtazi, më tha: “Për çdo vit Xhibrili një herë ose dy herë së bashku me të e lexon Kur’anin dhe në këtë moment dy herë më ka propozuar, unë mendoj se vdekja ime më është afruar, por ti ki frikë All-llahun dhe ki durim. Vërtet unë për ty jam paraardhës i mrekullueshëm.” Për këtë unë kam qarë, ashtu si më ke vërejtur. Por, kur Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pa dëshpërimin tim të madh, atëherë për të dytën herë më pëshpëriti (më foli në vesh) dhe më tha: “O Fatime, a nuk je e kënaqur të jesh prijëse (zonjë) e të gjitha grave besimtare, apo prijëse e grave të këtij umeti?” Atëherë kam qeshur dhe jam gëzuar ashtu si më ke vërejtur vetë.”

Gabim?

Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbush premtimin dhe kur zotohet, e shkel zotimin.”

Gabim?

Nga Abdull-llah bin Amr ibn El-Asi r.anhuma transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Personi tek i cili gjenden këto katër (cilësi) është hipokrit i vërtetë, kurse ai, tek i cili gjendet një prej tyre, ai zotëron cilësi të hipokrizisë, derisa nuk e flak atë: - kur flet, gënjen; - kur premton, nuk e përmbush premtimin; - kur është në zënkë, sillet padrejtësisht dhe - kur zotohet, e shkel zotimin (tradhton).”

Gabim?